Olsian Çela është emri më i përfolur për momentin për shkak të kandidaturës së tij për postin e Prokurorit të Përgjithshëm me mandat kushtetues. Magjistrati dorëzoi kandidaturën e tij në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Ai është njeriu që drejtoi për 4 vite me radhë prokurorinë për Krime të Rënda, kohë gjatë së cilës u goditën banda të fuqishme kriminale, synon në marrë në duar frerët e institucionit qendror të akuzës, që po e qeveris përkohësisht Arta Marku.
Po cili është profili i Olsian Çelës?
I konsideruar si ‘prokurori i dosjeve të forta’, e nisi karrierën e tij në drejtësi në vitin 2001, pasi u diplomua në shkollën e Magjistraturës. Fillimisht ushtroi detyrën e prokurorit në institucionin e akuzës në kryeqytet. Në 2004, u emërua prokuror tek Krimet e Rënda, institucion që e drejtoi për një periudhë katër vjeçare.
Është njohës i 4 gjuhëve të huaja. Prokurori Çela ka hetuar disa dosjet e bujshme, siç është Xibraka, apo grabitja në aeroportin e Rinasit në 2016, ku me firmën e tij në kërkim ndërkombëtar është Aleks Pepa. Më herët, ai hetoi për masakrën e Kartodromit apo grupin e Niklës.
Çela prej vitesh është anëtar bordi në shkollën e magjistraturës dhe pedagog në dy universitete. Olsian Çela është pika e kontaktit e Eurojust në prokurorinë Shqiptare. Përgjatë viteve ka është trajnuar në disa vende të Bashkimit Europian dhe shtetet e Bashkuara të Amerikës, për çështjet e krimit të organizuar.