Pakistani bombardoi kryeqytetin e Afganistanit, Kabulin, dhe dy provinca të tjera të premten, disa orë pas një sulmi kufitar, që shënon përshkallëzimin e fundit të dhunës midis fqinjëve që nënshkruan një armëpushim të ndërmjetësuar nga Katari në vitin 2025.
Siç raportohet nga një zëdhënës i qeverisë pakistaneze, sulmet kanë vazhduar në Afganistan në orët e fundit. 133 talebanë janë vrarë dhe më shumë se 200 janë plagosur.
“Vdekja e 133 talebanëve afganë dhe plagosja e mbi 200 të tjerëve është konfirmuar. Vlerësohet se shumë më tepër njerëz janë vrarë në sulmet ndaj objektivave ushtarake në Kabul, Paktia dhe Kandahar.”, tha Mosharraf Zaidi, zëdhënës i kryeministrit Shehbaz Sharif,
Vetë kyeministri Sharif, tha të premten se forcat e armatosura të vendit të tij mund të “shtypin” agresorët dhe se kombi qëndron “krah për krah me forcat e armatosura”. Ndërsa ministri i Mbrojtjes i vendit shpalli “luftë të hapur” me fqinjin e tij.
Në një postim të publikuar të premten në X, ministri i mbrojtjes Khawaja Mohammad Asif tha se Pakistani kishte shpresuar për paqe në Afganistan pas tërheqjes së forcave të NATO-s dhe priste që talebanët të përqendroheshin në mirëqenien e popullit afgan dhe stabilitetin rajonal.
“Durimi ynë tani ka sosur. Tani është një luftë e hapur midis nesh”, tha ai.
Marrëdhëniet midis fqinjëve janë përkeqësuar në muajt e fundit, me kalimet kufitare tokësore kryesisht të mbyllura që nga luftimet vdekjeprurëse në tetor që vranë më shumë se 70 persona nga të dyja palët.
Islamabadi akuzon Afganistanin se nuk ka ndërmarrë veprime kundër grupeve militante që kryejnë sulme në Pakistan, gjë që qeveria talebane e mohon.
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, u bëri thirrje të dyja palëve të mbrojnë civilët siç kërkohet nga e drejta ndërkombëtare dhe të vazhdojnë të përpiqen të zgjidhin çdo mosmarrëveshje përmes diplomacisë.
Pakistani dhe Afganistani ndajnë një kufi prej 2,611 km të gjatë të njohur si Vija Durand, të cilën Afganistani nuk e ka njohur zyrtarisht.






