Lulzim Basha u kritikua në sy se nuk po bën më opozitë politike nga analisti Artan Fuga. Basha e cilësoi të drejtë analizën e Fugës, i cili kërkonte të bëhej politikë gjatë kësaj kohe, me pretendimin se vetëm kështu zgjidhen krizat.
Teksa po komentonte këto deklarata, lideri i PD-së tha se opozita nuk do të bërtasë më, por vetëm do të denoncojë, protestojë dhe të ngrejë zërin ndaj padrejtësive.
Mirëpo një deklaratë e tij duket sikur është një thumbim ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, pasi Basha tha se qytetarët duan opozitën që drejton ai.
“Analiza është e drejtë. Pandemia ka 6 javë që zgjat. Opozita ka marrë vendimin e duhur jo për të mos bërë politikë, por për të ruajtur shëndetin e shqiptarëve.
Nuk ka gjë më politike një kohë të tillë, që unë e kam quajtur regjim i Facebook-ut, se opozita të propozojë përpara një qeverie të çoroditur disa mënyra si të ndihmohen shqiptarët.
Propozimet tona e vunë në presion qeverinë. Opozita nuk është për të bërtitur. Ka ardhur koha e një opozite që jep alternativa, që ngre zëri ndaj padrejtësisë, ka opozitë që denoncon, që proteston.
Këtë opozitë duan shqiptarët, këtë opozitë drejtoj unë. Dhe ka bërë protestat më të mëdha në 30 vite”, deklaroi kryedemokrati në studion e Syri Tv.
Ndërkohë, kujtojmë se Basha doli kundër Sali Berishës edhe për protestat, pasi deklaroi se nuk është koha për të bërë protesta, ndonëse nga ana tjetër ish-kryeministri kërkoi që qytetarët të dalin në shesh./