Gazetari i njohur shqiptar, Thanas Mustaqi, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook ka sjellë në vëmendje një intervistë që i ka dhënë agjencia shtetërore ruse të lajmeve ITAR-TASS zëvendësministrja e Punëve të Jashtme Edit Harxhi, më 12 prill 2012.
Kujtojmë që në vitet 2011-2012 Shqipëria përpiqej të vinte në funksionim të gjitha nivelet e marrëdhënieve me Rusinë, duke siguruar një ftesë për kryeministrin Berisha në Petërburg dhe një vizitë të kryediplomatit rus Lavrov në Shqipëri. Këto fakte bëhen të ditura në intervistë që e ka sjellë në vëmendje gazetari Mustaqi.
“Ndërkohë është i pashpjegueshëm fakti që ndërsa MPJ-ja dhe mediat ruse i bënë jehonë vizitës të Harxhit në Moskë, vartësit e saj në Tiranë nuk e pasqyronin në sajtin e Ministrisë së Punëve të Jashtme veprimtaritë në “Romën e Tretë”. Për më tepër që Harxhi, një nga njerëzit më të besuar të Berishës dhe PD-së, kishte arritur sukses, teksa siguroi një ftesë për Kryeministrin shqiptar në forumin ekonomik të qershorit 2012 në Shën-Peterburg”, shkruan ndër të tjera Thanas Mustaqi.