Rrëfimi i Izet Haxhisë:
Në 26 maj ka pasë një mobilizim të jashtëzakonshëm të gjithë strukturave që drejtoheshin nga SHIK. Kanë vepruar si Gestapo. Berisha i ndiqte zhvillimet nga vila numër 4.
Aty rreth orës 18 vjen me urgjencë Gazidede në vilën Katër dhe dukej që kishte ndodhur diçka e rëndësishme dhe e pakëndshme. Shumë shpejt u mor vesh tërheqja e të gjithë komisionerëve të majtë nga votimet dhe nga numërimi i votave.
Gjithsesi Berisha kërkoi të hapej fjala që kishim informacione që tërheqja e së majtës nga votimet ishte skenar i parapërgatitur me urdhër nga Nikolas Gejxh, një antishqiptar i njohur.
Sot pas shumë vitesh, nëse më lejoni, unë mendoj që 28 maji është fillimi i kthimit të policisë në një polici partiake. Rrahja që ndodhi ishte e pamëshirshme. Ai grupi i politikanëve të opozitës bashkë me përkrahësit e tyre nuk kalonin as të dyqind vetat.
Kush e kreu këtë akt dhune? U krye nga pjesëtarë të policisë sekrete dhe të atyre të forcave speciale. Si operacion drejtohej nga dy persona: Nga Agim Shehu dhe Bashkim Gazidede. Atë ditë tek sheshi kam takuar ministrin e Brendshëm të asaj kohe (Agron Musaraj). Edhe ai ishte i habitur. Më tha çfarë po ndodh kështu. Ai me gungën në kokë (Agim Shehu) me siguri që ka dhënë urdhër për këtë. Situata nuk ndodhej nën kontrollin e tij. Kjo ishte ajo që kuptova.
Edhe unë jam bërë pjesëtar i kësaj dhune. Kam goditur një gazetar me emrin Shpëtim Nazarko. Për mua gjëja më e turpshme dhe më e rëndë ka qenë rrahja nga ana e policisë dhe SHIK-ut e profesor Servet Pëllumbit. Njëri që ka marrë pjesë në rrahjen e profesor Pëllumbit është sot deputet i Partisë që ka themeluar e drejtuar zoti Pëllumbi. Kjo është ironia e politikës shqiptare…