Administrata është fytyra e shtetit. Mënyra si sillen dhe si veprojnë nëpunësit e shtetit i japin atij fizionominë e vet. I zbardhin ose i nxijnë faqen. E lartësojnë ose e poshtërojnë, e ngjisin edhe e fundosin. Një administratë korrekte, kompetente, e pakorruptuar, serioze e profesionale e bën shtetin të respektuar, të besueshëm dhe të admirueshëm. Zyrtarët që sillen si halabakë deri edhe si banditë e taksidarë të pashpirt, marrin mbi vete përbuzjen, urrejtjen e përçmimin e qytetarëve.
Sapo kapërcejnë pragun e portës, ku u ndeshën me një administrator harbut, të paedukatë, mallkojnë: Shkofshi prapa diellit, pas hekurave u pafshim se atje e keni vendin maskarenj! Njerëzit janë të ndjeshëm kur shkojnë në zyra, me atë që i pret, qoftë drejtor, tatimor, financier, prokuror a gjyqtar. Se piramida e administratës vërtetë ka në majë një drejtues, po deri në bazë ka shumë nëpunës, të cilët nëse nuk janë të motivuar e të kontrolluar, nëse nuk e kanë frikë ligjin dhe udhëhiqen nga etja për të shtuar pasuri mbi varfërinë e atyre që i lidh puna me zyrat e tyre, shteti ka marrë fund. Hallexhinjtë janë shumë të interesuar kush i pret dhe si, sa i dëgjon dhe sa lufton e këmbëngul për t’u dhënë zgjidhje shqetësimeve të individëve.
Qytetari ndjek, sy e vesh, si e presin, u mirëprit nga administratori që qëndron në karrigen e rehatshme në ajër të kondicionuar, me tufën e letrave e stilolapsave mbi tavolinë dhe autoveturën që pret poshtë dritares së zyrës shefin, apo i përbuz. Qytetari vlerëson si e dëgjon zyrtari. Sa i përkushtuar është për zgjidhjen e hallit që e ka lënë pa gjumë. Nevojtari e shikon në bebe të syrit zyrtarin, ndjek lëvizjet e tij deri edhe mimikën që ndryshon kur flet, apo dëgjon. E mat nga koka tek këmbët. Dhe në fund e peshon sa i vlen lëkura dhe cili është ai që e përfaqëson në zyrën e shtetit për të cilin lufton, voton apo paguan nga paga e tij. I vlerëson gatishmërinë. Si të pret dhe si sillet nëpunësi.
Flet i pezmatuar, me zë të lartë, është i shkujdesur, i pavëmendshëm, i kulturuar, njerëzor, të pret buzagaz, të ul në karrigen përballë dhe të dëgjon tërë vëmendje apo të sorollat pa asnjë shkak?! Është burokrat që të terrorizon me paturpësinë që rrezaton nga të gjitha anët? Apo njeri i matur? Mund të mos të ta zgjidhë hallin, se jo të gjitha kërkesat zgjidhen, po nëse të pret si njeri, të vlerëson e të sqaron deri në detaje, duke të treguar mundësitë dhe nëse ka zgjidhje edhe kohën kur do marrësh përgjigje, ai të jep edhe shpirtin. Dhe nga kjo vijë sjelljeje, qytetarët bëjnë diferencën. Shumë prej tyre, edhe pas shumë vitesh kur ke rënë nga kali dhe je qytetar i lirë, si gjithë të tjerët, njerëz me të cilët ke pasur kontakte, i ke pritur në zyrë, i ke dëgjuar dhe u ke zgjidhur një kërkesë edhe pse sot je njësh me ta, i papunë apo në pension, të përshëndesin dhe të kujtojnë se i ke pritur dhe i ke dëgjuar me dashamirësi.
Ia ke zgjidhur problemin dhe e ke çuar deri në fund kërkesën e tij. Për qytetarin nuk ka shumë rëndësi edhe nëse nuk ke mundur ta çosh deri në finale një zgjidhje kur ajo ka vështirësi dhe ti si qytetar nuk ke të drejtë. Se njerëzit janë të arsyeshëm dhe nuk kërkojnë qiqra në hell. Po në këtë marrëdhënie të përhershme administratë-qytetarë, sjellja e nëpunësit të shtetit, vetë shteti merr notë negative ose pozitive. Troket në dyert e zyrave, bredh me letra në duar nga ZRPP te ALUIZNI, tek Elektriku, Drejtoria e Shërbimit Spitalor, në gjykata apo prokurori, në Portin Detar a Tatime, AKU, Zyrën e Bujqësisë, e di shumë mirë çfarë të takon, e njeh ligjin dhe ke kulturën e nevojshme po të ndodh të përplasësh kokën pas murit. Qytetarët e kanë të qartë se nëpunësi është në atë karrige, falë kontributit tënd, pasi është ai që paguan përmes taksave që jep çdo muaj.
