Ngjarjet që kanë tronditur vendin ndër vite pritet të zbardhen. Reforma në drejtësi u bë me një qëllim: ndëshkimin e të gjithë atyre që i kanë shpëtuar drejtësisë. Për ta përmbushur këtë gjë u krijua Prokuroria e Posaçme, e cila dje dha sinjale se është forcuar dhe tani do të hapen dosjet e vjetra.
Dosja e parë e bujshme e rihapur është ajo e Gërdecit. Dje SPAK ka kërkuar të nisë gjykimi për Fatmir Mediun, ish-ministrin e Mbrojtjes. Por në duart e prokurorisë janë shumë dosje të bujshme që pritet të rihapen. Dosja akoma më e bujshme është ajo e vrasjeve të 21 janarit 2011. Në përvjetorin e kësaj ngjarje këtë vit, policia nisi lëvizjet për ta rihapur si ngjarje.
Ajo dorëzoi një kërkesë në prokurori duke kërkuar rihapjen e hetimeve për vrasjen e Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës, pasi për ta nuk është ndëshkuar askush. Drejtësia dështoi të gjente se kush qëlloi mbi ta dhe pas 10 vitesh nuk ka asnjë autor të ndëshkuar. Por me kërkesën e prokurorisë rriten shpresat që hetimi i tyre mund të sjellë dhe ndëshkimin e drejtuesve.
Qeveria e asaj kohe drejtohej nga Sali Berisha dhe të shumtë janë ata që e bëjnë përgjegjës. Gazeta ka mësuar detaje të reja nga kërkesa e policisë dhe nëse prokuroria i shkon deri në fund, mund të ketë zhvillime të forta. Ndërkohë mësohet se ashtu siç familjarët e viktimave të Gërdecit kanë bërë padi në SPAK dhe kjo solli hapjen e dosjeve, padi të ngjashme kanë bërë dhe familjarët e viktimave të 21 Janarit, prandaj priten zhvillime. Skema e mbylljes së “21 Janarit” ishte e ngjashme me Gërdecin, pasi ishte Gjykata e Lartë ajo që hodhi në kosh dosjen.
Afera “CEZ-DIA”
Një tjetër dosje e bujshme në SPAK është ajo e aferës “CEZ-DIA”. Padia është bërë nga juristi Romeo Kara, i cili ka paditur disa zyrtarë me në krye presidentin Ilir Meta dhe ish-kryeministrin Sali Berisha. Juristi Kara në padinë që ka bërë në Prokurori, ka dorëzuar 300 faqe me informacion, ndërsa ka bërë një renditje të argumenteve të tij se përse kemi vepër penale. Janë rreth 30 argumente, ku implikojnë Metën, Berishën dhe qeverinë e asaj kohe.
Fillimisht Kara ka renditur dëshmitë që ka dhënë ish-kreu i CEZ, Jozef Hejsek. Sipas tij, ky i fundit ka thënë: “Qazim Tepshi, në atë kohë Ambasadori i Shqipërisë në Pragë, pas diskutimeve me eprorin e tij, Ministrin e Punëve të Jashtme Ilir Meta, rekomandoi Kastriot Ismailajn, si mbledhës të jashtëm të borxheve të CEZ-it, duke e prezantuar atë si një aleat të ngushtë të ministrit të Punëve të Jashtme Ilir Meta dhe të Kryeministrit Berisha. Kjo, sipas Hejsekut, mund të ketë ndodhur në vjeshtën e vitit 2009.
Vjeshta e vitit 2009 rezulton të jetë pikërisht koha kur pala ceke filloi administrimin e OSSH-së, të sapoprivatizuar në atë kohë prej tyre”. Kara ka rrëfyer dhe bisedat me ish-zyrtarin e DIA, Elvis Mata. Padia u bë te Krimet e Rënda, por pas shkrirjes së saj ka kaluar në SPAK dhe kjo dosje nuk është mbyllur, por mbahet aty. Sipas burimeve, nëse presidenti shkarkohet mund të ketë zhvillime.
