Nga Luan Rama
Bota e arkivave shpesh herë na ofron surpriza të mëdha që kanë të bëjnë me historinë. Një pjesë e madhe e ngjarjeve kanë mbetur enigmë, pasi kronistët nuk i kanë shkruar apo kronikat e tyre janë zhdukur në kohë luftrash dhe nuk kanë mundur të flasin.
Të tjera kanë mbijetuar dhe herë pas here, janë historianët ata që na i zbulojnë duke na ofruar fakte e imazhe të jashtëzakonshme. Shumë prej tyre, përsa i përket historisë së vjetër shqiptare ka mundur të na i ofrojë Injac Zamputi, një nga shkencëtarët tanë të shquar e që në heshtjen e tij bëri të mundur përkthimin e shumë dokumenteve të shekujve XV-XVII, të botuara në vëllimet «Dokumente të shekujve XV-XVII për Historinë e Shqipërisë».
Në një nga këto histori ai i referohet udhëtimit të ish ambasadorit venecian Lorenzo Bernardo nëpër Shqipëri në vitin 1591, raportin e të cilit (vetëm një pjesë), të botuar në «Monumenti Storici – Deputazione di storia Patria», e ka përkthyer nga italishtja në anglisht dhe miku ynë i paharruar Robert Eltsi. Një udhëtim i përshkruar në mënyrë pasionante e me shumë detaje që na zbulon pamje të panjohura të Shqipërisë së fundit të shekullit XVI.
Atë vit, ish ambasadorin Lorenzo Bernardo, Këshilli i të Dhjetëve, një organizëm i lartë i Republikës Serenissima për mbrojtjen e Republikës, vendosi ta dërgojë në Konstantinopojë në mënyrë që ambasadori Lippomano, që ndodhej atje qê prej njê viti, të kthehej në Venedik dhe të gjykohej në Venecie për tradhëti të lartë. Në fakt Këshilli e kishte dënuar me vdekje dhe misioni i Bernardos ishte tepër i fshehtë.
Bernardo e dinte se po ta merrte vesh ambasadori Girolamo Lippomano, ai mund të fshihej dhe të kalonte në anën e spanjollëve, kundërshtarëve të venecianëve. Kështu, në 26 prill të vitit 1591, hipur në nje anije veneciane dhe I shoqëruar nga një truprojë e Venedikut, ish ambasadori Bernardo iu drejtua brigjeve të Ilirisë duke zbritur nga Dalmacia drejt Shqipërisë, e cila dikur ishte veneciane.
Në shënimet e tij të udhëtimit, ai shkruan se në 7 maj, me anijen e tij Leona di Lord Paolo ka arritur në gjirin e Kotorrit ku takon stradiotët shqiptarë në ”Fortesa stratiotes». «Atje mësuam se mund të kalonim nga Lezha ku mund të merrnim pastaj rrugën drejt Shkodrës e në vijim drejt Sanxhakut”. Më 8 dhe 9 maj, me galerën “Calba” ai vazhdon udhëtimin dhe më 12 maj është në Budva dhe që andej zbret në Ulqin për tu drejtuar pastaj Shëngjinit.
Pikërisht atje atë e njoftojnë se rruga që mendonte të merrte drejt Dukagjinit ishte e rrezikshme sepse kishin shpërthyer kryengritjet e shqiptarëve kundër turqve. Më së fundit ai i të marrë një itinerar tjetër: të nisej drejt Elbasanit për të vazhduar pastaj drejt Selanikut dhe që andej të ngjitej drejt Konstantinopojës perms rrugës tokësore, pasi me anije, udhëtimi i tij mund të diktohej dhe në Konstantinopojë mund të merrej vesh.
Në ditarin e tij ai shkruan se një kalorës i quajtur Pietro Volvizza, mesa duket venecian, ishte gati ta shoqëronte bashkë me dy jeniçerë. Përmes tij, u bisedua me një aga turk të cilit i bënë dhurata të shumta, që të mund tu vinte në dispozicion jeniçerët si dhe 40 kuaj me pagesën e 90 aspers për çdo kalë deri në Elbasan.