Dhe zyrtari nuk është në atë karrige për të bërë burracakun e kapadaiun, aq më keq të të presë dorën e zgjatur në xhepat e tu. Ai nuk është atje për ta mbajtur për vete tërë tepsinë, shtëpinë, qytetin. Më e llahtarshme kur të vë para alternativës. -Ose Jetën ose kuletën! Sikundër ka nga ata që të sorollatin për muaj të tërë deri sa detyrohesh të tundësh eurot, që të marrësh një dokument pa të cilin nuk mund të shesësh një pasuri, të fitosh një KEMP, të korrigjosh faturën e mbingarkuar të energjisë apo ujit. Këta administratorë punojnë sipas praktikës, më jep të të jap. Të imponohen dhe ta vështirësojnë hallin për të të krijuar idenë se kjo puna jote kërkon ca para, po zgjidhje ka.
Dhe nisin këtu llogaritë, ku të kërkohet për të paguar për një shërbim që nuk ka asnjë arsye të të vënë përballë pagesës kesh apo forma të tjera shpërblimi. Me këtë sjellje, këta drejtues apo nëpunës të sillen nëpër këmbë, të inventarizojnë nga koka deri te këpucët në pritje të parasë. Ata nuk e kanë për gjë të zgjatin duart në kërkim të bakshishit dhe të të imponojnë pagesa ekstra në një kohë kur e kanë detyrë të shërbejnë.
Në një kohë kur veç detyrës nuk bëjnë asgjë tjetër pasi janë atje, jo për merita profesionale, po vetëm se dikush i ka dërguar në shkëmbim të ndereve në fushata elektorale, apo janë rekomanduar nga deputetë e miq me peshë në Tiranë. Këta lloj administratorësh harrojnë se janë shërbëtorë të popullit dhe qytetarët meritojnë shërbime të shpejta pa sorollatje. Po kur nëpunësit sillen si taksambledhës ç`të bëjë qytetari i shkretë? T`i bjerë murit me kokë? Të tundë derën e zyrës së nëpunësit? Ku ta gjejë shpëtimin?
Administratorë dhe drejtorë që i nxijnë faqen shtetit nuk janë vetëm ata ku nis kontakti me qytetarët, ku përplasen shumë shqetësime e kërkesa, ankesa e denoncime për padrejtësi që hasin njerëzit gjatë ecejakeve për të zgjidhur probleme familjare. Nuk është vetëm kontakti dhe përballja brenda zyrave që të acaron. Kjo vijë sjellje nis me mentalitetin sa të vijmë në pushtet të rrëmbejnë një karrige dhe t’i qethin gjithë ata që vijnë për një hall. Kjo psikologji nuk është e sotme. Ky nuk është stil në nivele të caktuara moshore. Të vjen keq kur një djalë i ri, i sapo emëruar drejtor në një ndërmarrje nuk pret të njohi as punën as funksionin e ndërmarrjen, po si të fitojë, si të pasurohet, duke e parë vendin e punës si fabrikë monedhash.
Kjo është edhe etja për t’u bërë drejtor. Lufta e bërrylave. Vrapi që bëjnë pas çdo zgjedhjeje shumë nëpunës. Etja të kenë të drejtë firme. Të mbajnë një vulë. Të vulosin e të firmosin, pa në dreq të vejë autoriteti dhe prestigji i partisë e qeverisë që të dha besimin. Pas fitores së PD në vitin 1992, një zonjë e nderuar, drejtuese në Sigurimet Shoqërore në Sarandë, L. P., me një përvojë tridhjetë vjeçare në këtë sektor, edhe pse kishte arritje dhe një performancë të shkëlqyer në kuadrin e ndryshimeve rrënjësore për të sjellë në krye të punëve militantët e besuar, pa asnjë përvojë në drejtim u njoftua se duhet të largohej pasi këtë post do ta merrte një demokrat. Vetë drejtoresha ishte pa parti. Dhe realisht, parti kishte shërbimin ndaj pensionistëve dhe invalidëve, të cilët i trajtonte si të ishin prindërit e saj. Edhe sot pas kaq vitesh, kjo zonjë kujtohet si një model dhe drejtuese me integritet, një punonjëse që fitoi zemrat e mijëra pensionistëve sarandiotë.
Para se të dorëzonte detyrën me dëshirën për të shërbyer e bindur se e meritonte atë pozicion, u takua me kryetarin e PD të degës Sarandë, Lutfi Bajrami. Kam qenë i pranishëm në atë takim. Kryetari demokrat, një specialist i njohur i fushës së bujqësisë, burrë me kulturë, i lexuar, novator në fushën e vet, i ndershëm, i spikatur për arritjet në çdo detyrë në jetën e tij të gjatë e priti dhe pasi e dëgjoi i tha: -Ti zonjë vazhdo punën. Unë të njoh dhe e di se ke punuar me përkushtim dhe nuk ke patur asnjë akuzë, veç vlerësime dhe respekt. Unë nuk do pranoj kurrë të vendosen drejtorë hajdutë. Dhe ajo vijoi punën pa e trazuar askush, pa e kërcënuar me teserën e bindjet politike.
