Nuk ka cep të ditës që opozita e bashkuar të mos shënjestrojë, bombardojë, të “gozhdojë” kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. E sulmon me një arsenal armësh të rënda për ta detyruar atë të tërhiqet pa kusht, të hapë krahun nga drejtimi i shtetit, duke e akuzuar se e shpopulloi Shqipërinë.
Kanë kohë që e kanë vënë në grykë të topit liderin e mazhorancës Edi Ramën, pasi “ai ia ka marrë frymën shqiptarëve”. E theksojmë faktin se e gjithë opozita e bashkuar kërkon largimin, vetëm të Ramës, ndërsa me mazhorancën kritikat, akuzat i kanë më të kufizuara. Përse i trembet opozita kryeministrit në detyrë, Edi Rama? Ka disa arsye, të cilat në një mënyrë, apo në një tjetër, ato dihen për opinionin e gjerë publik, për njerëzit, për votuesit.
Kryeministri Rama është akuzuar vijimësisht si “njeri i lidhur me krimin, është bashkëpunëtor i trafikimit të lëndëve narkotike, është mbështetës kryesor i njerëzve që kanë kryer vepra të rënda penale”. Kështu është shprehur me tone të forta opozita, lideri historik dhe shpirtëror i Partisë Demokratike, Sali Berisha, lideri në detyrë Lulzim Basha. Në një linjë janë shprehur liderja e LSI Monika Kryemadhi, por edhe drejtues të disa partive të vogla që strehohen nën ombrellën e demokratëve të Berishës. Edi Rama është shënjestruar dhe akuzuar vazhdimisht për “kanabizimin e Shqipërisë, për kapjen e shtetit, për prishjen e marrëdhënieve me Kosovën, për komprometimin e ndërkombëtarëve, zaptimin e organeve të drejtësisë, duke e kthyer shtetin në një shtet mafioz”. Ka disa arsye që opozita mendon dhe arsyeton se Edi Rama e ka tradhëtuar popullin shqiptar, kombin shqiptar.
Disa protagonistë nga opozita e bashkuar kërkojnë të injorojnë kontributin e madh që ka dhënë kryeministri në instalimin e shtetit të së drejtës duke çmontuar korrupsionin që i ka lënë shqiptarët për afro tridhjetë vjet pa i integruar në qytetërimin europian. Harrojnë opozitarët e sotëm dhe të djeshëm se ishin ata që drejtonin politikën dhe shtetin kur shqiptarët i vrau politika e zezë e drejtuesve të tyre në vitin 1997. I hodhën në det, i mbytën shqiptarët, që kërkonin liri, demokraci, kërkonin shoqëri me standard, si gjithë Europa. Edi Rama në atë kohë nuk ishte përfshirë as në shtet, as në sipërmarrje të frikshme që e bënë Shqipërinë një varrezë publike. Edi Rama është bërë politikan dhe qeveritar shumë kohë më vonë, kur Shqipërinë e shkretuan bandat e drogës që filluan në Lazarat dhe mbërritën në Kolumbi. Përse e ka halë në sy kryeministrin, liderin e mazhorancës socialiste, opozita e demokratëve të Bashës dhe LSI të Monës?
Nuk e duan në krye të qeverisjes së mazhorancës, sepse ishte ai i pari që kërkoi reforma radikale për të çmontuar shtetin e llumit, shtetin e krimit, shtetin e një drejtësie të kapur kokë e këmbë nga politika zhvatëse, nga sekserët e gjykatave dhe prokurorisë, të bërë njësh me krimin. Ishte kryeministri ai që thirri ndërkombëtarët për të krijuar standarde europiane për të larguar çakejtë nga institucionet e shteti për t’i dhënë popullit, qytetarëve institucione me norma e rregulla të pranuara ndërkombëtarisht, por edhe nga vetë shoqëria shqiptare. Edin nuk e duan zullumqarët sepse, reformat e reja i nxjerrin nga strofulla e krimit. Reforma në drejtësi është një shembull gjigant, që tregon pse opozita e ka halë në sy Edi Ramën. Janë larguar nga sistemi i drejtësisë të gjithë ata që kanë vjedhur me të dy duart, janë pasuruar aq shumë sa dhe vetë çuditen se si, në kaq pak kohë, kanë vënë prona marramendëse.
