Pakti detar mes Shqipërisë dhe Greqisë ka trazuar shpeshherë kampet politike në Shqipëri.
Në vitin 2009, kur qeveria “Berisha” lidhi një marrëveshje me palën greke, opozita e atëhershme e kundërshtoi me forcë. Ekspertët kundërshtuan disa momente të rëndësishme, ku Shqipëria, sipas përllogaritjeve të tyre, humbiste një sipërfaqe ujore prej 335 kilometra katrorë.
Deklarata e ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kotzias, se pala shqiptare ka pranuar marrëveshjen për zgjerimin me 12 milje të kufirit grek, ka ndezur sërish politikën shqiptare. Ish-kryeministri Sali Berisha ka qenë një nga politikanët që ka sulmuar këtë marrëveshje. Më 1 shkurt 2018, Berisha do të deklaronte se “marrëveshja do të firmosej nëse do të kalonte mbi trupin e tij”.
Por, 9 vite më parë, ishte pikërisht Sali Berisha që firmosi marrëveshjen me shtetin grek për ndarjen e kufijve ujorë. Në atë kohë, kryeministri i tanishëm, Edi Rama, e kundërshtonte me forcë.
Pas deklaratës së Ramës, bashkëkryetari i mazhorancës së atëhershme, Ilir Meta, i kërkonte që të hiqte dorë nga shantazhi. Ndërkohë, në parlament, po në vitin 2009, deputetja Mesila Doda deklaronte se mazhoranca nuk do falte asnjë metër katror.
Marrëveshja u kundërshtua nga një grup i madh ekspertësh, sipas të cilëve, Shqipëria humbiste një territor të konsiderueshëm. Ekspertët thanë se Shqipëria humbiste plot 335 kilometra katrorë territor ujor, ndërsa matja bëhej në muret historikë të qytetit të Sarandës.
Në vitin 2010, Gjykata Kushtetuese rrëzoi marrëveshjen, me arsyetimin se është antikushtetues dhe nuk janë bërë matje të sakta.
Madje, Shqipëria humbiste sipërfaqe të konsiderueshme ujore.
Vendimin e Kushtetueses e mbështeti PS-ja nga foltorja e saj, ndërsa Meta do të deklaronte se Shqipëria do të zbatonte vendimin e gjykatës.
Pas këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese, pati sërish negociata për rikthimin e marrëveshjes detare. Këtë e deklaroi në vitin 2012 ish-ministri i Jashtëm, Edmond Panariti, i cili foli për një grup ekspertësh që kishin filluar punën.
Menjëherë pas kësaj deklarate, ish-kryeministri Sali Berisha mohoi punën e ekspertëve. Pas deklaratës së prerë të Berishës, edhe ish-ministri Panariti e mohoi punën e ekspertëve. Nga ana tjetër, gjatë muajve para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, Edi Rama kërkonte që të hidhej dritë mbi negociatat.
Aktualisht, qeveria “Rama 2” ka preferuar që të japë shpjegime për deklaratën e Kotziasit, apo për një marrëveshje me palën greke, vetëm nëpërmjet rrjeteve sociale dhe deklaratave për shtyp. /Top Channel