Përmes një akti normativ të posaçëm, qeveria ka ndryshuar buxhetin e shtetit për vitin 2022, duke rritur shpenzimet me 13 miliardë lekë.
Sipas “SCAN”, ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, ka sqaruar përballë deputetëve të Komisionit të Ekonomisë ndryshimet kryesore në buxhet, ku sipas saj është akomoduar paketa e re e rezistencës sociale si formë kompensimi ndaj rritjes së çmimeve me një fond prej 6.1 miliardë lekësh apo 52 milionë eurosh si dhe disa zëra të tjerë që kanë të bëjnë me çmimet në kostot e ndërtimit apo qiratë për të pastrehët e tërmetit të nëntorit 2019.
“6.1 mld lekë për zgjatjen e paketës antikrizë. 1.67 mld lekë për kompensimin e çmimit për materialet e ndërtimit të përdorua në punë publike. 4 mld lekë për rritjen e shpenzimeve kapitale me financim të huaj, për FSHZH. 1.72 mld lekë për subvencionimin e qirasë për familjet e prekura nga tërmeti. 1.2 mld lekë për blerjen teksteve falas dhe transportin e arsimtarëve”, u shpreh Ibrahimaj.
Por në kahun e shpenzimeve, janë shkurtuar kryesisht fondet e destinuara për punë publike, dhe bëhet fjalë kryesisht për projekte të reja, që kanë pasur ecuri të mirë apo të paprokuruara. “5.8 mld lekë për shpenzime korrente kapitale për zërat që s’kanë pasur ecuri të mirë. 2 mld leke shpenzime kapitale për investime publike, për ato që nuk janë prokuruar ende dhe ato me ecuri të dobët”, tha ministrja.
Ministrja u shpreh se për këtë vit dhe vitin 2023, parashikohet një reduktim i rritjes ekonomike për shkak të rënies së konsumit që vjen si rrjedhojë e rritjes së çmimeve. Sipas saj, kosto më e madhe është rritja e çmimit të energjisë elektrike dhe për të mos lejuar që të preket buxheti I familjeve, janë vënë në dispozicion 28 miliard lekë.