Eurodeputeti austriak Harald Vilimsky e paskësh quajtur Kosovën “shtet të dështuar dhe mafioz”. Sa i përket këtij personi duhet ditur disa gjëra: Vilimsky është politikan i partisë së ekstremit të djathtë FPÖ, e cila ka lidhje të ngushta me Kremlinin, me oligarkun rus Konstantin Malofejev dhe me partinë “Rusia e bashkuar” të Vladimir Putinit.
Mes FPÖ-së dhe partisë së Putinit ekziston një marrëveshje bashkëpunimi nga viti 2016, të cilën e ka nënshkruar Vilimski.
Partia e Vilimski FPÖ prej vitesh mban qëndrime proserbe dhe antikosovare. Vilimski nga mediat austriake disa herë është akuzuar për deklarata antisemite.
Në prag të krijimit të qeverisë mes ÖVP-së së kancelarit Sebastian Kurz dhe FPÖ-së më 2017 mediat e Vjenës njoftuan se presidenti austriak kurrsesi nuk do ta pranonte si ministër Harald Vilimsky-in, por as Johann Gudenus, i njohur po ashtu për qëndrimet proruse dhe proserbe.
Si sekretar i përgjithshëm i FPÖ-së dhe si eurodeputet Vilimski luan rolin e “qenit të lidhur me zinxhirë” për të vëzhguar terrenin (kështu ka shkruar gazeta “Die Presse”).
Në janar të këtij viti Vilimski u largua nga posti i sekretarit të përgjithshëm. Më herët qeveria austriake e përbërë nga ÖVP dhe FPÖ dha dorëheqje për shkak se mediat gjermane publikuan një inicizim, ku shihej shefi i atëhershëm i FPÖ-së Heinz-Christian Strache dhe Johann Gudenus duke i premtuar një gjoja vajze të një oligarku rus se kur të vijnë FPÖ në pushtet do t’ia shesë Moskës gjysmën e Austrisë, përfshirë edhe një gazetë me ndikim. Krejt ky muhabet ishte zhvilluar në një vilë në Ibiza.
Jo çdo kritikë që vjen nga eurodeputetët duhet të merret seriozisht. Austriaku Harald Vilimsky nuk është shembull i politikanit me duar të pastra.
Prej vitesh ka dyshime se partia e tij financohet nga burimet ruse. Krahas gjuhës me tonalitet antisemit, FPÖ ndjek një politikë ekstremiste (dhe raciste) kundër të huajve në Austri.
Deklarata e Vilimsky kundër Kosovës ka elemente raciste. Ai flet për situatën e vështirë në veri të Kosovës, ku jeton një pjesë e pakicës serbe, dhe për situatën e rënduar në kufi me Maqedoninë e Veriut.
Dhe për këtë e akuzon Prishtinën. Kjo është një përrallë. E poshtër. E një eurodeputeti që poshtërsitë gjuhësore i ka biznes dhe mënyrë mbijetese në politikë.
Pala kosovare duhet të punojë më shumë me deputetë liberalë dhe socialdemokratë në Parlamentin Europian në mënyrë që të kundërshtojë ekstremistët e tipit Vilimsky apo ndonjë racist francez nga partia e Marine Le Pen. Vilimsky është ndër të fundit politikanë në botë që mund të japë leksione për shtet ligjor. (E.Robelli)