“O zemra e motrës tënde, o vëlla na ka marrë malli. I miri i motrës, që të donte shumë”. Motra e Ziverit, Trëndafilja mëngjesin e sotëm ishte te varri i vëllait duke e kujtuar mes lotësh dhe vajtimit.
Motra e Ziverit ka shpresë se një ditë do të vendoset drejtësia në vend. “Ne drejtësinë do ta kërkojmë derisa të rrojmë. Nuk dua të ma zësh fare në gojë Berishën. Unë dua drejtësinë për vëllanë tim, do ta kërkoj dhe do ta gjej”, tha ajo për mediat.
Homazhet për Ziver Veizin kanë bërë bashkë familjarë, miq dhe drejtues të pushtetit vendor. Edhe në Tiranë, kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga familjarët e viktimave vendosi lule dhe bëri homazhe në bulevard në vendin ku u vranë protestuesit.
Kujtojmë se sot shënohet sot 11-vjetori i protestës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Gjithçka nisi rreth orës 14:00, kur protestuesit përshkuan rrugën në këmbë nga sheshi “Skënderbej” deri para objektit të Kryeministrisë, pasi policia kishte ndërmarrë masat që të mos lejonte asnjë autobus të vazhdonte më tej.
Turma nisi me thirrje kundër kryeministrit të atëhershëm, ndërkohë që vetëm pak minuta më vonë, filloi hedhja e gurëve dhe sendeve të forta në drejtim të forcave të rendit.
Situata u tensionua pasi protestuesit tentuan të hynë në oborrin e kryeministrisë, ndërsa policia mbronte ambientin e brendshëm. Për një moment nisën të dëgjoheshin të shtëna armësh brenda territorit të Kryeministrisë, dhe këto të shtëna lanë të vdekur Hekuran Dedën, Ziver Veizin, Faik Myrtajn dhe Aleks Nikajn.