Kudo nëpër botë, 1 miliard njerëz mund të përfitojnë tani nga barazia martesore (martesat mes të njëjtit seks), që do të thotë se ata jetojnë në një vend ku martesat mes të njëjtit seks janë bërë të ligjshme.
Holanda kryesoi ndryshimin në vitin 2001, duke u bërë i pari vend që lejoi martesën mes të njëjtës gjini; 20 vende të tjera, kryesisht Amerika e Veriut dhe Jugut dhe Europa, e kanë pasuar atë.
Tony Pitman, një aktivist LGBT, kreu një analizë mbi barazinë martesore. Ai thekson se ne po “dëshmojmë një ndryshim historik në një shkallë vërtet globale”.
Shifra kuptimplotë prej 1 miliard u arrit në korrik 2016, kur nëntë shtete meksikane dhe qyteti i Meksikos ndoqën shembullin e vendeve të tjera të Amerikës Latine si Argjentina, Brazili, Kolumbia dhe Uruguai për të legalizuar martesën mes të njëjtit seks.
Në disa raste, kjo çështje ka ndarë opinionin publik të shteteve. Në Meksikë shumë shtete i kanë rezistuar martesës së të njëjtit seks, ndërsa Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda e Veriut nuk e lejojnë atë ende.
Vendimi i Gjykatës Supreme të Shteteve të Bashkuara në vitin 2015 garantoi martesën mes të njëjtit seks në të gjithë SHBA-në, duke i dhënë mundësinë e martesës mes të njëjtit seks mbi 320 milionë njerëzve.
Brazili i ofron mbi 200 milionë njerëzve këtë të drejtë, pasuar nga Franca me 67 milionë.
Megjithatë, ndërsa 1 miliard individë kanë këtë të drejtë të barabartë për t’u martuar, kjo përfaqëson rreth 14% të popullatës së botës.
Europa është vlerësuar si kontinenti më “miqësor me personat gej”. Një sondazh renditi 10 vendet më të mira të jetesës për personat LGBT dhe tetë prej tyre ishin në Europë.
Pavarësisht kësaj, Europa ka ende një rrugë të gjatë përpara se i gjithë kontinenti të mund të përshkruhet si “miqësor me personat gej”.
Siç tregon edhe Harta e Ylbertë 2016 nga ILGA (Lidhja Ndërkombëtare për LGBTI), disa vende, veçanërisht në Europën Lindore, kanë nivele të ulëta barazie.
Pitman thekson se të drejtat e LGBT, përfshirë martesën mes të njëjtit seks, po përparojnë në shumë vende me një ndryshim të përgjithshëm drejt një bote që është më e gatshme të përqafojë komunitetin LGBT.
Megjithatë, marrëdhëniet mes të njëjtit seks janë ende të paligjshme në më shumë se 70 vende dhe të ndëshkueshme me vdekje në dhjetë shtete.