Gjykata Supreme amerikane nuk pranoi të merrte në shqyrtim një apel nga Shkelzën Berisha, i biri i ish-kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha, në lidhje me padinë e tij për shpifje mbi akuzat për korrupsion kundër tij të bëra në një libër të vitit 2015 nga autori Guy Lawson të quajtur “Arms and the Dudes”. Në bazë të librit, u bë filmi i vitit 2016 i Hollivudit “War Dogs” me aktorët Jonah Hill dhe Miles Teller.
Një gjykatë më e ulët vendosi në favor të zotit Lawson, shtëpisë botuese të librit Simon & Schuster dhe disa të pandehurve të tjerë sepse arriti në përfundimin se Shkëlzen Berisha nuk ishte në gjendje të argumentonte se akuzat për përfshirjen e tij në një skandal të tregtisë së armëve në Gërdec, ishin bërë me “keqdashje të qëllimshme”.
Shkëlzen Berisha paditi zotin Lawson dhe të pandehurit e tjerë në gjykatën federale në vitin 2017 për disa fragmente të shkurtra në librin e zotit Lawson, i cili përshkruan se si tre “djem drogaxhinj” nga Miami Beach siguruan një kontratë prej 300 milionë dollarësh nga Departamenti i Mbrojtjes në vitin 2006 për të furnizuar me municion ushtrinë afgane, dhe u përpoqën ta realizonin atë duke siguruar armë nga rezervat në Shqipëri.
Libri flet për marrëdhënie mes tyre dhe një mafie të lidhur me qeverinë shqiptare. Sipas librit, Shkëlzen Berisha ishte i pranishëm në një nga takimet, dhe ai përshkruhet me “flokë të errët, një mjekër të rrumbullakët dhe sy si peshkaqen” si edhe akuzohet si pjesë e aferës të korruptuar të tregtisë së armëve.
Të tre personat nga Miami u dënuan në Shtetet e Bashkuara me akuza federale për mashtrim.
Në vitin 2020, Gjykata e Apelit e Qarkut të 11-të me bazë në Atlanta e hodhi poshtë padinë. Gjykata arriti në përfundimin se Berisha nuk mund të sfidonte lirinë e shprehjes për të pandehurit e akuzuar për shpifje nga zyrtarë publikë ose figura të njohura, të mbrojtur nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara. Kjo mbrojtje ishte garantuar nga një sërë precedentëve të Gjykatës së Lartë që datojnë që nga vendimi New York Times ndaj Sullivan i vitit 1964.
Në apelin e tij në Gjykatën e Lartë, Shkëlzen Berisha kishte argumentuar se ato precedentë duhej të ndryshonin dhe duhej ta kufizonin standardin “për keqdashje të qëllimshme” vetëm për zyrtarët publikë. Gjë që s’u mor parasysh.
VENDIMI I PLOTE: Vendimi