Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i dështuar deri tani në zgjedhjen e Kristian Panuçit në krye të Kombëtares, për shkak se tekniku italian nuk e ka treguar veten në më shumë se një vit se është i duhuri për të drejtuar skuadrën përfaqësuese të Shqipërisë, në daljet e tij në media tha se kishte një sulm të organizuar ndaj trajnerit, duke mos e fshehur presionin për shkarkimin e tij.
Por ky presion ushtrohet nga të djathtët në formë hakmarrje për shkak të padisë që tekniku italian ka bërë në Gjykatën e Tiranës ndaj ish-presidentit Nishani për fyerje dhe ku i kërkon 100 mijë euro dëmshpërblim. Presioni po bëhet duke përdorur disa anëtarë të Komitetit Ekzekutiv. Këta të fundit i kanë “rekomanduar” Dukës të shkarkojë Panuçin.
Vetë Duka ka pranuar se Panuçi ka gabuar me padinë, por nga ana tjetër është kujdesur që të mos e shkarkojë trajnerin, pasi një lëvizje në këtë drejtim do të bënte që italiani të fitonte shumë para për prishje të njëanshme të kontratës. Duka po përpiqet të ulë zjarrin e ndezur, por i ka dalë situata nga kontrolli pasi Panuçi e ka marrë seriozisht këtë cështje, një përplasje që ai po i shkon deri në fund, dëshmuar dhe me padinë e riformuluar dje në Gjykatën e Tiranës.
A po luan rol në këtë çështje funksionari i PD-së Enkelejd Alibeaj, njëherësh anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së? Kjo mbetet të shihet, por dyshimet janë të forta që po, është një mënyrë presioni ndaj kreut të FSHF-së që të shkarkojë Panuçin, me justifikimin se nuk ka rezultatet e duhura, por në fakt ka lidhje me padinë që i është bërë Nishanit. /Pamfleti Sport