Një nga lojtarët më të rëndësishëm të Kombëtares dhe futbollit shqiptar, personi që po bën histori edhe në drejtimin e klubit kryeqytetas të Lacios, Igli Tare, në një intervistë ekskluzive me moderatoren Enxhi Biba në emisionin “Sport News” në “News 24”, ka komentuar kuqezinjtë për ndeshjet e shtatorit, brezin e artë që ka tashmë nën drejtim Reja, si dhe shumëçka lidhur me futbollin rreth Shqipërisë.
Tare evidenton lojtarët më të spikatur në syrin e tij për brezin aktual, që mund të bëjnë diferencën me talentin e tyre.
Si e vlerësoni Kombëtaren për ndeshjet e muajit shtator, nga humbja e thellë në Poloni te fitoret me Hungarinë e San Marinon?
Unë do ta vlerësoja thjesht si një fotografi e momentit, shumë e bukur. Kjo është diçka premtuese, shpresëdhënëse, sidomos për dy ndeshjet e radhës që janë vendimtare për përfundimin e këtyre eliminatoreve. Besoj që në ndeshjen me Poloninë pamë disa shkëndija të potencialit që ka skuadra jonë, por detajet bënë shumë diferencën, sidomos kur luan përballë lojtarëve të një kalibri botëror si Levandovski. Mbi të gjitha, edhe në një ambient elektrizues, në bazë të momenteve të golave që ishte në Varshavë. Për ndeshjen e dytë me Hungarinë, më pëlqeu shumë shpirti i skuadrës, sepse e kishin kuptuar rëndësinë e ndeshjes dhe mënyra e interpretimit ishte perfekte.
Ndoshta ka pak mangësi për sa i përket finalizimit të aksioneve që ka skuadra jonë. Kjo, sepse krijon shumë, por finalizimi akoma çalon pak. Mbi të gjitha, kryesor ishte rezultati sepse vetëm ai kishte rëndësi. Për fat të mirë, u arrit me shumë sakrifica, gjë e cila u pasqyrua edhe ndaj San Marinos, ku diferencën e bëri skuadra në pjesën e dytë. Sidomos me futjen në lojë të Brojës, sepse ishte një lojtar që i dha shumë ton pozitiv lojës sulmuese të skuadrës sonë.
Reja ka këmbëngulur shumë te skema 3-5-2. A është ky moduli i duhur dhe sa larg mund të shkojë Kombëtarja me këtë?
Nuk është çështje moduli. Është çështje thjesht rezultati. Trajneri beson se çdo zgjedhje e bën në bazë të kualiteteve që ka dhe mbi të gjitha në bazë të karakteristikave që ka. Me ardhjen në skuadër të një lojtari si Bajrami, që i mungonte shumë Kombëtares si karakteristikë e veçantë, Shqipëria ka mundësinë që të luajë me shumë module. Unë do ta theksoja edhe një lojtar që më pëlqen shumë, që është Muçi i Legias së Varshavës.
Edhe ai ka karakteristika shumë të veçanta, sidomos për lojën ofensive të Kombëtares sonë. Ju thoni 3-5-2, por në dy ndeshjet e fundit, më tepër ka qenë 3-4-2-1, që është një skemë shumë ofensive. Me dy lojtarë pas një sulmuesi të mirëfilltë. U përdor me San Marinon, por besoj se do të jetë edhe në të ardhmen ku mund të bazohet shumë mirë skuadra jonë.
Ju e njihni mirë trajnerin Reja. Keni komunikuar së fundmi dhe a ju kërkon ndonjëherë ndonjë këshillë specifike për Kombëtaren?
Ne analizojmë gjithmonë bashkë, para dhe pas ndeshjeve të Shqipërisë. Flasim gjithmonë se si e shikon ai. Dëgjon mendimin tim si e kam parë ndeshjen. Mirëpo, është një komunikim më tepër informal nga ana e tij ose një shkëmbim mendimesh nga të dy.
A ka ndonjë merak Edi Reja?
