Nga Eldi Lila
Olsi Dado është ndoshta një nga prokurorët më vizionarë që kemi parë ndonjëherë. Ai nuk ka nevojë për prova klasike, sepse ndryshe nga prokurorët e zakonshëm që merren me dokumente, dëshmi dhe fakte konkrete, ai heton me ndjesi! Një letër anonime? Hetim i thelluar! Një zë në qytet? Dërgojeni në SPAK! Një rast flagrant korrupsioni me fakte të qarta? Hmm… s’është koha ende!
Dado ka një talent unik: ai mund të gjej një akuzë në çdo situatë, përveçse atje ku duhet vërtet. Ka arritur të kthejë thashethemet e kafeneve në dosje penale dhe një shkresë të pavërtetuar në një arsye për ndjekje penale. Ky nuk është një prokuror dosido, ky është një krijues, një artist, një shpikës që mund ta bëjë një hetim të duket si një skenar filmi spiunazhi.
Nëse ndonjëherë Dado vendos të shkruajë një libër mbi hetimin penal, titulli duhet të jetë: “Si të fabrikosh një çështje nga asgjëja dhe të injorosh gjithçka që ka vlerë” – një bestseller i garantuar në zyrat e drejtësisë. Nëse dikush i dërgon një email pa emër, ai nuk pyet “Kush e ka shkruar?” por “Si ta kthejmë këtë në një çështje madhore?”
Dhe më e bukura? Standardi i tij i drejtësisë është si një biletë lotarie – ndonjëherë fiton, ndonjëherë jo, varet kush është emri në biletë. Nëse je në listën e tij, një apartament mund të quhet korrupsion, një darkë me miq mund të jetë prova e një konspiracioni dhe një lidhje farefisnore mund të jetë një rrjet kriminal ndërkombëtar.
Në fund të fundit, Dado nuk është thjesht një prokuror. Ai është një gjeni i hetimeve të porositura, një artist i fjalëve të paqarta dhe një magjistar që mund të bëj drejtësinë të zhduket kur nuk duhet të shihet. Një talent i rrallë, që në çdo vend normal do të ishte temë për një komedi ligjore, por këtu është pjesë e realitetit tonë.