Vetëm dy ditë pas publikimit të vendimit nga KPK për konfirmimin në detyrë të kryeprokurores së Durrësit, Anita Jella, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit i ka rekomanduar Komisionerit Publik që ta ankimojë. Gazeta publikoi pak ditë më parë gjetjet që përfaqësuesit ndërkombëtarë kishin pasqyruar për kryeprokuroren Anita Jella, duke “goditur” përfundimet dhe vendimin përfundimtar të KPK, ndërsa dje, ka rekomanduar Komisionerin Publik që ta kalojë çështjen në shkallën e dytë të Apelit.
Në faqen zyrtare, Komisioneri Publik ka njoftuar se është njohur me rekomandimin e ONM-së, duke bërë të ditur se do të shqyrtojë vendimin që ka marrë KPK. “Sot, më datë 12.2.2020, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për të ankimuar vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit për të tria kriteret e rivlerësimit. Komisionerët Publikë janë duke shqyrtuar në të njëjtën kohë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit”, thuhet në njoftim. Ndërkohë që të hënën e 10 shkurtit, në faqen zyrtare të KPK, bashkëngjitur vendimit për konfirmimin e Jellës, ishte dhe raporti i ONM-së, ku kishte evidentuar disa gjetje në dy kriteret e kryeprokurores së Durrësit. “Mungesa e deklarimit për përdorimin e banesës së porositur nga vëllai i bashkëshortit A.SH, në vitet 2011 dhe 2016.
Pamjaftueshmëria në lidhje me deklarimin e bërë nga subjekti i rivlerësimit në deklaratën veting për pagesën e këstit të parë për blerjen e një apartamenti”, shkruhet në raportin e ONM-së, referuar kriterit të pasurisë. Gjetje janë evidentuar edhe në kriterin e aftësive profesionale, konkretisht, për disa çështje të hetuara nga Jella. Sipas raportit, në punën e kryeprokurores së Durrësit, janë konstatuar pabarazi, jo vetëm. Më tej në raport shkruhet që kryeprokurorja në të paktën në dy raste, ka synuar mbrojtjen e të pandehurit.
“Ekzistenca e disa mangësive në lidhje me vlerësimet e prokurores, e cila jo vetëm ka shkaktuar pabarazi në trajtimin e çështjeve që janë në kompetencë të zyrës në fjalë, por të paktën në dy raste vlerësuesi ka shkaktuar një seri ngjarjes procedurale që synojnë mbrojtjen e të pandehurve, në njërin prej rasteve bëhet fjalë për një person publik”, shkruhet në raport.