Jo, nuk ka merak. Kanë bërë një punë të mirë si grup. Ka diçka, që është shumë e rëndësishme. Kur janë momente të vështira, aty duket çdo gjë se si është organizimi apo se si është besimi që kanë tifozët. Opinioni deri para dy ndeshjesh ishte i tillë që jemi katastrofë e tani pas dy ndeshjesh jemi prapë në parajsë. Rezultati ndikon gjithmonë në opinion. Ka një shprehje shumë të bukur që thotë: Topi është për të gjithë, por futbolli është për pak. Me këtë doja të thosha që duhet t’i njohësh mirë problematikat nga brenda, formimi i një skuadre dhe forma e duhur e lojtarëve si kanë luajtur, sa kanë luajtur.
Janë detaje shumë të rëndësishme dhe në bazë të atyre, trajneri është i detyruar që në ato dhjetë ditë që ka në dispozicion, të marrë më të mirën nga skuadra. Kështu që, duhet pasur durim deri në fund, për të dhënë një opinion final për sa i përket vlerësimit të punës së tij si trajner, por edhe të skuadrës sonë. Çfarë mund të them unë nga jashtë: Është ndërtuar një grup lojtarësh që ka një jetëgjatësi për disa vite. Një grup ku mund të luajnë për disa kompeticione së bashku. Gjë shumë e mirë, sepse ka shumë lojtarë të rinj, një brez që do të ketë mundësinë që ndoshta të bëjë më mirë se të gjithë brezat më përpara.
Dikur kishte lojtarë me personalitet dhe liderë. Po sot që e gjithë mbrojtja luan në Serinë A, a duhet të presim më shumë te Kombëtarja?
Nuk është problemi te mbrojtja. Është çështje brezash. Në këtë moment, porta është e sigurt, sepse janë dy portierë me eksperiencë. Mbrojtja është e sigurt. Mesfusha ka ndoshta pak mangësi për disa karakteristika të veçanta që i duhen një skuadre. Sulmi ka lojtarë që (pfff…) janë me perspektivë shumë të madhe.
Mbi të gjitha, duhet gërshetuar mirë si skuadër. Përveç karakteristikave dhe vlerave që ka çdo lojtar, besoj se diferencën e bën loja në skuadër e grupit. Nëse do të gërshetohet ai shpirti luftarak që kishim ne me grupin e De Biazit, besoj se në këto dy-tri ndeshjet e fundit është parë potenciali i kësaj skuadre që ka një mundësi shumë të madhe rritjeje. Ky është një fakt shumë pozitiv për këtë Kombëtare. Është shumë e rëndësishme, duke pasur parasysh që nga katër, tri ndeshjet e fundit janë përballje direkte. Kështu që, besoj se diferencën do ta bëjë grupi.
A mund të themi që ky është brezi i lojtarëve më të talentuar që ka pasur Kombëtarja në dekadat e fundit nisur nga niveli ku ata luajnë?
Jo, nuk është ky brezi më i talentuar. Unë besoj se niveli i kompeticioneve është ulur shumë, sepse e mbaj mend në fëmijërinë time, kur kualifikueset e Botërorit dhe Europianit kanë qenë shumë të vështira. Kanë qenë me një formulë tjetër loje. Shqipëria nuk ka pasur kurrë fatin që të luante në një grup me skuadra si Andorra dhe San Marino, ku e fillon me 12 pikë grupin. Flas si potencial, që është një brez i cili ka një të ardhme shumë pozitive, ndoshta më të mirë. E uroj me gjithë zemër që të bëhet brezi më i mirë i futbollit shqiptar. Jam edhe i mendimit që gjithmonë gjërat në jetë shkojnë drejt rritjes.
Edhe nga ana e organizimit, infrastrukturës dhe shumë gjëra, nuk mund të krahasohen sepse kush ka jetuar brezat e mëparshëm, e di shumë mirë se çfarë lloj sakrificash janë bërë. Kush jeton brezin e tanishëm, e kupton që është diçka normale që të luash në një stadium si ai i Tiranës ose i Elbasanit apo Shkodrës, me standarde shumë të larta. Kjo gjë neve na ka munguar shumë në atë kohë. Edhe brezave para nesh. Prandaj, them që nuk duhet të krahasohen si breza, por duhen vlerësuar për momentet që kanë kaluar. Ato kanë qenë vite të arta për futbollin shqiptar. Tani mund të hapet një epokë e re që besoj se mund të jetë me shumë rezultate pozitive për Kombëtaren tonë.
Përmendët Brojën, i cili është aktivizuar 57 minuta në dy ndeshjet e fundit dhe shënoi dy gola dhe dha dy asiste. A mund të jetë ai ylli i ri i Kombëtares?