Opozita nuk lë rast pa përmendur Edi Ramën, sikur ky të ishte organizator i të gjithë të këqijave. Gjyqtarët, prokurorët që u kapën me presh në dorë nuk i korruptoi as kryeministri, as mazhoranca e sotme. Ata u bënë të tillë, falë heshtjes së gjatë të qeverisjeve të ardhur me rotacion politik. Askush nuk guxonte të drejtonte gishtin tek drejtësia, si një nga sistemet më të korruptuara të këtij shteti. Askush! Ndodhte kështu sepse ata ishin nën mbrojtjen e politikës kënetë, e cila u bë bashkëautore në kriminalizimin e sistemit. Njerëzit ishin të bindur që korrupsioni qe ngritur në këmbë, ndërsa strukturat e shtetit i bindeshin ulur në gjunjë peshqve të mëdhenj të politikës dhe qeverisjeve të kompromentuara. Opozita ka kohë që kërkon qeveri teknike për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Për zgjedhje të lira e të ndershme është edhe mazhoranca, është çdo shqiptar, çdo votues. Këtë po ngulin këmbë të bëjnë edhe ndërkombëtarët, të cilët janë më shumë të interesuar për reforma të thella, për të patur rezultate të pakontestueshme.
Mazhoranca dhe Edi Rama kanë në prioritet kërkesat e OSBE/ ODIHR-it, në mënyrë që të hartohet një kod zgjedhor i gjithëpranueshëm dhe efektiv, ku të përfaqësohet i gjithë spektri politik në vend. Edhe kur ndodh kështu partitë e Bashës, Monës dhe ca parti-shoqata kërkojnë të largohet Rama dhe “problemet marrin rrugën e zgjidhjes”. I tremben kryeministrit në detyrë sepse, jo se Rama do u vjedhë pushtetin, por sepse kanë një merak të madh: në rast humbjeje si do ja bëjnë për të shfajësuar nga kjo traumë, e cila ka kosto të lartë politike, shoqërore, sociale për opozitën. E kanë më të lehtë të ngrenë alibi, të sajojnë, hamendësojnë skena imagjinare, sikur Rama është hipnotizuesi më i madh që ka parë bota dhe nuk merren me riorganizimin e partisë që e kanë copë-copë.
Një shtet i fortë, një shoqëri solide, një qeverisje efektive, nuk bëhen dot të tilla, nëse nuk punohet me frymë bashkëpunimi për të ndërtuar marrëdhënie parimore në princip, po nuk u kërkua mirëkuptim dhe forcim të institucioneve shtetërore dhe shoqërore. Vetingu në drejtësi, por edhe ngritja e SPAK, BKH, OFL, Gjykata Speciale, KLP, KLGJ dhe shumë struktura të tjera vendimmarrëse e ligjzbatuese nuk janë pronë e Edi Ramës. As edhe e askujt tjetër. Ato janë pronë e popullit shqiptar, janë pasuri e shqiptarëve, të cilët më në fund, pretendohet se shteti po formatohet dhe me strukturat e ngritura diçka pozitive do ndodh. Situata është kjo që duket, shihet me sy, ndjehet. Kjo që ndodh realisht nuk është provë për hileqarët, për xhelozët, ziliqarët, të cilët i shohin zhvillimet me lupën e opozitarizmit, “Rama ka kapur ndërkombëtarët”.
Të jetë kaq i zoti ky njeri do të thotë të ishte gjeni. As Rama, as Ramët e tjerë nuk e kanë fuqinë dhe mendjen për të blerë ekspertë nga Europa që t`a bëjnë Ramën të gjithëpushtetshëm. Janë gati t’i veshin qyrkun e dështimit të madh mazhorancës dhe personalisht kryeministrit në sy të botës, vetëm pse kështu mendon ish-kryeministri Berisha, kryetari i opozitës Basha dhe ca të tjerë, që bëjnë iso polifonie. Sfidat e Ramës e lënë pa gjumë opozitën. Janë ngritur plot alibi, janë ngritur akuza fantazmë, është përçmuar si lidership, si drejtues shteti, por të gjitha këto kanë rënë falë karakterit të fortë të shefit të mazhorancës dhe qeverisë, i cili ka orientime të fiksuara mirë në ecurinë e reformave dhe standardizimit të tyre, pavarësisht strategjive që ndërtojnë opozitarët e rrugës. Grumbullimi i 1.15 miliardë euro për ndërtimin e objekteve të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 dëshmojnë se Rama është mazhorancë, edhe pse i vetëm arriti të bindë botën se popujt kërkojnë liri, mirëkuptim, kërkojnë njerëzillëk, humanizëm, duan të jetojnë në harmoni me njëri-tjetrin, paçka se bëhet shantazh, ngrihen dyshime, prishen ura miqësie të infektuara rëndë nga koronakorrupsioni i shfrenuar./NGA SOKRAT NDREÇKA/ Titulli orgjinal: Opozita e ka tmerr kryeministrin Edi Rama!