«Me mikun tonë Pitkoviç do vinte dhe një kalorës shqiptar i quajtur Toma Pelesa. Meqënëse kjo rrugë përdorej pak, shansi është i vogël që lajmi i udhëtimit të shkojë para nesh në Konstantinopojë. Më 13 maj, Spinelli (drogmani) solli me anije dy jeniçerët. Pazari ishte bërë…»
Kështu, më 14 maj nis udhëtimi i vërtetë drejt Shëngjinit nga ku do të kalonin përmes Shqipërisë. «Pas dy orë udhëtimi mbërrijmë në derdhjen e Drinit. Lumi i quajtur nga banorët Lodrino, vjen që nga liqeni i Ohrit ku rriten krapë të mëdhenj siç janë dhe në liqenin De Garde… Sot Alessio (Lezha) është një kështjellë e vjetër dhe modeste, e ngritur mbi një kodrinë dhe rrethuat përreth me një tokë pjellore. Ka një mal që duket gjysmë milje larg. Në anën tjetër duket lumi që rrjedh rrëzë një faqeje shkëmbore.
Lumi rrjedh ngadalë përmes lëndinash anash tij, të cilat janë toka kënetore dhe me kallamishte. Anijet mund të tërhiqen me litarë. Diku në një shtëpi, ku ishin vëllezërit françeskanë, kremtuam meshën. Ata e kishin ngritur kishën në bregun përballë. Poshtë malit shtrihet qyteti i Lezhës ku gjendet dhe dogana, dhe ku udhëtarët e tregëtarët mund të kalojnë natën.
Dikur bëhej shumë tregëti por tani jo dhe aq pasi nëpër rrugë nuk ka asnjë siguri nga shqiptarët e Dukagjinit. Aty takuam veç dy tregëtarë venecianë: Zaccaria Colleoni nga Bergamo, i cili punon më vete si dhe për F. Soleri e po kështu dhe Alessandro Cocco që bën tregëti në emër të zotërisë së shquar Vettor Soranzo nga Merzaria. Në Shqipëri takuam dhe Domenico Surbi e Nicolo Grassa nga Lezha, i cili erdhi me një anije bashkë me Pastroviç. Janë njerëz që bëjnë tregëti me Venedikun, mjaft mikpritës dhe që na ndihmuan që nga nisja jonë nga Lezha.»
Kështu, më 15 maj, me trupën e ushtarëve për ta mbrojtur, ish ambasadorin në udhëtimin e tij të gjatë, karvani me 40 kuaj në shërbim të venecianëve të armatosur dhe për bagazhet e shumta, niset drejt jugut. «U çuam dy orë para agimit. Harxhuam shumë kohë për përgatitjen e bagazheve. Në mesditë mbërritëm në Laç që ndodhet në rrethin e Krujës. Natën e kaluam tek Malcoz Aga, që është i të njëjtës familje me Mustafain, intendentin e Krujës, i ardhur nga Ulqini për të shoqëruar Ekselencën (Lorenzo Bernardo).
Qëndruam në një shtëpi në pjesën e poshtme të rrugës, por jo shumë larg. Udhëtimi prej 18 miljesh zgjati 5-6 orë. Në territorret muslimane rruga nuk matet me orë, apo me milje por me ditë. Rruga ishte e sheshtë dhe në gjendje të mirë. Nga ana e majtë, tutje, gjendeshin malet e Dukagjinit dhe në të djathtë ishte fusha që shtrihej gjatë 8 miljeve deri në breg të detit, pra ne gjirin e Lodrinos (gjirin e derdhjes së Drinit). Duke marrë rrugën drejt jugut rreth gjysmë milje më poshtë, në shumë vende, uji kishte përmbytur rrugën, meqë toka këndej është në një nivel më të ulët. Thonë se këndej ka gjithnjë ujë e ndodh që gjatë rrugës mbërrin deri tek gjunjët e kuajve. Më tej vazhduam gjate një milje dhe hymë në një pyll jo aq të dendur me plepa dhe kryesisht me frashër. Nëpër të kaluam gjatë dy orëve, pra gjatë 7-8 miljesh.
