Me kalimin e orëve, situata në pikën kufitare të Kalimit në Kakavijë sa vjen dhe po rëndohet. Nëse dikur shkaku ishte kompjuteri që nuk punonte çdo 2 ditë, në ditët e sotme është tamponi.
Prej tre ditësh, qindra qytetarë qëndrojnë mes temperaturave të larta, diellit të fortë, por edhe gjatë natës ose në pritje në rrugë për të bërë testin e tamponit, në një radhë që ka shkuar deri në Jorgucat, afërsisht 10 km nga Kakavija. Janë 3800 makina me rreth 10 mijë persona që duan të ikin në Greqi, para se të hyjë në fuqi vendimi për karantinim 7 ditor.
Por çfarë ka ndodhur? Shtimi i rasteve me Covid-19 ka alarmuar autoritetet greke, që kanë vendosur që prej mesnatës së datës 5 gusht, duke filluar nga ora 23:00 dhe deri në orën 07:00 të çdo dite, dogana e Kakavijës të mbyllet për të gjithë kalimtarët. Gjatë ditës funksionon normalisht.
Autoritet greke kanë njoftuar se duke filluar nga ora 00.01 e datës 16 gusht, dhe në vazhdim, kushdo që kthehet nga Shqipëria do të duhet të rrijë karantinë 7 ditë.
Në doganën e Kakavijës, janë vendosur ekipe të Forcave të Armatosura, të cilat asistojnë autoritet shëndetësore teksa kryejnë teste tek kalimtarët në pikën e Kakavijës. Për të kaluar në shtetin fqinj lëvizja është e lejuar vetëm për shtetasit grekë, shtetasit shqiptarë e të huaj me leje qëndrimi greke dhe minoritarë me kartën përkatëse.
Procedura e marrjes së tamponit është pikërisht arsyeja e trafikut të krijuar në këtë pikë kalimi. Mësohet se vonesat vijnë për shkak të punës së Shërbimeve të Shëndetësisë që janë vendosur në pikën kufitare greke, jo për shkak të policisë greke apo doganës. Situata u paraqit edhe më e rënduar në mesditën e djeshme pasi pala greke vendosi pezullimin e punës.
Kjo situatë ka bërë që qytetarët të nisin revoltën dhe kërkojnë të kalojnë në Greqi. Ata shprehen të indinjuar, por thanë se do vazhdojnë të presin edhe pse kaluan natën jashtë e janë të lodhur.
“Mos e diskuto fare. Edhe nesër jo. Nuk e dimë çfarë bëhet. Shiko ku vajti radha, në Gjirokastër. Kam fëmijën me aftësi të kufizuara. Nëse fëmija qëndron shumë në diell, pëson krizë. Duhet të ikim se s’bën”- shprehet njëri prej emigrantëve.
Mësohet se gjendja shëndetësore e një qytetareje në Kakavijë është rënduar, ku që prej mbrëmjes së djeshme ajo ka shfaqur probleme. Kryetari i Bashkisë Finiq, Kristo Kiço i ka bërë thirrje autoriteteve greke të hapin pikën doganore të Qafë Botës për të shmangur radhët e gjata në pikën kufitare të Kakavijës.
Ndërkohë që nga pala shqiptare, punonjës dhe sportele të gatshëm rrinë në gatishmëri, por për shkak të ngadalësisë nga grekët, pala shqiptare nuk mund të pranojë më shumë shtetas. Ndërkohë nga të dhënat e djeshme mësohet se shërbimet e DVKM Gjirokastër, kanë përpunuar një numër prej 3210 shtetasish në hyrje–dalje, nga të cilët 1010 në hyrje dhe 2200 në dalje.
Nga Ministria e Jashtme shqiptare nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar, por edhe kur mediat janë interesuar, komenti ka qenë krejt steril dhe është mjaftuar vetëm me një shpjegim apo një justifikim të palës greke, që po bën tamponat në kufi.
Duk iu përgjigjur interesimit të Abc News në lidhje me situatën kaotike në Kakavijë, Ministria e Jashtme thotë se kanë kontaktuar me palën greke dhe është konstatuar se vonesat nuk shkaktohen nga policia, po prej autoriteteve shëndetësore.
“Është realizuar takim me drejtues të palës greke dhe theksojmë se problemi në lëvizje nuk krijohet nga autoritetet policore greke apo ato doganore, por nga autoritetet shëndetësore në Pikën e Kalimit Kufitar të palës greke. Teksa në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë, puna vijon normalisht.
Në Pika Kufitare të tjera, pala greke nuk kryen procedura hyrje/dalje, për mjete dhe shtetas, por procedon vetëm raste urgjente”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë se Jashtme, që ështe mjaftuar me kaq, duke lënë në mëshirë të autoriteteve greke, dhjetëra mijëra emigrantë.