Një përgjim i pështirë nga vrima e çelësit të burgut nuk mund të fshehë disa të vërteta që flasin më shumë se i burgosuri Erjon Veliaj. Përse kanë frikë nga media dy prokurorët e posaçëm? A janë këta prokurorë ajka e akuzës shqiptare? Çështja “Veliaj” zhvesh nga një mit i rremë dy pishtar-mbajtësit e SPAK
Seanca maratonë e ditës së djeshme, në sallën e mbyllur të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, përfundoi me shtyrjen e dhënies së vendimit nga gjyqtari Engert Pëllumbi.
Prova të reja u paraqitën nga dy prokurorët e SPAK, Altin Dumani dhe Ols Dado. Avokatët e Erion Veliajt kërkuan kohë të njihen me to.
Sot jepet vendimi pasi gjyqtari të dëgjojë fjalën e mbrojtjes së kryebashkiakut të kryeqytetit për këto prova dhe më pas të vlerësojë nëse Erion Veliaj dhe të tjerët do të qëndrojnë në pozitat që kërkon çifti i prokurorëve 2D, apo do të vendosë ndryshe.
Nga kronikanët pranë opozitës, me lidhje të natyrshme me opozitarët që punojnë brenda në SPAK, doli lajmi që supozohet të jetë Top Sekret: Erion Veliaj është përgjuar dhe regjistruar brenda në burg.
Nëse me zë e me figurë, nuk dihet saktë, por është përgjuar teksa ka urdhëruar dhe dirigjuar sulme ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve.
Kronikanët e opozitës treguan vetëm 3 orë pasi mbaroi gjyqi, detaje të përgjimeve, sikur t’i kenë pasur vetë kufjet në vesh. Prokurorët 2D kanë dëgjuar Veliajn të përmendë në dirigjimin e sulmeve emra bosësh të medias kombëtare dhe gazetarë të njohur.
Konkluzioni i prokurorëve dhe i kronikanëve që flasin me ta dhe për ta është: Veliaj ose duhet të qëndrojë në burg për këtë, ose po doli “dirigjimi” ka pasur efekt, Engert Pëllumbi është intimiduar.
Përse janë kaq banalë fuksat e hemisferës së SPAK?
Kronikanët e opozitës përpiqen të mbajnë gjallë mitin e SPAK-istëve anti-Veliaj me çdo kusht, duke shtyrë mbi kolegët e tyre që nuk fuksojnë në dyert e SPAK. Sikur të ishin hasmit e medias e jo pjesë e saj, këta kronikanë përpiqen t’i hedhin benzinë dhe shurrë zjarrit të debatit publik.
“Përse përmendet vetëm Ols Dado dhe jo Altin Dumani, keni frikë eee?!” Ky konstatim banal është fiks sa dimensioni i marrëdhënies që kanë krijuar fuksat mediatikë me ata të SPAK. Se duhet të jesh fuks që të mendosh e të veprosh si i tillë. A i mbani mend fuksat e kohës së Enverit?
Nga dëshira për t’i ruajtur sa të mundeshim dinjitetin institucionit SPAK që e kemi lëvduar edhe pa shkak, heshtëm për shumëçka. Kërkuam të heqim vetëm dhëmballën e prishur- Ols Dadon!
Por kjo nuk ishte frikë, por dëshirë për të besuar se Altin Dumani ishte “qorruar” nga dashuria për shokët e luftës anti-korrupsion dhe ndonjëherë “burri e merr vesh i fundit për atë çka flet gjithë lagjja për gruan e tij…!”.
Por Altin Dumani e dinte mirë kush është Ols Dado dhe e zgjodhi pikërisht se ishte i tillë. Çështja “Veliaj” dhe jo Erjon Veliaj i nxori çullak të dy në sheshin tonë publik.
Po! Erjon Veliaj ka porositur median të sulmojë prokurorët dhe gjyqtarin që e burgosën dhe media e blerë me paratë e “inceneratorëve” zbatuan direktivat e tij që u dhanë nga burgu.
Çfarë urdhëroi Erjon Veliaj? – Sulmoni Ols Dadon.
A janë të pavërteta sulmet dhe faktet ndaj këtij prokurori?
A është i pavërtetë fakti që Ols Dado u emërua prokuror pa plotësuar asnjë kriter ligjor?
Pa asnjë haber në profesionin e hetimit, vetëm me disa eksperienca qesharake jashtë fushës së tij, Ols Dado u emërua prokuror më 21.11.2008. Ina Rama ishte kumbarja e tij, në 2008, në 2018, 2021, 2022 dhe 2024. A nuk është e vërtetë? Është gënjeshtër kjo karrierë bosh?
Si u emërua prapë me hile në SPAK? Si e kaloi KLP? Si e propozoi Altin Dumani duke eliminuar disa kandidatë të tjerë me magjistraturë? Kush e paraqiti si “kandidat” që e duan amerikanët?
A është i pavërtetë fakti që Ols Dado është katapultuar me mision të përcaktuar në SPAK?