Kur dolëm nga pylli ramë në një fushë të mbjellë me grurë dhe tërshërë. Përgjatë një milje rrugë, në tri vende kaluam lumin e Matit. Ky lum ka një shtrat shumë të madh, çka i ngjan lumit Tagliamento dhe që rrjedh me shpejtësi. Ujët u ngjitet kuajve deri tek kofshët. Që nga shtëpia e Malcoz Agës ku kaluam natën, mund të shikohej deti dhe rrethinat që formojnë gjirin e Drinit, kepin e Ulqinit dhe kepin e Rodonit. Duhet shkruar se Lezha ishte në një gjendje të mjerë ku s’kishte as bukë e as verë për të blerë dhe ku gjithashtu s’mund ta kaloje natën atje. Meqë ishim njoftuar për këtë, që më parë ne i kishim marrë masat.
16 maj. U ngritëm dy orë para se të agonte dhe një orë më pas u hipëm kuajve duke kalëruar gjatë 4 orëve. Ndaluam të drekonim në një fushë. Karvani përparoi dhe dy milje më shumë dhe pastaj zbarkoi bagazhet në mënyrë që kuajt të shlodheshin. Pushuam gjatë një orë e gjysmë dhe u hipëm kuajve duke shoqëruar karvanin gjer në shtëpinë e kaporalit të ushtrisë të fshatit Shën Gjon ku arritëm rreth orës dhjetë të darkës.
Të nesërmen në mëngjes, duke zbritur nga një shpat ku kaluam natën vazhduam përpara duke lënë pas fushën e Matit në të djathtën tonë. Vazhduam përgjatë malit të mbuluar me lisa të mëdhenj, ku na u desh dy orë ta kapërcenim. Pylli quhet Shpërdhet. Kapërcyem dy përrenj të vegjël si dhe një të madh, lamë pyllin pas dhe hymë në fushën e madhe e të famshme të Skënderbeut, të quajtur Tirana. E rrethuar nga malet e Krujës, Tirana është një qytet fisnik i Shqipërisë që dikur ka qenë nën pushtetin e venecianëve.
Tani eshtë nën pushtetin e sanxhakut të Ohrit. Në malet e Krujës mund të shquash qytetin si dhe kështjellën që banohet ende. Në të djathtë të fushës, majë maleve, dallohet fortesa e Prezës. Siç më thonë, njerëzit atje janë të fortë dhe të shëndetshëm dhe kur konvertohen në turq bëhen kalorës të famshëm. Pas një ore, përmes fushave, kapërcejmë me va një lumë të quajtur Tërkuza, i cili zbret nga kanioni i maleve të Krujës i quajtur Gamera. Pranë vendit ku kaluam natën, kapërcyem një tjetër lum por më me pak ujë.
Lumi i Ishmit rrjedh nga mali ku gjendet fortesa e Prezës, rreth 12 milje nga Rodoni. Ai derdhet në det, në gjirin e Drinit. Përgjatë këtij lumi, shqiptarët kishin zakon të transportonin sasi të mëdha drithi, i cili dërgohej në Rodon për ta transportuar pastaj në vendet kristiane. Vetëm 18 vjet më parë, sulltan Selimi, babai i perandorit aktual të turqve, në këtë vend ndërtoi një fortesë dhe prandaj quhet Ishëm. Fortesa shërbente që ti mbante njerëzit të nënshtruar dhe të ndalohej tregëtimi i grurit. Në udhën e sotme ne kaluam në tre fshatra: në Gjonëm, (pranë Mamurrasit) para se të hyjmë në pyll; në Rrudhë, një fshat që gjendej në pyll si dhe një fshat tjetër, i quajtur Dervent, në fund të pyllit.
