Përkrahja e të drejtave të njeriut në Shqipëri dhe mbështetja për institucionet që trajtojnë shkeljen e tyre, e sidomos institucionet e reja të drejtësisë është në thelb të punës së Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.
Për këtë arsye OSBE zhvilloi dje një tryezë, fokus i së cilës ishte implementimi i reformës në drejtësi, e cila është teje e rëndësishme për të reformuar sistemin dhe do të minimizonte shkeljen e të drejtave të njeriut në vendin tonë. Përmes një statusi në rrjetet sociale, OSBE bën të ditur se duhet të rritet monitorimi ndaj institucioneve të drejtësisë, mënyrë kjo që sipas saj, do të shërbente për të lehtësuar dialogun, që do të krijonte një mjedis më të favorshëm për trajtimin e çështjeve individuale të shkeljes së këtyre të drejtave.
“Përkrahja e të drejtave të njeriut në Shqipëri dhe mbështetja për institucionet që trajtojnë shkeljen e tyre është në thelb të punës së Prezencës së OSBE-së. Këtij qëllimi i shërbeu edhe një tryezë, që organizuam të hënën, bashkë me institucionin e Avokatit të Popullit, për rolin e këtij të fundit në mbrojtjen dhe përkrahjen e të drejtave të njeriut. Pjesëmarrësit diskutuan për sfidat e kornizës ligjore dhe përputhjen e saj me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Veprimtaria shërbeu edhe për të lehtësuar dialogun, që do të krijonte një mjedis më të favorshëm për trajtimin e çështjeve individuale të shkeljes së këtyre të drejtave. Tryeza pason përpjekjet e mëparshme të Prezencës në mbështetje të institucioneve të të drejtave të njeriut, veçanërisht rritjen e kapaciteteve për monitorimin dhe raportimin e tyre. Po ashtu, Prezenca e OSBE-së ka ndihmuar për hartimin dhe miratimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi të përbashkët mes institucioneve kombëtare të të drejtave të njeriut”, thuhet në reagimin e OSBE. Ndërkohë, dy ditë më parë ambasadori i Bernd Borchardt deklaroi OSBE dhe partnerët e tjerë mbështesin reformën në drejtësi dhe ngritjen e SPAK e BKH. Sipas tij, lufta ndaj korrupsionit domosdoshmëri për të reformuar sistemin. “Për të siguruar një sistem drejtësie të drejtë dhe të efektshëm, ka edhe nisma të tjera, që po ecin paralelisht. Të gjithë e dimë ndryshimin të cilit po i nënshtrohet sistemi i drejtësisë në Shqipëri: Veting-u i punonjësve të drejtësisë vijon, ndërsa Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë, me shpresë, do të jenë funksionale së shpejti; Do të ngrihen organe të reja kundër korrupsionit si SPAK-u”, deklaroi Borchardt.