Partia Socialiste ka nisur sot procedurat për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Sipas analistit Frrok Çupit, shkarkimi i Presidentit Meta është si të këpusësh një frutë të pjekur më shumë seç duhet; frutë që duhet këputur para se të bjerë ‘plluç’ përtokë.
Menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve, Rama i ka kërkuar Grupit Parlamentar të tij, nisjen e procedurave për shkarkimin e Metës, me motivacionin e shkeljes së Kushtetutës. Shkarkimi i Metës është kapja e çdo pushtetit nga Rama apo një funksionim me përpikmëri i ligjit dhe Kushtetutës?
Edhe sikur të donte Rama, edhe sikur të ishte i tillë, nuk mund ta ‘kapë postin’ e presidentit. Pse? Sepse presidenti nuk ka asnjë pushtet kushedi, aq më pak ndonjë pushtet që nevojitet për ta pasur në dorë kryeministri. Presidenti ka vetëm pushtetin që të mos bëjë keq- siç bëri ky në mënyrën më të tmerrshme.
Presidenti ka pushtet vetëm që të mos bëjë thirrje për konflikt në popull; ka pushtet vetëm që të sillet, të flasë dhe vishet hijshëm. Nuk po them që ‘të mos pijë raki e të dalë i dehur’, nuk po them që ‘të mos lajthisë’; nuk po them që të mos bëjë figurë të keqe në publik apo të rrahë policët. Shkarkimi i këtij presidenti është si të këpusësh një frutë të pjekur më shumë se duhet; frutë që duhet këputur para se të bjerë ‘plluç’ përtokë.