Nga Altin Ketro
Po mbushen afro dy dekada ku Sali Berisha nuk lë rast pa ia përmendur Edi Ramës se është i biri i “xhelatit që vari në litar një poet nga Kukësi”. Ky lloj sulmi që Berisha i bën Ramës për të atin, nuk mund të mohohet që ka ngjitur në një pjesë të opinionit publik.
Ajo çfarë e bën interesant këtë situatë është se është krijuar njëfarë perceptimi se vërtetë autori i varjes në litar të poetit kuksian ka qenë Kristaq Rama. Por ky perceptim ndodh tek ajo pjesë e shoqërisë që as e ka njohur Kristaq Ramën, por thjesht besojnë verbërisht atë çfarë artikulon Sali Berisha.
Kristaq Rama ka qenë skulptor i talentuar që ka gdhendur dhjetëra monumente publike që dëshmojnë ngjarje madhore të së shkuarës sonë që ka kaluar nëpër luftëra me pushtues dhe ngadhënjimeve drejt pavarësisë apo çlirimit.
Ai as ka qenë hetues, as prokuror e as gjykatës i poetit të ndjerë. Bile, për ironi të fatit, as hetuesi që e ndoqi atë çështje, as prokurori që mbajti pretencën, as trupat e gjykatës së Faktit dhe asaj të Lartë që dhanë dënimin kapital, nuk përmenden kurrkund me emër.
Të vetmit që i del emri prej Sali Berishës në këtë çështje është Kristaq Rama. Në atë kohë Kristaqi ishte deputet në Kuvendin Popullor i cili zakonisht mblidhej vetëm 2 herë në vit. Pra, më shumë ishte një detyrë nderuese, ku regjimi i kohës, në atë Kuvend, dërgonte përpos individëve nga klasat punëtore e kooperativiste, edhe një shtresë intelektuale sa për të rritur disi nivelin kulturor të përbërjes së organit legjislativ të vendit.
Duke qenë se Kristaq Rama ishte një personazh i njohur në publik për shkak të profesionit të tij, ishte përzgjedhur në një trupë prej 15 anëtarësh të cilët përbënin Kryesinë e Presidiumit të Kuvendit Popullor, meqenëse në regjimin komunist nuk ekzistonte posti i Presidentit të Republikës, të cilin e zëvendësonte kjo Kryesi.
Kur kishte dënime kapitale nga Gjykata e Lartë, kjo Kryesi kolektive e Kuvendit kishte fjalën e fundit nëse të dënuarit me vdekje do i falej ose jo jeta.
Në rastin konkret, poeti kuksian, pasi ishte dënuar me vdekje nga Gjykata e Lartë, priste edhe vendimin e Kryesisë së Presidiumit. Ndër firmat që refuzoi faljen e jetës së poetit rezulton edhe ajo e Kristaq Ramës, por që në tërësinë e vet nuk ishte përcaktuese sepse me aq sa është botuar në shtyp, nuk rezulton që votat të jenë ndarë 7 kundër dhe 8 pro dhe ku në tetëshen pro të ketë ndikuar firma e Kristaqit. Edhe pa votën pro të Kristaq Ramës, poeti do të ishte varur gjithsesi.
Ngjarjet në fakt duhen analizuar në kohë dhe në hapësirë. Fundja, kush nga anëtarët e Presidiumit të Kuvendit do të vinte në diskutim një vendim që ishte marrë nga dy gjykata dhe të dilte mbi ato vendime e të thoshte se të dënuarit me vdekje do i falet jeta?!
Praktikisht i bie që kjo Kryesi, e cila refuzoi faljen, ta konsideronte të ashtuquajturin nga gjykata si “armik të popullit”, një person që nuk ishte i tillë, duke vënë kësisoj në dyshim gjithë procesin gjyqësor që ishte zhvilluar ndaj tij. E pamundur për atë kohë!
Bie në sy fakti se ata që e kanë publikuar vendimin janë fokusuar vetëm në këtë aspekt, por jo tek procesverbali i mbledhjes së Presidiumit. Nuk ka asnjë mundësi që gjatë asaj vendimmarrje të mos jetë diskutuar e debatuar nga secili anëtar i pranishëm vendimi i gjykatës dhe vota që kanë dhënë. Regjimi e kishe zakon që e dokumentonte me procesverbal çdo mbledhje që bënte. Ekzistenca e një procesverbali rreth kësaj mbledhje do kishte shumë rëndësi për të kuptuar se çfarë kanë menduar në ato çaste anëtarët e Presidiumit kur kanë refuzuar kërkesën për faljen e jetës së poetit.
E mira do të ishte që të botohej gjithashtu e gjithë dosja e poetit kuksian dhe publiku i gjerë të kuptonte që a kanë qenë poezitë e tij arsyeja kryesore që çuan tek dënimi i tij me vdekje, apo ato kanë qenë shkaqe plotësuese për të shkuar drejt tij!