Veç tyre ka dhe shtëpi private të cilat i pamë majë kodrinave. Në të majtë të kodrinës është fshati Zheja, banorët e të cilit njihen si hajdutë, pasi ata zbresin nga pylli dhe plaçkisin apo vrasin udhëtarët, të cilët janë të pakët. Kështu hajdutët e ndjejnë veten në siguri. Para se të hyjmë në fshatin e Tiranës, në fushën Povaza kaluam një pyll të vogël. Kur e lamë atë ramë në një burim me ujë të ftohtë. Disa prej nesh filluan të marrin ujë si dhe të freskonin karvanin e kuajve. Dje dhe sot jemi pikëtakuar me shumë karvane me kuaj të ngarkuar me grurë të cilët kanë marrë rrugën drejt Lezhës.
Ky grurë vjen nga Struga, një qytet në Bullgari, në kufirin shqiptar , tre ditë rrugë që këndej. Mbi çdo kalë ngarkohen dy “stara” veneciane dhe në të gjithë karvanin 500 stara. Ekselencën Bernardo e këshilloi dhe udhëtari Zuane Bolizza nga Kotorri, i cili do të vinte nga Elbasani që të blinte drithëra për Venedikun e kështu jo vetëm do të fitonte por njëkohësisht do bënte një të mirë për popullin dhe kështu do të çmohej nga ata, meqë drithi tashmë është bërë diçka e rrallë. Drithi blihet në Strugë për 2 “talers” e gjysmë thesi dhe në Lezhë mund të blihet me një stara veneciane.
17 maj. U hipëm kuajve dhe një orë para agimit arritëm në Elbasan veç dy orë pasi kishte rënë nata. Kjo ditë ishte një ditë tmerrësisht e lodhshme pasi gjatë 17 orëve udhëtuam me kuaj dhe rruga ishte në gjendje të keqe. Rruga u bë e keqe veçse tre orë pasi kishim lënë fushën e Tiranës. Më tutje kaluam fortesën e Petrelës, e cila ngrihet majë një mali në të djathtë. Në majë, për nga lindja kishte një bastion në formë gjysmë-hene, dhe sipër, ballë tij ngrihej mali. Poshtë fortesës rridhte lumi i Erzenit të cilin e kaluam me një va. Uji është i kthjellët dhe shtrati poshtë ka gurë të bardhë.
Ndoshta nga kjo dhe quhet Erzen, argjend. Në Petrelë, ku për herë të parë depërtojmë mes maleve, rruga bëhet e vështirë. Sa më shumë ngjitemi aq më e keqe bëhet rruga. Shtigjet, në ngjitje e zbritje, janë të ngushta dhe është i vështirë kalimi i bagazheve. Në disa vende, shoqëruesit duhet ti transportojnë me krahë. Elbasani është një qytet i sheshtë dhe ka shumë mure të vjetra. Sanxhak-beu i provincës jeton këtu. Quhet Mehmet Bej dhe është vëllai i një fisniku persian që gjatë luftës së fundit iu nënshtrua sulltanit turk. Ekselenca Bernardo i bëri vizitë duke marrë me vete dhuratat e zakonshme në mënyrë që ti kërkonte ndihmë dhe njerëz për ti shoqëruar e që kështu të ishin të sigurtë. Plot mirësi ai e pranoi kërkesën tonë. Ky vend është një qendër tregëtie lëkurash dhe i leshit. Ngado ka karvane. Pranë qytetit rrjedh lumi Egnede (Zaranika?) që duhet kaluar dy herë para se ne të hyjmë në qytet.
