Nga Rigels Seliman
Ky Parlament padyshim që do të mbetet gjatë në memorien e secilit prej nesh për nivelin e ulët intelektual të deputetëve, të cilët përfaqësojnë popullin. Dhe padyshim që peshën kryesore të fajit duhet ta mbajë kryedemokrati Lulzim Basha dhe kreu i LSI, Monika Kryemadhi që përmes gjetjeve apo zbulimeve mbushën listat e partive respektive sa i takon zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017 me lloj-lloj frymorësh, ndërsa ironia e fatit i bëri deputetë.
Pak kohë më parë mediat vizive, të shkruara dhe rrjetet sociale buçitën, teksa i servirën publikut një deklaratë të një deputetetje nga lista “Basha” që ngatëronte “Korporatën” me “Kërpëratën”, artikulim ky që bëri që i madh e i vogël të qeshte, por ndihej edhe i fyer nga ligjvënësit që i përfaqësojnë në Kuvendin e Shqipërisë.
Por arkivin e perlave të artikuluara nga goja e tyre, gjithmonë ata që marrin kurajon të ngrihen dhe dalin te foltorja, e pasuroi të enjten që lamë pas dhe Kostaq Papa. Deputeti i opozitës parlamentare, i cili ka hyrë rishtas në Parlament nga lista e Partisë Demokratike në Qarkun e Tiranës dhe njëkohësisht është edhe kreu i Partisë Emigracioni Shqiptar.
Duke folur në seancën e të enjtes në tentativë për të dhënë një mesazh për gratë në vigjiljet të “8 Marsit”, ligjvënësi tiranas tregoi se kur ishte më i ri dhe kishte para e kaçurrela, iu jepte femrave që kishte afër më shumë pije të shtrenjta(Wisky) se ujë. Mirëpo, mua nuk më intereson fare historia dhe odiseja e jetës së deputetit në fjalë, por më intereson mënyra se si ata flasin dhe shëndeti i tyre mendor.
Jo të gjithë deputetët e opozitës janë si Kostaqi, por ky sojzëz kurrsesi nuk duhet që të më përfaqësojë mua dhe qytetarët shqiptarë në Parlament. Ky institucion është tempulli i demokracisë, ku gatuhen ligjet e kalojnë marrëveshjet, kështu që edhe niveli intelektual i deputetëve, se shkencor as që bëhet fjalë duhet të jetë të paktën mbi atë mesatar. Ky kriter jovetëm që është përdhunuar e syrgjynosur, por opozitën e kryesuar nga PD e përfaqësojnë frymorë si Kostaq Papa.
Megjithatë, pak rëndësi ka qasja intelektuale e tyre, pasi unë mora guximin për të shkruar këto dy rreshta, për të kërkuar një ndjesë që Basha dhe Kostaqi duhet t’ia kërkonin gruas shqiptare. Për mua gruaja shqiptare është jetë dhe nuk është ajo që pretendon deputeti i Bashës. Ky sojzëz sado Kapadai të ketë qenë, nuk i falet që përgojoi gruan shqiptare. Po, po nuk i falet që një analfabet funksional si ky deputet të nëpërkëmbin nderin dhe figurën e gruas shqiptare.
Kjo e fundit është aset dhe ne duhet të përulemi para saj, kushdo qofshin rrethanat. Kështu që, boll më dhe uroj që zgjedhjet e ardhshme t’i fshijnë këta deputet që bëjnë ironikun, donzhuanin, të fortin apo superiorin. Dikush duhet t’iu kujtojë këtyre deputetëve që janë mjeranë. Më mirë të jemi të papërfaqësuar se sa të jemi të turpëruar në kësisoj rastesh, ku deputetët flasin përçart.