Gjithsesi, duhet vënë në dukje se përmendja e emrit të Kristaq Ramës ndodhi pas ndarjes së tij nga jeta dhe siç është shprehur vetë i biri, kjo nuk i ka dhënë mundësinë atij që ta pyesë rreth rolit që i ati ka patur në atë çështje.
Sali Berisha padyshim që ka qenë në dijeni të atij vendimi të Kryesisë së Presidiumit qysh në të gjallë të Kristaq Ramës, por deri në atë kohë i biri, Edi Rama, pavarësisht se ishte një publicist i fortë në shtypin e kohës, nuk përbënte asnjë rrezik për pushtetin e Sali Berishës.
Në këto kushte Berisha nuk kishte leverdi të nxirrte në publik materiale për të cilat do të vinin në vështirësi kundërshtarët të tij sa kohë ata nuk përbënin rrezik pushteti. Pasi Edi Rama mori drejtimin e PS-së dhe nisi të faktorizohej si alternativë që do e rrëzonte nga pushteti Sali Berishën, ky i fundit e nxori në publik atë vendim për të bërë pis të atin e Edi Ramës, por ndërkohë synimi ishte dobësimi në sytë e publikut të vetë Edi Ramës.
Kush ka punuar dhe e ka njohur nga afër Kristaq Ramës, ka dëshmuar më se një herë se me atë mund të flitej lirshëm edhe për pakënaqësi ndaj regjimit. E, megjithëse kanë folur kundra regjimit në sy të Kristaqit, askush nuk ka pësuar gjë. Praktikisht i bie që Kristaq Rama nuk e ka kryer detyrën ndaj regjimit, ku si komunist që ishte, duhet të demaskonte çdokënd që shfaqte shenja që vinin në dyshim besnikërinë ndaj partisë.
Ky fakt domethënës i anashkalohet prej kundërshtarëve Kristaq Ramës, ndërkohë që përbën thelbin për të kuptur karakterin e tij të drejtë që në jetën normale, larg syrit të partisë dhe Sigurimit të Shtetit, ai i ruante miqtë, nuk i dekonspironte mendimet e tyre të rrezikshme për atë kohë. Bile, me këtë rast, duhet thënë se ai edhe rrezikonte veten, sepse kush jep garanci që ata që flisnin kundër regjimit të mos ishin provokatorë për vetë Kristaqin?!
Unë nuk mund të hyj sot në lëkurën dhe mendimet e Kristaq Ramës kur ai iu bashkua një trupe kolektive që lanë në fuqi vendimin e Gjykatës së Lartë. Ndoshta ai është treguar pragmatist dhe duke parë se të tjerët ishin pro, përse do duhej të bëhej ky flamurtar i daljes kundër, pasojat e një vote të tillë dihej se ku të çonin në një regjim diktatorial!
Ajo që di të them dhe e besoj fort, është se nëse i biri i Kristaq Ramës, nuk do ishte Edi Rama, kryetar i PS-së dhe kryeministër i Shqipërisë, as emri i Kristaq Ramës nuk do ishte përmendur në publik, as ai vendim nuk do e kishte parë ditën e botimit në shtyp. Bile, nëse Edi Rama do të ishte përkrahës i Berishës, ai vendim edhe do ishte asgjësuar.
Po më mirë që është bërë publik. U bë publik pas vdekjes së Kristaqit me qëllim që ai të mos kishte mundësinë që të mbrohej vetë, qoftë edhe moralisht. Por edhe këtu s’ka asgjë të keqe. E keqja është se kësaj Shqipërie i rri nëpër këmbë si një hije e zezë një personazh i cili disponon shumë vendime të tilla e me të tilla vendime (e dosje) mban nën shantazh shumë të tjerë që i binden më pas verbërisht. Në rastin e Edi Ramës kjo nuk ka funksionuar, sepse për fat të mirë, as ai dhe as i ati nuk kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, qoftë me hir e qoftë me pahir.
Nëse kanë merak fatin e keq të poetit, kishin kohë për 30 vjet t’u kërkon llogari hetuesve, prokurorëve e gjykatësve të kohës që dhanë ato vendime. Por jo, gjetën një të vdekur që nuk flet dot dhe e bënë tabelë qitje duke e përbaltur rast e pa rast, sa herë u duhet të sulmojnë të birin e tij kryeministër. Ky është një turp që duhet të marrë fund, por me njerëz si Sali Berisha nuk ke asnjë shpresë se heq dorë nga të tilla maskarallëqe. Mjerë ata që këto 30 vjet vijojnë të jenë ende nën shantazhet e tij me dosje Sigurimi, që ua mban mbi kokë si shpata e Demokleut, për t’ua “prerë” kokën atëherë kur “Arkivës” nuk do i hyjnë më në punë.