19 maj. Dje dhe sot jemi vonuar në Elbasan për të gjetur kuaj të tjerë për të shkuar në Selanik. Ekselenca parapëlqeu këtë rrugë dhe jo atë që shkon drejt Shkupit, sepse sipas informacioneve të marra, kjo është rruga më e shkurtër, më e mirë dhe më e sigurta. Mësuam gjithashtu se sanxhak beu i Shkodrës ishte hequr dhe kishte marrë po këtë rrugë për të shkuar edhe ai në Konstantinopojë. Gjatë ditës së sotme ra shi dhe pati një furtunë të fortë e cila zgjati.
E djelë, 20 maj. Ne e lamë Elbasanin dy orë pas agimit meqë problemin e kuajve nuk e zgjidhëm më parë. Të shoqëruar gjatë gjithë kohës nga një stuhi e tmerrshme, në orën nëntë të darkës arritëm në fshatin e quajtur Dardha. Nga Elbasani përshkuam rreth 3 milje në një terren të sheshtë por pas kësaj rruga ishte në gjendje të keqe, me kanione shkëmbore, male dhe pyje. Kapërcyem lumin e Shkumbinit me një shtrat të gjerë ku uji rrjedh me shpejtësi. Gjatë rrugës, qëndrojmë në një shtëpi shumë të keqe që e kishin ca fshatarë të varfër. Nuk kishte as bukë e as verë për të pirë. Sot gjatë udhëtimit, bagazhet janë mbajtur pothuaj gjatë gjithë kohës nga shoqëruesit, pasi rruga ishte shumë e keqe.
E martë 21 maj. U nisëm nga Dardha një orë pas agimit dhe arritëm pastaj në Prrenjas, pak para mesditës që të mund të drekonim. Nuk kishte as karvane e as bukë por këtu mundëm të gjenim verë. Rruga ishte malore dhe e vështirë por jo aq siç ishte më parë. Kaluam nëpër një luginë të bukur duke kapërcyer përsëri Shkumbinin mbi një urë duri. Pasi lamë Prrenjasin shkuam drejt një fushe të gjerë. Pastaj duke kaluar malin, arritëm në një vend të mrekullueshëm dhe të hapur ku që në fillim mundëm të shihnim liqenin e Ohrit. Në orën dhjetë të darkës mbërritëm në Strugë. Natën e kaluam në një vend të quajtur Jakuf. Aty hëngrëm ngjala tepër të shijshme të këtij liqeni ku ka dhe krap. Në Strugë gjetëm verë të mirë dhe një han për kuajt tanë. Edhe pse Strugën e quajnë qytet, ai më shumë i ngjan një fshati dhe është kolonia e parë bullgare sapo kaluam Shqipërinë. Përmes Strugës rrjedh një lumë i vogël që duket se buron nga Ohri. Eshtë burimi i lumit Drin i cili derdhet në Lezhë. Kapërcejmë një urë që ndan Shqipërinë me Bullgarinë. Para se të arrijmë në fushën e Strugës, shohim se ajo është e tëra e kultivuar. Bullgarët flasin gjuhë sllave dhe janë të ritit ortodoks. Lejlekët këndej i bëjnë foletë e tyre në çatitë e shtëpive. Të gjithë banorët i respektojnë zogjtë dhe besojnë se ato u sjellin fat shtëpive të tyre…”
Më pas, në 22 maj karvani i ambasadorit niset drejt Prespës dhe merr drejt Manastirit prej 1500 shtëpish, ku siç shkruan ai ka 200 shtëpi hebrenjsh, një kadi dhe shumë drithëra. Pikërisht në Manastir ata takojnë dhe rabinin hebre Samuel Namias. Më pas, marrin rrugën drejt Konstantinopojës duke ndeshur të tjera të papritura gjersa më së fundi gjenden buzë Bosforit, përballë Bririt të Artë ku tutje duken fortesat e kështjellës së Konstantinopojës që më shumë se një shekull më parë kishte rënë në duart e ushtrisë turke.
