Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur moskompetencën për dosjen penale me të pandehur Erzen Breçanin dhe e ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Tiranës.
Ish-drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit ka mohuar dhe njëherë akuzat e SPAK për pastrim parash me HEC-et që ai ka ndërtuar në Valbonë, i cili arsyeton se paratë për hidrocentralin ia ka marrë të vëllait, i cili ka vite që është pjesë e fushës së biznesit.
“Nuk mund ta pranoj që unë të gjykohem me këto prova që janë paraqitur nga SPAK. Për akuzën e ‘pastrimit të parave’, as më ka shkuar në mend dhe as kam pastruar para. SPAK e thotë vetë që nuk kemi mundësi financiare dhe është e vërtetë, paratë për hidrocentralin ia kemi marrë vëllait që ka 25 vite, me disa biznese”, deklaroi Breçani.
Ai është pyetur nga trupa gjykuese dhe për njohjen me një nga të pandehurit Bujar Ajeti alias Gërmizi, i akuzuar për përfshirjen në grup të strukturuar kriminal dhe në trafikimin e drogës. Breçani ka deklaruar se me Ajetin njihen që fëmijë dhe më pas janë takuar tek RENEA. Më pas Erzen Breçani thotë se nuk ka patur djeni që Bujar Ajeti të ketë qenë në kërkim nga policia.
“Bujar Ajetin e njoh që kur ishim fëmijë, më pas edhe tek RENEA. Në dijeninë time nuk ka qenë person në kërkim nga shteti shqiptar. Unë kam ndjekur kriminelët gjithë jetën time, nuk kam përse të përkrah këtë kategori tani”, theksoi Breçani.
Gjykata e Posaçme shpalli moskompetencën për dosjen e Erzen Breçanit dhe ish-punonjëses së policisë, Jonida Babameto duke e dërguar për gjykim në Gjykatën e Tiranës pasi këta të pandehur, nuk rezultojnë të përfshirë në grup të strukturuar kriminal. Breçani dhe Babameto do të gjykohen sipas procedurës së zakonshme.
Të pandehurit Ismail Zeneli, Bujar Ajeti, Besmir Murtati, Adrian Cenaj, Albert Prenga dhe ish-zyrtarin e lartë të policisë, Dedan Gjoni, do të gjykohen nga GJKKO sipas procedurës së shkurtuar.
Këta persona sipas hetimeve të SPAK, rezultojnë të kenë vepruar në kunadër të një grupi të strukturuar kriminal që merreshin ne shitjen e drogës, sigurimin e kushteve për të vrarë si dhe pastrim parash.