Partia Demokratike pritet të dorëzojë pranë Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve kërkesën për shpallje të pavlefshme të rezultatit të zgjedhjeve të 25 prillit për 9 qarqe në vend. Dosja me provat ku bazohet ky ankimim do të dorëzohet të dielën nga ekspertët ligjorë të PD-së.
PD kërkon që të ketë rivotim për 9 qarqet si Kukës, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Gjirokastër, Korçë dhe Vlorë. Sipas PD në terren janë mbledhur fakte nga numëruesit dhe vëzhguesit mbi parregullsitë e procesit zgjedhor dhe manipulimit të rezultatit.
Kërkesa e PD-së bën fjalë për shpallje të pavlefshme të rezultatit për të 9 këto qarqe pasi PD pretendon se procesi nuk ka qenë i drejtë dhe vullneti është deformuar. Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku deklaroi se PD do të vazhdojë të hetojë çdo shkelje të ligjit. Ajo akuzoi qeverinë se është bërë palë me partinë në këto zgjedhje duke i bërë presion votuesve e duke përdorur çdo burim nga administrata në favor të tyre.
Sipas saj PD do të vendosë para ligjit këdo që ka cenuar zgjedhjet e lira e të ndershme. “Nuk ka më një ndarje mes shtetit dhe partisë, pasi i gjithë shteti ishte në funksion të zgjedhjeve. Blerja masive e votave, përdorimi i të gjitha burimeve financiare shtetërore, presione mbi votuesit tregojnë që i gjithë shteti ishte në fushatë. PD ka deklaruar se do të vazhdojë me hetimin dhe të vendosë përpara drejtësisë kushdo që ka shkelur ligjin.
Ne kemi çuar mbi 50 raste në SPAK dhe 130 raste në prokuroritë e rretheve dhe kemi kërkuar pavlefshmëri të rezultatit aty ku ka patur shkelje madhore”, tha Tabaku. Po ashtu edhe LSI ka ankimuar rezultatin e zgjedhjeve në KAS, për Qarkun e Gjirokastrës duke kërkuar që të shpallen të pavlefshme zgjedhjet në Bashkinë Dropull. Në ankimim, LSI sqaroi se urdhri për vetëkarantinimin e detyrueshëm tregon se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka patur si qëllim të godasë drejtpërdrejt LSI.
Kreu i LSI, Monika Kryemadhi u shpreh se pas ankimimeve të para, LSI do të vazhdojë të evidentojë problematikat. Sipas saj me vigjilencë dhe qetësi do t’i shkohet deri në fund zbardhjes së të vërtetës. “Grupi i juristëve i angazhuar pranë LSI për çështjet zgjedhore, dorëzoi sot ankimimet e para për procesin e 25 prillit. Kështu do të vazhdojnë me radhë, për të gjitha problematikat e evidentuara. Me vigjilencë dhe qetësi, t’i shkojmë deri në fund zbardhjes së të vërtetës”, tha ajo.