A është i pavërtetë fakti që ka lënë studimet në Shqipëri për të ndjekur një kurs 3-mujor filozofie në Greqi? Po shpif media apo vetëdeklarimi i tij? Kjo nuk të bën grek, por nuk të bën të mos dyshosh, apo jo?! A di greqisht Ols Dado?
A është i moralshëm prokurori Ols Dado? Nëse ka synuar aq shumë të denigrojë figurën e Erjon Veliajt dhe gruas së tij, Ajola Xoxa, në hetim e sipër, pikërisht duke nxjerrë si padashje imoralitet, a është vetë dashnor i moralit të pastër, ashtu si e kërkon detyra e një prokurori të SPAK?
Përse është divorcuar me noteren Gentiana Bardhoka? A ka pasur marrëdhënie me prokuroren Ina Rama? Sa kohë dhe si? Po me magjistraten Xhoana Mehmetaj? Po me gjykatësen Manjola Bejleri?
Nëse shihen “qelizat” telefonike të këtij prokurori të moralshëm me këto femra/emra, ku do të dalë vendndodhja e moralit, në Golem apo diku tjetër?
Sa prona ka Ols Dado? Sa shumë e mbrojti KPK për të mos nxjerrë të vërtetën e “kulakut” të SPAK?
A di të sillet në sallën e gjyqit Ols Dado? A di të komunikojë? Nëse jo, përse është në atë detyrë?
Nëse nuk di greqisht, nëse nuk ka moral, nëse ka fshehur prona, nëse nuk kishte asnjë ditë hetim kur u bë hetues, nëse u përzgjodh si “amerikan” nga dora e Dumanit, atëherë, përse duhet të jetë ky prokuror që të na numërojë shufrat me flori që ka vjedhur Erjon Veliaj?
Një maskaradë e ngjashme edhe për Erjon Banin. Nuk ka asnjë lidhje me goditjen e një familjeje të ndershme që punoi dhe rriti një magjistrat model. As me faktin se Ramizi dhe Irfaneja, babai dhe nëna e Erjon Banit, u bënë “grekë”, duke ndërruar emrat si mijëra shqiptarë. Jani dhe Eleni nuk kanë asnjë faj, se grekët nuk i pranonin çamët dhe myslimanët shqiptarë mes tyre.
Por Bledar Bani ka faje në kurriz, ka dënim dhe, Erjon Bani, nëse gjykon vëllanë e Erjon Veliajt, duhet të jetë pa asnjë njollë për vëllanë e tij. Sepse është gjyqtar i GJKKO, i elitës së gjyqësorit shqiptar.
Erjon Bani duhet të jetë i pastër edhe për veprimet e xhaxhait të tij, Stivi Bani, apo xhaxhit tjetër, Dario Bani. Nëse ata janë sekserë të “Shkodrës” dhe kontrabandistë të Qafë Botës, përse vlen të gjykohet familja apo kushërinjtë e Ajola Xoxes?
Nuk ka asnjë rëndësi se çfarë rrethi farefisnor ka një gjyqtar, por nëse 10 kushërinj të parë e të dytë janë grekë me dokumente, atëherë si do të gjykonte për një çast gjyqtari “kushtetues” Erjon Bani për detin Jon? Do t’i takonte Shqipërisë apo Greqisë?
A duhet të ishin të pastër gjykuesit dhe hetuesit e Erjon Veliajt? Të pakapur nga asnjë grackë morale ose profesionale?!
Altin Dumani ka krijuar një aureolë drejtësie dhe ndershmërie rreth pamjes së tij të drojtur.
Duket sikur askush s’mund të thotë diçka për të, asgjë nuk e cenon, as në Amerikë, as në Shqipëri. Por a është ky drejtues i SPAK kaq i ndershëm sa të mbajë nën sqetull pikërisht kungullin bosh e të mos e dijë?
Ols Dado dhe Altin Dumani shkruajtën pretencën: “Blerjet online konsistojnë në veshje personale, fustane, bluza, çanta, funde, pallto, produkte kozmetike, buzëkuq, vathë, etj., në masën 86,721,175 lekë.”
Përse nuk i numëruan të gjitha? Zhartiere, reçipeta, geta, manikyr, makinë depilimi, tuta sportive, le t’i numëronin të gjitha…
Nesti Angoni ka treguar shumë më tepër, por si erdhi Nesti Angoni te Altin Dumani? Me email, me këmbë, me postë, si? A mund të na e thotë këtë ashtu si tregohen detajet e sallës së mbyllur vetëm një orë pasi mbyllet gjyqi?
Nesti Angoni “informoi” apo “kallëzoi”? Në 19 korrik 2023?
Në 19 korrik 2025 do bëhen dy vjet dhe gjyqi “Veliaj” nuk do ketë filluar e jo më të ketë përfunduar.
Përgjimi në burg po mundohet të mbajë në burg “hetimin” – më shumë se Erjon Veliajn.
Kush janë këta prokurorë që duan të kacavirren pas mureve të Bashkisë Tiranë, për të zgjatur një karrierë të dhuruar nga ne?
Miti i tyre sot ka rënë. Përgjegjësia jonë si media është të zbardhim të vërtetat e godinës që kërkon të mbajë me përdhunë brenda fate politike! Por edhe më shumë se kaq…