Ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë, Duncan Norman shprehet se zbatimi i reformës në drejtësi po ecën me hapa të ngadalta. Edhe pse, vlerësoi zhvillimet e fundit si, krijimi i Strukturës së Posaçme Antikorrupsion dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për ngadalësimin, tha se janë i një mendimi dhe vetë njerëzit e drejtësisë së re.
“Kemi parë shumë aspekte pozitive që kanë ndodhur me reformën në drejtësi në muajt e fundit. Kemi parë krijimin e SPAK dhe krijimin e organeve të tjera gjyqësore dhe shumë gjëra kanë ndodhur. Realiteti është se reforma po ecën më ngadalë se çdokush do të mendonte dhe kjo përfshin edhe ata që janë të përfshirë në të”, deklaroi Norman një në intervistë dhënë për ‘Ilva Now’.
I pyetur nëse e di arsyen pse po ndodh ngadalësimi, ambasadori britanik u shpreh se, kjo vjen për disa arsye ku njëra prej tyre është “nuk është e lehtë”, por kjo nuk do të thotë se ky proces duhet ndaluar.
“Mendoj se ka shumë arsye. Është një proces i gjatë dhe i vështirë për t’u ndërmarrë, gjë që është shumë e rëndësishme për t’u çuar deri në fund. Mendoj që duhet të pranojmë faktin se nuk është e lehtë, gjithashtu për ne ndërkombëtarët t’i japim Shqipërisë mbështetje për të vijuar këtë proces dhe për shqiptarët që të shohin frytet nga ky proces dhe të ketë përfundim të suksesshëm. Kjo ka nevojë për pak kohë por kjo nuk do të thotë se duhet të ndalojmë. Ajo çka është e rëndësishme të ndodhë është që Shqipëria do të krijojë një sistem të ri që do të jetë shumë më mirë se ai i mëparshmi. Ky është qëllimi kryesor”, tha më tej Norman.