Opozita e dirigjuar nga Basha, Berisha, Kryemadhi dhe Meta ka nisur sulmet ndaj kryeministrit Edi Rama. Dy ditë më parë shefi i qeverisë ishte për një takim elektoral në qytetin e Librazhdit dhe Prrenjasit në kuadër të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, por ai dhe eskorta e tij është sulmuar nga militantë të opozitës. Këta të fundit ishin organizuar në çeta, të cilat i ngjanin atyre të vitit 1997, duke u mobilizuar në hyrje të qyteteve, e duke i zënë pritë Ramës dhe zyrtarëve të tjerë të mazhorancës.
Menjëherë sapo Rama dhe eksponentë të lartë të Partisë Socialiste kanë hyrë në këto qytete, janë sulmuar me gurë dhe sende të tjera të forta, si shashka e bomba molotov. Por, përveç sulmit fizik ndaj eskortës së kryeministrit Edi Rama, ndaj këtij të fundit nuk kanë munguar edhe sulmet verbale. Situata degradoi deri në atë pikë, sa u desh ndërhyrja e forcave speciale dhe policisë për të vënë nën kontroll situatën dhe neutralizuar militantët e tërbuar të opozitës.
Ndërkohë, sipas policisë 7 persona janë arrestuar dhe 16 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë për protestën në hyrje në Librazhdit kundër kryeministrit Edi Rama, i cili ishte atje për takime elektorale. Mes të arrestuarve është ish-deputeti demokrat Aurel Bylykbashi, dhe 6 drejtues e zyrtarë të degëve të Partisë Demokratike në Bashkitë e Qarkut të Elbasanit. Policia thotë se ata janë arrestuar bazuar në pamjet filmike dhe raportet e shërbimit, për protestë të paligjshme, pengim të qarkullimit të mjeteve dhe pengim të subjekteve zgjedhore.
Sipas Policisë mbështetësit e opozitës tentuan të pengojnë eskortën e Kryeministrit dhe e goditën me sende të forta e lëndë plasëse piroteknike. Po kështu ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë, për të njëjtat vepra penale edhe për 16 pjesëmarrës në protestë. Megjithatë, Partia Demokratike ka paralajmëruar se protestat do të shoqërojnë të gjitha takimet elektorale të kryeministrit Edi Rama në kuadër të fushatës zgjedhore që ai po zhvillon për zgjedhjet e 30 qershorit.
Rama sulmohet edhe në Patos, Mallakastër e Roskovec
Mirëpo, nuk ndalet me kaq, pasi kryeministrit Edi Rama çetat e urdhëruar nga binomi :Meta-Berisha”, i kanë zënë pritë dhe sulmuar edhe dje në turin elektoral të zhvilluar në bashkitë e qarkut të Fierit. Në Patos qindra banorë kanë bllokuar rrugën dhe kanë sulmuar eskortën e kryeministrit, por Rama ka zgjedhur të kalojë nga një tjetër aks.
Ndërsa në Mallakastër numri i pjesëmarrësve ka qenë më i lartë dhe më i mobilizuar. U desh ndërhyrja e efektivëve dhe forcave speciale për të vënë nënkontroll situatën. Megjithatë, eskorta e kryeministrit kaloi e paprekur. Edhe në Roskovec kryeministri është pritur me thirrjet e protestave. Gjatë fjalës Rama edhe një herë theksoi se kriza është krijuar prej opozitës dhe se asgjë nuk ndryshon për votimet në 30 qershor Për Ramën, Meta nuk kishte të drejtë të anulonte votimet.
Ndërkohë që, në përfundim të protestës, mbështetësit e PD janë mbledhur përpara bashkisë së Mallakastrës, ku ishte i pranishëm edhe kryebashkiaku Agron Kapllanaj, i cili tha se nuk ka zgjedhje në 30 qershor. “Ne jemi më të vendosur se kurrë në Mallakastër në 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje. Fatin e keni ju në dorë se kush do ta drejtojë Mallakastrën. Mallkastra i ka thënë Ramës ik që në 2015. Edi Rama në Mallakastër si kryeministër nuk do të vije më”, deklaroi Kapllanaj. /Rigels Seliman