Ka dy gjëra. Unë e pashë me vëmendje ndeshjen ndaj Hungarisë dhe do t’ia shkulja pak veshin Brojës kur e pyetën për punën e trajnerit dhe përgjigjen e tij që “nuk e di se çfarë marrëdhënieje ka me trajnerin”. Broja është një djalë 19-vjeçar që nuk ka nevojë ta them unë apo askush nga ne, pasi një lojtar që është nën kontratë me Çelsin, ka të ardhme apo perspektivë. Flasim gjithmonë për perspektivë sepse nuk është akoma lojtar i Çelsit. Broja duhet të mësojë diçka që është shumë e rëndësishme për futbollin e niveleve shumë të larta. Që të bëhesh një futbollist i niveleve shumë të larta, duhet të dish të luash në të dyja fazat, si në fazën sulmuese, edhe në atë mbrojtëse.
Ai ka një mundësi rritjeje akoma shumë të lartë. Duhet të mësojë që të sakrifikohet për skuadrën. Më pëlqeu shumë mënyra se si u fut në ndeshjen me San Marinon. Atë duhet ta vlerësoja, sepse përveçse bëri gol, pati një rast ku goditi shtyllë, por mbi të gjitha u mundua që të luante për skuadrën. Ishte shumë altruist kur kërkonte medoemos që të shënonte Uzuni. Disa detaje që të japin një ndjenjë të mirë për të ardhmen. Por nuk ka vend për të hapur një debat nëse është apo nuk është. Me çfarë ka treguar në dy ndeshjet e fundit, do them si të gjithë të tjerët, që është i padiskutueshëm. Po ta gjykoja për ndeshjen që kam parë me Anglinë në Tiranë, do të isha shumë kritik.
Ndaj, duhet të jemi pak të durueshëm edhe kur Broja nuk luan mirë me Kombëtaren, sepse ka nevojë dhe është djalë i ri. Ka nevojë për kohë, ka nevojë që të gabojë ndeshje sepse vetëm ashtu do të marrë eksperiencën e duhur. Sa më shpejt t’i bëjë këta hapa, sa më shpejt ta kuptojë se nuk ka vlerë se çfarë është shkruar mbrapa te fanella, por ka vlerë ajo që është shkruar te stema, përpara në fanellë. Në momentin që do të futet me këtë shpirt në fushën e lojës, ka për të bërë një karrierë shumë të madhe. Edhe nga ana e tij individuale, por automatikisht edhe për Kombëtaren tonë do të jetë shumë pozitiv.
Jeni shprehur me habi që një lojtar si Cikalleshi luan në Turqi. Keni tentuar ndonjëherë ta merrni te Lacio?
Jo. Unë them që Broja do të jetë lojtari që do të thyejë çdo rekord në Kombëtare, si për gola, për ndeshje dhe për të gjitha, sepse Broja dhe Kumbulla besoj do të thyejnë çdo rekord për Kombëtaren shqiptare. Por, Cikalleshi është lojtar i kompletuar për sa i përket sulmit. Uzuni është lojtar interesant.
Roshi është lojtar që kur futet në fushë me fanellën e Kombëtares, ka qenë vendimtar. Ka shumë. Rei Manaj ka karakteristika të mira. Është krijuar një grup interesant edhe për vetë faktin se Cikalleshi është më i madh në moshë, është lojtari më i kompletuar në skuadrën tonë. Mirëpo, unë nuk e kam pasur asnjëherë në planet e mia për ta afruar te Lacio, sepse nuk i vlerësoj gjërat në bazë të një shprehjeje që unë kam dhënë për një lojtar apo për një tjetër.
Kur dëgjoj këto vlerësime për lojtarët shqiptarë, emra si Broja apo Kumbulla, ju joshin për t’i pasur te Lacio ndonjë ditë?
Jo, nuk më josh ky fakt. Nuk e kam bërë asnjëherë zgjedhjen se janë shqiptarë. Kam bërë gjithmonë zgjedhjen sa u përket karakteristikave të lojtarëve që i duhen Lacios.
