Një ngjarje e rëndë raportohet të ketë ndodhur këtë të martë në Pejë të Kosovës, ku bashkëshorti ka ekzekutuar me armë zjarri gruan e tij.
Autori i ngjarjes është shtetasi Edmond Lajçi, i cili është arrestuar nga policia e Kosovës.
Viktimë ka mbetur shtetasja Gjyljeta Ukella, e cila prej 20 vitesh ishte pjesë e drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në komunën e Pejës, ku punonte si asistente e stomatologut në Poliklinikën Stomatologjike.
“Të tronditur thellë nga vrasja makabre e koleges tonë,punëntores shëndetësore te stomatologjisë të ndjerës Gjyljeta Ukella.
E ndjera Gjyljetë per dy dekada shërbeu si asistente e stomatologut në Poliklinikën Stomatologjike në Pejë.
Do të mbetet ne kujtimet e secilit koleg për punën dhe dhe urtësinë që e ka karakterizu përsonalitetin e Gjyljetes”, thuhet në reagimin e drejtorisë së shëndetësisë.
Mësohet se çifti ka tre fëmijë, ndërkohë që nuk dihen ende motivet e ngjarjes. Kryeprokurori i Pejës, Agim Kurmehaj, ka thënë për mediat në Kosovë, se hetimi për zbardhjen e ngjarjes është në vijim e sipër.
Kujtojmë se brenda pak ditësh ky është rasti i dytë në Kosovë, i vrasjes së gruas nga bashkëshorti.
Më 12 prill, u vra 21-vjeçarja Erona Cokli, brenda zyrës së qendrës për Punë Sociale në Ferizaj, nga ish- bashkëshorti i saj Valon Aliu.