Nga Kreshnik Spahiu
Historikisht serbët dhe grekët, kanë pretenduar se shqiptarët kanë paaftësi shtetformuese.
Pas pavarësisë së merituar por pjesërisht të realizuar nga amerikanët dhe NATO, Kosova po shfaq probleme serioze në shtetformim.
A është rastësi që viti 2025 është vit krize në Kosovë?
Sigurisht jo. Në diplomaci nuk ka rastësi.
Që nga shkurti, kur SHBA ndryshoi kursin në politikën e jashtme, Kosova mbeti pa qeveri të mandatuar dhe pa Kuvend të konstituar.
SHBA për më shumë se një vit nuk ka ambasador të emëruar në Kosovë, Shqipëri dhe Serbi. Indiferenca amerikane po nxjerr në pah problemet e para serioze të Kosovës, e cila po shfaq hapur paaftësinë për të qenë një shtet i fortë e sovran pa asistencë ndërkombëtare.
Kosova ka rënë pre e egoizmit dhe bajraktarizmit të disa politikanëve tejet provincialë, me në krye Albin Kurtin, i cili për shkak të fiksimit pas pushtetit, rrezikon t’i vërë kazmën shtetit.
Pse përgjegjësia bie mbi Albin Kurtin?
1. Sepse Albin Kurti është kryeministri i pamandatuar dhe i pavotuar 51%, që ka 9 muaj që e mban zvarrë Kuvendin e Kosovës jo funksional.
2. Sepse Kuvendi nën drejtimin e tij funksionon më keq se Kuvendi në ilegalitet i Rugovës pas viteve 90 nën pushtimin serb.
3. Sepse për 9 muaj gënjeu popullin se kishte shumicën për të formuar qeverinë, por në fund rezultoi mashtrim.
4. Sepse në këtë periudhë “gjysmë shteti” ai keqpërdori pushtetin duke ushtruar diktat mbi Kuvendin, mbi prokurorinë, gjykatën kushtetuese, ndërkombëtarët dhe mediat.
5. Sepse për 9 muaj e largoi Kosovën nga Shqipëria më shumë se në 100 vitet e fundit.
6. Sepse ka bllokuar çdo njohje të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
7. Sepse bën sikur nuk kupton parimin bazë të demokracisë: pushtetin nuk e krijon vetëm partia e parë, por shumica parlamentare.
Në fund, çfarë kërkonte Albin Kurti?
Ai ëndërronte që shumica të votonte pakicën, dhe ai të qeveriste i vetëm pa koalicion. Thjesht ta votonin se është “burrë” i mirë por pushtetin nuk e ndan.
Beogradi ka ëndërruar gjithmonë që shqiptarët të shkatërrojnë shtetin në luftën për pushtet.
Serbët gëzohen kur shohin një Kosovë pa Kuvend funksional dhe pa qeveri të mandatuar.
Beogradi është edhe më i lumtur kur një qeveri gjysmake në Prishtinë shpall armiq të gjitha partitë shqiptare në Kosovë, Shqipëri, Preshevë, Maqedoni e Mal të Zi.
Ironikisht kjo luftë kundër gjithë spektrit politik shqiptar në rajon vjen nga ata që mashtruan popullin me flamurin e “bashkimit kombëtar”, por sot kanë zyrtarizuar konceptin e një kombi kosovar të izoluar.
Albin Kurti me egoizmin e tij është gati të ndaj shtetin por jo pushtetin.