Natyrisht që është diçka për mua kur janë shqiptarë. Kumbulla e ka pasur vjet mundësinë, para se të firmoste me Romën. Ka qenë në bisedime për të ardhur te Lacio, por nuk u bë e mundur. Dikush tjetër ndoshta në të ardhmen, pse jo. Nuk është se dera ka qenë e mbyllur, është gjithmonë e hapur. Zgjedhjet e mia nuk i bëj në bazë të statusit që ata kanë në pasaportë.
E përmendët Bajramin. A mund të ndryshojë ai filozofinë e Edi Rejës?
Nedim Bajrami, për mendimin tim, ka karakteristika për të luajtur në nivele shumë të larta. Po flas për skuadrat më të mëdha në Europë. E kam ndjekur edhe në ndeshjen kundër Lacios në Empoli dhe ishte lojtari më i rrezikshëm dhe më i mirë i skuadrës së Empolit. Jo vetëm për mënyrën se si luan, por për inteligjencën që ai interpreton në fushë. Ka karakteristika për të qenë një lojtar me një karrierë shumë të madhe.
Çdo gjë varet dhe e ka në dorë vetë djali. Në qoftë se do të jetë me këmbë në tokë, besoj se do të bëjë një karrierë shumë të madhe. Afrimi i tij me Shqipërinë i jep një rritje ekipit nga një nivel në një tjetër sepse është futbollist që i mungonte Shqipërisë për sa u përket karakteristikave. Është lojtar që në lojën një kundër një, është shumë vendimtar dhe bën diferencën në fushë. Jo vetëm që krijon shumë për ekipin, por është edhe i zoti të shënojë. Do të jetë një lojtar shumë i rëndësishëm për të ardhmen.
Ndaj San Marinos u rikthyen Strakosha dhe Hysaj. Më në fund Strakosha, pas shumë kohësh ishte titullar. Si drejtor sportiv i Lacios, a jeni i kënaqur me këta dy lojtarë?
Strakosha tashmë është bërë një lojtar veteran, sepse është rreth 10 apo 11 vite me skuadrën tonë. Vetë fakti që ka kaq vite te Lacio, tregon që është futbollist me aftësi për skuadrën tonë. Për sa i përket Hysajt, ka qenë një incident fakti që nuk ka ardhur më parë te Lacio. Që në moshën 17-vjeçare kam dashur ta afroja te ne, por për mënyrën si vajtën gjërat, nuk ishte e mundur. Kur firmosi këtë verë kontratën, i thashë:
“A e mban mend para 10 vitesh dhe tani ja ku je prapë”. Është një lojtar që sjell shumë eksperiencë. Mbi të gjitha ka një profesionalizëm shumë të lartë, gjë që e tregon në fushë dhe në stërvitje mbi të gjitha çdo ditë. Është një goditje e duhur për skuadrën tonë, sepse na mungonte një lojtar me karakteristikat e tij.
Thuhet shpesh për Kombëtaren që ka talent, por i mungon një lider. A bini dakord me këtë?
Jo, nuk bie dakord sepse liderët dalin vetë në fushë. Besoj se ka disa lojtarë që kanë karakteristikat për të qenë liderë: Dikush është nga ana verbale e dikush tjetër nga mënyra e tij e sjelljes në fushë dhe jashtë saj. Nuk besoj që i mungojnë lojtarët që janë liderë, por janë gjenerata të ndryshme.
Në këta brezat e rinj, termat e liderëve, të eksperiencës, të respektit ndërmjet të rinjve me më të mëdhenjtë sa vijnë e po humbasin. E kjo nuk është një gjë pozitive për futbollin e sotëm.
Do të jeni një ditë trajner i Kombëtares?
Po të pyesësh të gjithë shokët e mi të Kombëtares, të gjithë janë gati e thonë nesër (qesh…). Është thjesht një shprehje imja, nga dëshira dhe dashuria që kam për fanellën e Kombëtares. Është diçka brenda meje dhe nuk ka për t’u ulur asnjëherë kjo dëshirë. Gjithmonë do të jetë më e madhe.
Unë jam shumë realist dhe objektivat e mi dhe gjërat në jetë që i dua, i arrij. Ndoshta në një ditë në të ardhmen, nuk e di. Mirëpo, në këtë moment, siç e thatë edhe ju, jam shumë i lumtur me atë që unë bëj. Besoj se do ta vazhdoj edhe për shumë vite të tjera. Mbetet një ëndërr e bukur? Absolutisht!