Nga Roberto Saviano
Pas dekadash, nuk ka më asnjë dyshim. Politikat represive kanë dështuar dhe kanë shkaktuar dëme të mëdha. Duhet të ndryshojmë drejtim
Si t’i shpjegosh një adoleshenti se çfarë janë drogat dhe si përdoren ato? Ta lëmë që kjo pyetje të përballet me muret e shtëpisë apo të nisim një debat politik, i cili pastaj bëhet debat publik dhe do të na përfshijë të gjithëve, ata që na përfaqësojnë, shtypin dhe ne?
E keni lexuar drejt: si t’ia shpjegosh një adoleshenti se si përdoren drogat. Është e kotë dhe joproduktive të shpresojmë se të rinjtë nuk do të ndjehen të tërhequr nga përdorimi i drogave sintetike dhe që nuk do të pinë të shtunën në darkë. Heq përgjegjësi nga të gjithë, prindërit, edukatorët dhe institucionet. E vërteta është që, duhet të gjejmë kurajën që t’u themi fëmijëve tanë: Na falni, ne jemi kaq të papërshtatshëm për këtë botë që preferojmë që nganjëherë disa prej jush të vdesin sesa të marrim përsipër përgjegjësinë si shoqëri për të siguruar se substancat që shumica prej jush vendos të konsumojë të mos jenë të rrezikshme për shëndetin.
Po, sepse ai që provon drogën dhe pi alkool të shtunë në darkë, nuk është një adoleshent me një jetë të komplikuar familjare, nuk është një vajzë e lënduar nga i dashuri. Nuk është shtatëmbëdhjetëvjeçari mbipeshë apo që kujton se është i shëmtuar. Drogat i provon kushdo, thjesht për kuriozitet.
Është një moment i rritjes, si të bërit seks për herë të parë. Është rritje dhe prapësi njëkohësisht. Është demonstrim guximi. Jeta e adoleshentëve është në fazën erotike, në të cilën kërkohet vazhdimisht të evidentohet vetja, jo domosdoshmërisht te të tjerët. Adoleshentët tentojnë të tregojnë se janë në gjendje të kapërcejnë limitet e tyre, ose ato që morali publik imponon. Në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare ata ndihen të gjithëfuqishëm dhe të përjetshëm dhe nuk ka asgjë që t’i frikësojë. Kjo është arsyeja pse është e kotë t’u tregojmë gjërat e ndaluara. E vetmja gjë që adoleshentët dëgjojnë është arsyetimi e vetmja gjë para së cilës ata ndalen është njohuria.
Boshllëku që ekziston midis menaxhimin të problemit “drogë”, i cili faktikisht është deleguar vetëm te familjet dhe te tragjeditë që ndodhin periodikisht, duhet të plotësohet nga shteti, i cili nuk duhet ta quajë rolin e tij të përfunduar vetëm duke ndërhyrë në një rast urgjent. Institucionet nuk duhet të jenë të pranishme në momentin kur merret vendimi për të mbyllur një klub nate ose të bëjë procese për të rinjtë e mbijetuar, por duhet të jetë të pranishëm më parë, në shkolla duke dhënë informacion dhe në parlament për të bërë ligje.
Lamberto Lucaçioni ishte 16 vjeç kur vdiq në një klub nate nga efektet vdekjeprurëse të një mbidoze e MDMA. Unë nuk më intereson ta di se cili ishte ai që ia shiti drogën (kjo është punë për hetuesit). Mua nuk më intereson ta di nëse ishte në park ose në disko kur e përdori këtë drogë. Për mua ajo që ka rëndësi të di është nëse Lamberto, 16 vjeç, e dinte se çfarë ishin rreziqesh e prisnin nga droga e marrë, duke u nisur nga natyra e tregut të drogës në Itali.
Kush sintetizon dhe kush shpërndan drogë? Kush merret me menaxhimin e trafikut të kanabisit dhe të kokainës, nuk janë kompani që punojnë në mënyrë të ligjshme, në emër të shtetit ose nën kontrollin e tij. Produktet që shiten nuk janë testuar për shkak se janë të dëmshëm për shëndetin e atyre që i përdorin. Trafikun e drogës në vendin tonë e menaxhojnë organizata kriminale që kanë si qëllim të vetëm fitimin. Për ta pak rëndësi ka në qoftë se një acid iu vret ose një një cigare hashash mund të shkaktojë humbjen e kujtesës, kriza ankthi dhe paranoje apo edhe çrregullime në organizëm.
E quajnë amnezi, ajo është e përbërë nga kanabisi i prerë dhe metadoni, heroina dhe madje edhe me acid nga bateritë e makinës dhe shpërndahet në Napoli. Ajo që del nga djegia e këtyre substancave është një medikament i dëmshëm për shëndetin. Më kë duhet të kapemi? Kush e ka fajin për këtë? Me organizatat kriminale, natyrisht. Dhe pastaj cfarë do të bëjmë, do të shkojmë për të analizuar rast pas rasti çdo familje të të rinjve të cilët kanë marrë këtë drogë? Dhe çfarë bëjmë, ngrejmë gishtin mbi ata prindër se si duhet ta largonin nga droga fëmijën e tyre?? Me të vërtetë? Pastaj?
Mbyllim lokalet ku ishte shpërndarë kjo drogë? Dhe kjo do të jetë e mjaftueshme? Çfarë kemi kuptuar? Çfarë kemi zgjidhur? Asgjë. Nuk kemi kuptuar dhe nuk kemi zgjidhur asgjë. Kjo nuk është një çështje morale, por shëndeti publik. Politikat represive kanë pasur dekada për të treguar vlerën e tyre dhe jo vetëm që kanë dështuar, por edhe kanë bërë dëme të konsiderueshme. Është koha për të legalizuar tregun e drogës në Itali dhe për ta bërë këtë në një mënyrë të arsyetuar për të shmangur qarkullimin e substancave që vrasin. Nuk është më e mundur të kthehet faqja në anën tjetër. Është koha për të kuptuar se kemi shumë për të humbur.