Një tjetër skandal është vërejtur në dosjen hetimore të hartuar nga prokurori Ols Dado. Në të gjitha mediat e PD dje, u pompua lajmi se në faqen e parë të dosjes shkruhej se kryebashkiaku Erion Veliaj është “i dënuar”, me shënimin “sipas Çertifikatës Elektronike të gjendjes gjyqësre me Nr. 5488 Prot., datë 23.01.2025 të gjeneruar nga hetuesi i Byros Kombëtare të Hetimeve, e cila gjendet në fashikullin 63”.
Ky detaj çuditi jo pak njerëz sepse Erion Veliaj nuk ka qenë kurrë i dënuar më parë, as për veprën e shpifjes. Shumë shpejt u botua edhe dëshmia e penalitetit e kryebashkiakut, e cila dilte e pastër me mbishkrimin “I Padënuar”.
Atëherë çfarë ka ndodhur? Misteri u zbulua në sallën e gjyqit këtë të mërkurë, ku vetë prokurori Ols Dado ka shpjeguar se bëhet fjalë për një lapsus.
Pra, që në faqen e parë të dosjes së Veliajt ka një gabim të rëndë dhe qesharak njëkohësisht nga prokurori hartues i dosjes, që hedh dyshime të mëdha mbi të gjithë çështjen.
Ky është një fakt që të bën të kuptosh shumë mbi seriozitetin me të cilin janë zhvilluar hetimet ndaj Veliajt, duke hedhur dyshime të forta për gjithë procesin e nisur me gabime trashanike që në faqen e parë, por edhe për dëshirën e prokurorit për ta shpallur fajtor Veliajn ende pa nisur procesi i gjykimit.