Partitë opozitare në vend duket se po tentojnë ta joshin elektoratin me figurat e ‘reality show’.
Aktorja Julia Ilirjani, tenori Armaldo Kllogjeri, Fotini Derxho dhe Jetmir Salaj, të katërt ish-banorë në edicionet e Big Brother Vip do të kandidojnë për zgjedhjet e 11 majit.
Në qarkun e Elbasanit, Sali Berisha ka menduar të kandidojë Armaldo Kllogjerin. Mes emrave të listës së hapur ishte dhe ai i tenorit në fjalë, i cili ishte pjesë e edicionit të dytë të “Big Brother VIP Albania”.
Edhe aktorja Julia Ilirjani do të kandidojë në zgjedhjet e 11 majit krah Partisë Demokratike. Ish-banorja e “Big Brother VIP 3” do të jetë pjesë e listës së kësaj force politike në qarkun e Tiranës, listë e cila udhëhiqet nga vetë Sali Berisha.
Gjithashtu një tjetër ish-banore e Big Brother që do të kandidojë për deputete në zgjedhjet parlamentare të 11 majit është dhe Fotini Derxho, e cila kryeson listën e partisë Mundësia të Agron Shehajt në qarkun e Gjirokastrës.
Listës së “yjeve” të BBV që kalojnë në sferën politike i bashkohet dhe Jetmir Salaj i cili do të kandidojë për deputet në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, si pjesë e listës së partisë “Shqipëria Bëhet”, e drejtuar nga Adriatik Lapaj.