Protesta e dhunshme e Sali Berishës, ku molotovët e hedhur në vilën e Enver Hoxhës (sot qendër kulturore) rrezikuan jetët e artistëve që ndodheshin brenda, duket se ‘i ka ngrënë kokën’ dy drejtuesve më të lartë të Policisë në vend.
Burime për Report TV bëjnë të ditur se kryeministri Edi Rama ka shkarkuar drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda dhe drejtorin e Policisë së Tiranës, Elton Alushi.
Në vend të Prodës, në krye të Policisë së Shtetit është komanduar Sokol Bizhga, ndërsa ende nuk dihet se kush do ta zëvendësojë Alushin në krye të Policisë së Tiranës.
Shkarkimi i krerëve të Policisë së Shtetit ka ardhur pas protestës së dhunshme të Partisë Demokratike gjatë ditës së djeshme, ku u vunë në rrezik jetët e artistëve të huaj dhe punonjësve që ishin brenda vilës së Enver Hoxhës, gjatë sulmit me molotovë të organizuar nga militantët e Berishës.
Dy drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit janë shkarkuar me argumentin e mos-garantimit të rendit dhe vënien në rrezik të jetës së qytetarëve.
Kujtojmë se protesta e djeshme e Berishës nisi në formën e një marshimi nëpër rrugët e Tiranës, ku u hodh molotovë në koshat e plehrave dhe pranë disa bizneseve private, dhe më pas, krejt papritur, një breshëri molotovësh dhe fishekzjarresh u zbrazën në drejtim të vilës së Enver Hoxhës.
Kjo nuk ishte hera e parë që në protestat e Berishës ka dhunë. Kujtojmë se edhe në protestat e tjera të organizuara nga Sali Berisha ka pasur përleshje të militantëve me Policinë, sulme me gurë e molotovë ndaj efektivëve dhe godinave të institucioneve, por gjykatat i lironin ithtarët e Berishës menjëherë pas arrestimit.



