Zbardhen detajet e votave në Gjykatën Kushtetuese për rrëzimin e presidentit lidhur me zgjedhjet vendore. Më 4 nëntor, Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e Shoqatës së Bashkive për të shpallur të pavlefshëm 30 qershorin.
Të gjithë janë në pritje të vendimit të zbardhur, por gazeta ka mësuar se kemi pasur një ndarje të votave 5 me 2. Sipas burimeve, anëtaret Sonila Bejtja dhe Marsida Xhaferllari kanë qenë pro kërkesë së shoqatës duke kërkuar përsëritjen e zgjedhjeve, ndërsa mësohet se 5 anëtarët e tjerë kanë qenë kundër duke sjellë dhe vendimin final. Sipas burimeve, ka qenë vendimtare vota e kryetares në detyrë Vitore Tusha.
Edhe pse ishte folur gjatë se Meta kishte 3 të besuar në Kushtetuese, duket se tashmë i kanë mbetur vetëm dy. Marsida Xhaferllari është personi për të cilin Meta bëri një luftë të ethshme para dy vitesh. Ajo ishte e katërta në renditje dhe nuk duhej të emërohej.
Nga ana tjetër nuk pati veting për të. Mirëpo presidenti e emëroi duke u përplasur me mazhorancën dhe me KED. Pra duket se lufta që bëri Meta i dha një anëtare besnike. Emri tjetër është Sonila Bejtja, e cila dihet që është mbështetëse e presidentit. Ajo para se të bëhej anëtarë e kishte shfaqur hapur bindjen e saj. Ndërkohë është bashkëshortja e gazetarit Andi Bejtja, i cili po ashtu i ka bërë publike qëndrimet e tij politike.
Shkarkimi i Metës
Që një vendim të merret në Kushtetuese, duhen minimalisht 5 vota. Nëse do kishte një rezultat 4 me 3 vendimi do të ishte nul. Por kjo ndarje është dhe një lloj mesazhi. Kushtetuesja tani ka në dorë një çështje akoma dhe më të rëndësishme, atë të shkarkimit të presidentit. Edhe pse zgjedhjet vendore dhe shkarkimi janë krejt të ndara, sinjalet janë se presidenti nuk e ka nën kontroll Kushtetuesen.
Edhe pse luftoi fort që të kishte të paktën 3 të besuar të tij aty, vendimi për zgjedhjet vendore e tregon qartë se nuk i ka këto numra. Të sigurta janë vetëm dy vota dhe arsyet dihen. Anëtarët e tjerë kanë qenë në vazhdën e ligjit duke mos mbajtur krah politik. Ndërkohë nëse KED zgjedh dhe 3 emrat e fundit në Kushtetuese, situata do të vështirësohet për Metën.
Shkarkimi i tij po vonon ndërkohë që duket sikur Kushtetuesja nuk është gati dhe nëse bëhet plotësimi i vakancave sinjalet janë se do ketë më shumë vota kundër presidentit. Mbetet të shihen zhvillimet, por ndarja 5 me 2 për zgjedhjet vendore është një sinjal mjaft i fortë për kreun e shtetit. Në fillim të dhjetorit Kushtetuesja do të publikojë vendimin e zbardhur dhe aty do të shihen të gjitha argumentet e atyre që kanë votuar pro dhe të merave që kanë votuar kundër.
Zgjedhjet e pjesshme
Vendimi i Kushtetueses do të vendosë dhe nëse do kemi një tjetër konflikt mes mazhorancës dhe presidentit për zgjedhjet vendore. 6 bashki janë pa kryetarë dhe presidenti nuk dekreton zgjedhje të reja sepse ishte në pritje të Kushtetueses. Tashmë do të shihet nëse Meta e njeh këtë vendim apo jo. Para 25 prillit ai lëshoi disa mesazhe ndaj gjykatës ku shprehej se nëse ajo linte në fuqi 30 qershorin do dëshmonte se reforma ka rënë. Deri më tani Meta nuk ka folur dhe të gjithë presin vendimin e zbardhur.