Gjykata e Durrësit ka nxjerrë nga qelia 3 nga 5 biznesmenët e arrestuar pak ditë më parë për abuzime me TVSH. Për të arrestuarit R. Merdani dhe A. Agolli gjykata vendosi arrest me burg, ndërsa për R. Avdo dhe B. Caka gjykata dha arrest shtëpie, ndërsa detyrim paraqitje u dha për E. Xhaferin.
Duket se i gjithë operacioni është shfryrë, si shumë të tjerë në këtë fushë. Ata akuzohen nga prokuroria që në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë krijuar shoqëri fiktive me qëllim mos pagimin e detyrimeve tatimore, ndërkohe që kryenin punime në fushën e ndërtimit dhe fusha të tjera, të pa deklaruara në organet tatimore, produkte të cilat janë blerë pa dokumente tatimore, si dhe punimet janë kryer nga punonjës të pa regjistruar dhe pa deklaruar në organin tatimor.
Skema e mashtrimit me TVSH bëhej përmes rimbursim nga shteti me fatura fiktive por dhe kishin shmangur detyrimet e tatimeve. Kjo skemë mashtrimi lidhet me një ngjarje të 2016, ku prokuroria e Durrësit prej disa muajsh kishte nisur hetimet.
Të arrestuarit dyshohet se kishin krijuar 5 subjekte private thuajse fantazmë me qëllim shmangien e detyrimeve fiskale, ku administratorë dhe punonjës firmash plotësonin fatura fiktive. Në kuadër të hetimeve është bërë sekuestrimi i aseteve pasurore me vlerë 2 milionë euro.
Njoftimi i policisë
Aksioni ndodhi më 9 nëntor dhe policia reagoi përmes një njoftimi për mediat. “Hetuesit financiarë, në vijim të punës gjurmuese për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, kishin dërguar materiale hetimore paraprake në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, e cila kishte regjistruar procedimin penal për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”.
Në vijim të këtij procedimi penal u organizua dhe u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Skema”, në kuadër të të cilit u ekzekutuan masat e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit: E. Xh., 38 vjeç, R. M., 30 vjeç, R. A., 39 vjeç, A. A., 45 vjeç dhe B. C., 48 vjeç, banues në Tiranë. Në zbatim të këtij procedimi dhe vendimit të prokurorit u bë sekuestrimi i aseteve të mëposhtme:
Një shoqëri e quajtur “Alfa Nikel”; Një hidrocentral, së bashku me sipërfaqen e truallit 700m², ku ishte ndërtuar, në Dhërmi; Një apartament me sipërfaqe 215 m². Gjatë kontrollit në banesën e njërit prej shtetasve të arrestuar, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një kasë fiskale, e cila dyshohet se është përdorur për prodhimin e faturave fiktive”, tha policia.
Sipas saj, produktet janë blerë pa dokumente tatimore dhe punimet janë kryer nga punonjës të paregjistruar dhe të padeklaruar në organet tatimore. Nga ky aktivitet kriminal i skemave mashtruese me TVSH-të, shtetasit e sipërpërmendur, nëpërmjet subjekteve fiktive, nga mospagimi i detyrimeve tatimore në shuma të mëdha, kanë shkaktuar dëm ekonomik që kap vlerën e rreth 6 milionë euro, njoftonte policia.