Nga Labinot Nimani, Valon Rashiti
Bendi fashist serb “Riblja Corba”, do të mbajë koncert këtë të enjte në qytetin e Leposaviç-it në Kosovë.
Frontmeni, Bora Gjorgjeviç, ka qenë gjithmonë i zëshëm kundër shtetit të Kosovës dhe ka pasur qëndrime të ashpra duke e quajtur Kosovën “shtet të trilluar”.
Ishte pikërisht Gjorgjeviç që ka njoftuar për koncertin në komunën veriore të Kosovës.
Gjorgjeviç ishte aktiv me komente dhe qëndrime edhe gjatë luftës.
Grupi “Riblja Corba” madje kishte krijuar edhe një këngë kundër NATO-s.
“Avion do të t’i thyej krahët”, ishte titulli që ia dëshironte dështimin aleancës që ndihmonte Kosovën.
Por, ndryshe nga polemika e madhe e krijuar për përformancën që këngëtari Goran Bregoviç, pritet ta ketë në Festivalin e Birrës në Korçë, për “Riblja Corba” nuk ka pasur fare reagime dhe as kundërshtime për mbajtjen e koncertit.
Historiku i këngëve plotë fashizëm i grupit “Riblja Corba”
Grupi muzikor serb, “Riblja Corba” është një nga bendet më të vjetra në Serbi, por jo edhe më i suksesshmi, i themeluar në vitin 1978 dhe i njohur gjerësisht për nacionalizmin e tepruar dhe nxitjen e dëshirës për përçarje në Ballkan.
Në fillimet e tij bendi, “Riblja Corba”, kishte fituar popullaritet në pothuajse të gjithë Ballkanin, por që gjërat ndryshuan ndër vite pasi që tematikat e këngëve të tyre filluan të përzienin artin me politikë. Saktësisht, vokalisti i grubit, Bora Gjorgjeviç, ishte ai që në tekstet e tij shprehi hapur përkrahjen dhe adhurimin për mënyrën e të qeverisurit të Presidentit të asaj kohe të ish-Jugosllavisë, Slobodan Milloshoviç.
Në fillim të bombardimeve të NATO -s, “Riblja Corba” regjistroi këngën patriotike “Samo Sloga Srbina Spasava” (Vetëm bashkimi i shpëton serbët), e cila ishte mes këngëve më nacionaliste në gjithë historinë e muzikës serbe.
Gjithashtu, në fillim të viteve të 90-ta, Gjorgjeviç në bashkëpunim me grupin “Knin Mindusari”, publikoi këngën “E moj druze zagrebacki” (Oh, shoku im i Zagrebit), që ishte një përgjigje ndaj këngës kritikuese të Jura Stubliçit “E moj druze beogradski” (Oh, shoku im nga Beogradi).
Pikërisht kjo këngë i mbylli dyert “Riblja Corba” në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë, duke humbur përkrahjen e mediave në këto vende si dhe shumë fansave.
Gjorgjeviç vazhdoi me avazin e publikimeve të këngëve me përmbajtje nacionaliste, të tilla si “Njihovi Dani” e “Baba Jula”, madje kjo e fundit ishte një nga himnet e protestave të vitit 1996-1997 në Serbi.
Këngët ultra nacionaliste s’kishin fund, prandaj grupi në vitin 1997 publikuan albumin “Treçi Srpski Ustanak” (Kryengritja e Tretë Serbe), një album i mbushur me këngë të përzgjedhura nga sfera politike dhe me propagandë të plotë pro Serbisë dhe kundër shteteve tjera të Ballkanit.
Po atë vit, grupi “Riblja Corba” kishte zhvilluar një turne me motive politike të titulluar “Po slobodnim gradovima Srbije” (Rreth qyteteve të lira të Serbisë), i cili po ashtu u kritikua gjerësisht për tendencat nxitëse të urrejtjes.
Vend për admirim “Riblja Çorba” nuk kishin lënë as në Slloveni, pasi që ata kishin planifikuar një koncert në sallën “Tivoni”, por që të njëjtit grup iu ishin refuzuar vizat nga autoritetet sllovene. /Albanianpost.com