Tregimi i këtij udhëtimi përmes fakteve të përshkruara plot detaje nga ish ambasadori Lorenzo Bernardo në raportin e tij dorëzuar Senatit venecian, të ngjan si një film më vete për rreziqet dhe vështirësitë e atij udhëtimi të fshehtë përmes maleve shqiptare. Bije në sy diplomacia e zotit Bernardo që me arritjen e tij në Konstantinopojë. Që në fillim ai i bëri të qartë Lippomanos se duhej të kthehej me të në Venecia për t’iu përgjigjur një hetimi rreth punës së tij. Padyshim ishte fjala e sekreteve që u kishte dhënë spanjollëve si dhe korrupsionit me drithërat që Venediku blinte nga Lindja. Disa ditë më pas zoti Bernardo mori udhën detare drejt portit të Venecies, në Rialto, ku Lippomanon e priste gjykimi dhe vdekja e paralajmëruar.
Të gjitha detajet dramaturgjike ekzistojnë në letër dhe në këtë tregim janë plot me suspens. Padyshim fantazia të ngacmohet shumë nga ai dekor i përfytyruar dhe aq interesant, që me nisjen e tij dhe hyrjen në gjirin e Lodrinos (Drinit), siç e gjejmë të shkruar në hartat e vjetra të kartografit të famshëm Coronelli, ashtu dhe të udhëtimit nëpër fushat dhe malet shqiptare që nisën nga Petrela dhe vazhduan nëpër grykat e Shkumbinit për të përfunduar në gjirin e Bririt të Artë ku banonte ambasadori Girolamo Lippomano, pranë kullës gjenoveze Gallata, pikërisht në lagjen Pera ku ndodheshin pëfaqësuesit europianë pranë oborrit të sulltanit. Megjithatë, gjatë kthimit, duke kuptuar se ndëshkimi ndaj tij ishte i pashmangshëm, sapo anija iu afrua Venecies dhe tutje u shfaq Arsenali i ndërtimit të anijeve, ambasadori Lippomano bëri përpjekjen e fundit: arriti të hidhej nga anija në det ku dhe gjeti vdekjen, duke e shmangur kështu ndëshkimin publik të Senatit. Kjo ngjarje bëri zhurmë në Venedik si dhe në vendet e tjera. Disa kronistë thonë se Lippomano tentoi të vriste veten por atë e burgosën, e tortutuar dhe pastaj kufomën e tij e hodhën në det. Megjithatë Bernardo ishte dëshmitari okular i kësaj ngjarje dhe më i besueshmi për vdekjen e ambasadorit qê për para tradhëtoi interesat e Republikës së tij.
Ky ishte në fakt misioni i fundit i ish ambasadorit Bernardo, pasi një vit më vonë, në moshën 58 vjeçare, më 5 maj të vitit 1592 ai vdiq. Kjo histori, ne shqiptarëve na jep një mundësi për tu njohur akoma më shumë me historinë dhe gjeografinë shqiptare të asaj kohe, me epokën që përjetonte Shqipëria pas shkretimeve të mëdha që ishin bërë nga turqit gjatë një shekulli ku jehona e qëndrimit heroik të shqiptarëve me në krye Skënderbeun ishte ende i gjallë. Antropologët e sotëm gjejnë padyshim detaje interesante, imazhe që sot nuk ekzistojnë, emra vendesh që gjatë shekujve kanë ndryshuar, por këto përshkrime, si dhe ato të udhëtarëve të tjerë perëndimorë në Shqipëri gjatë shekullit XVI si Carlo Ranzo, Jean Calier apo më pas Marino Bizzi, Mariano Bolizza e të tjerë, na krijojnë një lloj afresku të botës shqiptare të atij shekulli, dekorin e vetë jetës, e cila, pas shkatërrimeve të mëdha po rilindëte si filizat e reja të pemëve në një tokë që ishte djegur e zhuritur.