Ka një lloj përpjekjeje komike të disa mediave apo gazetarëve pranë opozitës për të krijuar profile të opozitarit të duhur për opinionin. Njëherë është Ilir Meta që përpiqet përditë të tejkalojë veten, duke mos fshehur ambicien e vet për të qenë edhe tip i modës.
Një herë tjetër është Sali Berisha që ftohet, citohet dhe referohet sikur të jetë shpirti i opozitës, kollona e saj dhe e ardhmja.
Nuk mungon së fundmi edhe admirimi i çuditshëm intelektuale për Grida Dumën që ftohet aty e këtu, nga një studio në tjetrën për të dhënë mendime mbi doktrinën, e cila konsiston në disa grumbuj fjalish që paketohen në formë libri për t’u shpallur si profeci politike. Kësaj pjate të parë i qëndron përherë vërdallë sallata e fshatit, pra Belind Këlliçi dhe Klevis Balliu që kanë bekimin edhe të kryetarit Basha.
Ky i fundit konsiderohet si njeriu që ka vulën e cila edhe mund t’i humbasë. Përpjekja në fjalë përfaqëson një klimë dëshpërimi dhe asgjë më shumë. Qoftë edhe në raport me operacione marketimi politik që janë zhvilluar më parë nga PD-ja. P.sh Komiteti i Orientimit të Politikave, të cilën Sali Berisha e ideoi dhe adaptoi në prag të zgjedhjeve të vitit 2004 mblodhi rreth partisë kryesore opozitare njerëz që kishin ekspertizën e nevojshme për një forcë që dëshiron të vijë në pushtet.
Sot opozita drejtohet nga profile mediatike të stisura, nga parukeritë e shtypit të lirë që i shesin opinionit freskinë e shtirur të Dumës, të Berishës që kalitet dhe freskinë e halldupërisë politike të Këlliçit dhe Balliut.
Zoti Basha qëndron në mes të këtij zhurnalizmi si dyqanxhiu i fundit i këtij pazari pa krye e pa fund që zbulon qartë se megjithë katastrofën e qeverisë Rama, ai nuk ka ditur të përgatisë forcën e vet politike për të ardhur në pushtet. Klima e bashkëjetesës mes opozitës dhe qeverisë, ka povokuar këtë apati të përgjithshme dhe këtë frymë pritjeje e cila ka dëmtuar rëndë perspektivën e vendit.
Është e paimagjinueshme dhe krejtësisht e pafalshme që në një vend si Shqipëria që ka si sfidë kryesore hyrjen në shekullin e 21-të, të flasin për të ardhmen njerëz si Duma që nuk përfaqëson asgjë në kontekstin e sfidave, Berisha që është e shkuara, apo Ilir Meta që nuk e di as vetë sa llogari mund t’i hapen me drejtësinë. Kush dot të formulojë politikë në këtë forcë? Kush do të dijë të flasë për diçka më shumë sesa ulja e TVSh-së, e tatim fitimit dhe papunësisë, terma që kanë një shekull që kalojnë gojë më gojë?
Kush do të flasë për kulturën dhe arsimin, dy fusha që duan patjetër vëmendje cilësisht të re?
Ndoshta Duma, e cila është në vaftit për politikë, apo Balliu që ka botuar së fundmi edhe një libër.
Sigurisht kriza e sektorit publik nuk ndodh vetëm në Shqipëri. Por në vendin tonë ajo vihet re në mënyrë therëse.
Njerëz që nuk duan të punojnë më në administratën publike, që nuk i qasen më “shtetit”, që duan të ikin, apo që kalojnë në sektorin privat për të menaxhuar marrëdhëniet e vështira me një administratë të katandisur si mos më keq.
Kjo është një rënie e plotë, efekti i së cilës do të ndihet shumë shpejt dhe për të ka përgjegjësi qeveria e tanishme që normalizoi lloj lloj skandali, por edhe opozita e cila po njofton llojin e njerëzve që dje sjellë në krye. Kush do njolloste emrin e vet me këtë kategori?(Respublica)