Privatizimi i Kompleksit Partizani
Një tjetër dosje e fortë është ajo e aferës me privatizimin e ish-Kompleksit Partizani. Pak kohë më parë PS paditi ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, ish-ministrin e Mbrojtjes Arben Imami dhe disa funksionarë të tjerë, pasi kanë abuzuar me kthimin pronës te ish-pronarët. Sipas padisë, toka në fjalë ka qenë e pronarëve, por ajo i kaluar shtetit dhe në vitin 1940 ata janë dëmshpërblyer nga qeveria italiane, pasi vendi ynë ishte pushtuar nga Italia.
Madje pronarët janë shpërblyer me franga ari. Qeveria italiane kishte plane të bënte një aeroport aty dhe prandaj mori tokën. Madje toka është blerë nga Shefqet Vërlaci dhe Jako Mane. Toka, nga “Rr. e Kavajës” deri tek “Rr. Durrësit” është blerë nga italianët dhe më pas ka kaluar në duart e shtetit. Pra, pretendentët e këtyre pronave janë kompensuar një herë nga italianët dhe më pas toka është shtetëzuar, duke i kaluar në pronësi Ushtrisë. Në vitin 2008 një grup personash që pretendojnë se janë pronarë të truallit, nisë procedurat e kompensimit dhe përfaqësuesi ligjor i tyre ishte Jamarbër Malltezi, dhëndri i Berishës.
Sipas marrëveshjes, Malltezi do të merrte jo më pak se 5 për qind të vlerës së pronave të kthyera. Sot ka me mijëra shqiptarë që luftojnë prej 30 vitesh për pronat e tyre dhe akoma nuk i kanë marrë, por ajo që bie në sy është se pronat e Klubit Partizani u kompensuan brenda 6 muajsh. Procesi nisi në qershor 2008 dhe në dhjetor gjithçka mbaroi. Pra këtu pati rol vendimtar dyshja Berisha-Imami.
Dosjet e tjera
SPAK ka rreth 700 dosje në proces hetimi dhe 209 prej tyre janë dosje korrupsioni. Sipas burimeve, në listë janë 2 ish-kryebashkiakë të LSI dhe një kryebashkiake e PS. Dje Prokuroria e Beratit ka dorëzuar në SPAK një padi ndaj kryebashkiakes së Dimalit. Ndërkohë janë disa padi që opozita ka bërë ndaj ministrave aktualë. Një dosje e fortë është ajo e shembjes së teatrit ku janë paditur ministrja e Kulturës, kryebashkiaku i Tiranës, ish-ministri i Brendshëm.
Presidenti Ilir Meta ka bërë dy padi të bujshme në SPAK. Ai ka paditur ministren e Drejtësisë për botimin në Fletoren Zyrtare të vendimit që e rendiste Arta Vorpsin në krye të listës për në Kushtetuese. Po për debatin e Kushtetuese ka paditur dhe ish-kreun e KED, Ardian Dvorani. PD ka paditur po ashtu për abuzime me tenderat ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka dhe ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. Një dosje tjetër është ajo e inceneratorëve. Pak javë më parë çështja e inceneratorëve shkaktoi debat të fortë dhe për opozitën është një ndër dosjet më korruptive.
Dosje të tjera të forta janë ato të hetimit për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese të ngelur në veting. Vetë Kraja në një intervistë që dha pak ditë më parë paralajmëroi se hetimet po ecin para. “Po hetohen për disa vepra penale. Bëhet fjalë për element të shpërdorimit të detyrës apo korrupsionit apo elementë të deklarimit të rremë të pasurisë. Por janë çështje konkrete dhe nuk duhet të futemi në shumë detaje.
E rëndësishme është që po hetohen dhe do dalim me një rezultat konkret sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha ai pak ditë më parë. Një dosje tjetër e rëndësishme është ajo e hetimeve që kanë nisur për deputetin socialist Ervin Bushati. Ky i fundit u padit për fshehje pasurie dhe SPAK ka nisur hetimet. Një padi e fortë është dhe ajo e koncesioneve të dhëna në shëndetësi gjatë kohës që ministër ishte Ilir Beqaj. Pra bëhet fjalë për shumë çështje me rëndësi, zbardhja e të cilave sigurisht do trazonte politikën.