Shqipëria do të marrë pjesë sot në një ndër ekspozimet më prestigjioze të verës dhe kantinave në Evropë në “Vinitaly 2023” në Verona, Itali. Në këtë ekspozitë, Shqipëria do të përfaqësohet me 75 etiketa të verës shqiptare dhe 20 prodhues.
Pjesë e këtij aktiviteti është edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i cili është takuar me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevskin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”.
Takimi po mbahet në kuadër të nismës Open Balkan dhe është hera e parë që një takim në atë format mbahet jashtë kufijve të Ballkanit Perëndimor. Tashmë ka nisur takimi i tyre në bashkinë e Bardolinit, e Vuçiç, Rama dhe Kovaçevski erdhën në këmbë dhe ecën buzë liqenit.
Pas takimit, të tre liderët do të mbajnë një konferencë të përbashkët dhe pritet që temë kryesore e takimit të jenë rezultatet e arritura deri më tani në kuadër të nismës.
Të tre liderët nga Ballkani Perëndimor do të vizitojnë Panairin Ndërkombëtar të Verës “VinItaly 2023” së bashku me Ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio Tajani, do të vizitojnë stendën e përbashkët, ku ekspozues të shumtë nga vendet anëtare të nismës “Ballkani Hapur” do të prezantojnë verërat e tyre. Pas takimit, do të mbahet një konferencë e përbashkët.
“Ballkani i Hapur” po lëviz për herë të parë jashtë rajonit për të tërhequr vizitorë të rinj në rajon me verëra cilësore.