Zgjedhjet lokale të së dielës krahas vëzhguesve të OSBE-ODIHR, do të monitorohen edhe nga diplomatët e Ambasadës Amerikane, asaj Britanike dhe të Italisë.
Numrin më të madh të vëzhguesve aprovuar nga KQZ e ka ambasada amerikane me 20 diplomatë vëzhgues në terren dhe 19 përkthyes.
Katër diplomatë britanik dhe 3 përkthyes do të jenë në katër qarqe të ndryshme.
Ndërsa ambasada italiane do të ketë 4 diplomatë në terren sëbashku me 3 përkthyes.
Përfshirja e tre ambasadave të rëndësishme në procesin e monitorimit është një konfirmimin se nuk ka asnjë tërheqje nga data 30 Qershorit, pavarësisht se presidenti e c’dekretoi këtë datë.
Akredimi 54 diplomatëve dhe përkthyesve nga këto tre ambasada vjen një ditë më pas nga tërheqja për arsye sigurie të vëzhguesve të Kongresit të Autoriteteve Lokale të Këshillit të Europës që është një strukturë e Këshillit të Evropës.
Këtë zhvillim kreu opozitës Lulzim Basha e quajti si një tërheqje të Këshillit të Europës por Kongresi Autoriteteve Lokale të Këshillit të Europës nuk është Këshilli Europian.
Zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës mbi situatën para zgjedhjeve lokale në Shqipëri deklaroi.
“Ne po e ndjekim me vëmendje situatën para zgjedhjeve të 30 qershorit në Shqipëri, të cilat duhet të zhvillohen në përputhje me të gjitha detyrimet dhe standardet ndërkombëtare për zgjedhje dhe po ashtu në përputhje me legjislacionin kombëtar. Në këtë kontest, ne duam të rikujtojmë se Këshilli i Evropës ka një marrëdhënie të gjatë dhe mjaft të konsoliduar me OSBE/ODIHR-in, i cili ka dërguar një mision për mbikëqyrjen e zgjedhjeve në Shqipëri”, është shprehur ai.
Pavarësisht këtij zhvillimi të përdorur politikisht nga opozita, zgjedhjet e të dielës do të monitorohen nga 150 vëzhgues afatshkurtër të OSBE-ODIHR, të cilëve paraditen e të enjtes iu shtuan edhe 8 analistë të tjerë tashmë të akredituar prej KQZ-s.
Sakaq ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë në njoftimet për shtetasit amerikan që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri, u kërkon të qëndrojnë vigjilentë nëse do të jenë afër qendrave të votimit dhe numërimit. I paralajmëron ata të largohen menjëherë nga zona ku ka shenja për akte të dhunshme. Të bëjnë kujdes se me kë shoqërohen e të mbajnë një profil të ulët.