Po kjo ishte meritë e Lutfiut, i cili kërkonte standarte dhe jo militantë e mediokër partiakë. Po sot, cili është kriteri për t’u bërë drejtor? Tatimor? Ministër? Ambasador? Nuk janë pak nëpunës faqezinj, që i që nxinë faqen qeverisë dhe gjithë Shqipërisë. Jo, ka drejtues që janë të ndershëm e korrektë. Për ata që bëjnë baltë që vjedhin e korruptohen për një mijë euro, përgjegjësia nuk është vetëm e tyre, është edhe e drejtorit të drejtorisë, ministrit, deputetit e cilitdo që e ka vendosur në atë post. Edhe këta duhen llogaritur si faqezinj. Drejtues dhe nëpunës që sterrosin me veprimet e tyre nuk janë vetëm ca, pak ose shumë pak, nuk janë vetëm një grusht i vockël. Të ishin kaq do ishte mrekulli. Të korruptuar ka kudo, kur lufta ndaj veprimeve të tyre nuk bëhet e ashpër. Fatkeqësisht, drejtues faqezinj tek ne janë ca si shumë. Dhe ndodh kështu se emërohen me të vetmin standart e meritë se dinë t’u qëndrojnë pas e para të mëdhenjve, të thonë lepe-peqe atyre që bëjnë kuadrin. Tu lëpihen atyre që i emërojnë. Ata që vihen në krye punëve se janë militantë.
Ata që bëjnë gjëmën me detyrën, ca të përkëdhelur që nuk i zbresin karriges tërë jetën. I qepen me thonj postit. Ca të lindur me këmishë që tërë jetën kanë qëndruar në drejtim dhe nuk kanë njohur asnjë ditë çdo të thotë ta fitojnë bukën vet. Biznesmeni P. H., i njohur në qytetin e Sarandës tregon se tatimorët e kontrolluan dhe në fund i vendosën jo gjobë po kërkuan para nën dorë. Denoncoje,- i thashë. Merr portalin. Po ai thotë se ka frikë. Pse,- e pyeta. -Të tjerë që kanë bërë këtë, e kanë pësuar. Nëpunës të tillë ka kudo nëpër Shqipëri. Ata i gjen në zyrat e bashkisë, nuk zbresin asnjëherë në rrugë të shikojnë si harxhohen paratë e popullit.
Si përdoret mall skarco. Si kryhen punë që sot përurohen e nesër shkatërrohen. Shumë herë kam shkuar tek nëpunës të Bashkisë në Sarandë. Jo për vete. U kam ngritur shqetësimin për babëzinë e ca bizneseve në Ksamil që kanë rrethuar një vilë të shtetasve francezë me mjete të parkuara, kazanë të qelbur të plehrave, me lokale ku tymoset nga pjekja e peshkut dhe qofteve po askush nuk ka vënë ujit në zjarr. Asnjë përgjigje. Këta drejtues të presin e të përqeshin. Nuk lëvizin as gishtin. Po si do shpëtojmë nga këta faqezinjtë? Do zhdukim administratën? Do bëhen të panevojshme shërbimet? Do pengohen kërkesat? Do kontaktojmë me robotët? Apo do modernizohen shërbimet deri në minimizimin e kontakteve me nëpunësit grabitqar? Në realitet, zgjidhjet përmes internetit kanë efekte pozitive. Nëse më parë të duhej në çdo vend të paraqisje një certifikatë, sot kjo nuk të duhet.
Një ryshfet më pak. Një zgjidhje më e mirë. Për të plotësuar faturën e tatimeve këtë e kryen nga kompjuteri i shtëpisë. Nëse ke përditësimin e KEMP-it nuk të duhet të shkosh për vit në sigurimet shoqërore. Kjo ta kursen pagesën nën dorë tek mjeku. Shërbimet online, janë njëra prej formave që duhet të shtrihen deri në detaje për gjithë shërbimet. Po nëse teknologjinë mund ta modernizosh, administratën duhet ta motivosh e kontrollosh. Ta vësh para përgjegjësisë. Që në zyrat e shtetit në gjithë institucionet lokale e qendrore të shërbehet me përgjegjësi, kërkohet ti gjendet njeriu punës. Të konkurrohet me rregulla. Të kontrollohet profesionalizmi i zyrtarit. Të përzgjidhet mes më të mirëve dhe jo në postin më me peshë të emërosh mikun me të afërt.
Të zgjedhësh përvojën e kombinuar me arsimim dhe profesionalizmin. Të promovosh të ndershmin e të pakorruptuarin. T’u pritet rruga ca faqezinjve e faqenxirëve, që të mos nxihemi të gjithë. Të dërgohet në qeli ai që vjedh dhe të ngrihet në piedestal ai që meriton. Administrata nuk mund të lihet në rënie të lirë. Emërimet të mos bëhen partiake. Drejtorët jo militantë. Po të vazhdohet me subjektivizëm në emërime, mos u çuditni se gjithnjë e më shumë të ndershmit, profesionistët do qëndrojnë në hije dhe faqenxirësit do katranosin tërë dynjanë. /Nga Bardhyl BEJKO