Një pjesë e madhe e bashkive në vend rrezikojnë të shkojnë sërish në zgjedhje. Zgjedhjet e 30 qershorit sollën përplasje të forta, por me uljen në tryezën e dialogut situata pritet të ndryshojë. Përveç faktit se rreth vjeshtës mund të kemi zgjedhje të parakohshme parlamentare, gazeta ka mësuar se edhe një pjesë e bashkive në vend mund të përfshihen nga ndryshimet.
Në korridoret e politikës po flitet se mund të ketë zgjedhje të pjesshme vendore. Partia Demokratike kërkon që të shkohet si në zgjedhje parlamentare ashtu edhe në lokale, por duket se është gjetur e mesmja e përbashkët. Në zgjedhjet vendore të 30 qershorit, nga 61 bashki që ka gjithë Shqipëria, në 34 prej tyre nuk kishte garë pasi ishte vetëm një emër në fletën e votimit. Në këto bashki nuk kishte garë dhe duke përfituar nga kjo gjë, opozita hodhi akuza se kryetarët e bashkive kanë marrë një mandat ilegjitim.
Por pakti i ri mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut demokrat Lulzim Basha pritet që të fusë në zgjedhje të pjesshme pikërisht bashkitë që kishin vetëm një kandidat në garë, në mënyrë që mandati i tyre të jetë legjitim dhe qytetarët të kenë mundësi zgjedhjeje për në pushtetin lokal. Mësohet se zgjedhjet në këto bashki janë një nga pikat e uljes së palëve në tryezë dhe mësohet se PS do ia “falë” pushtetin e 31 bashkive në vend PD.
Bashkitë e prekura nga dekriminalizimi
Por një tjetër pikë që mësohet se kanë rënë dakord palët për zgjedhje të pjesshme janë edhe bashkitë që janë prekur nga dekriminalizimi. PD fillimisht denoncoi Valdrin Pjetrin se ka shkelur ligjin e dekriminalizimit dhe se kishte fshehur dënimin. Pas verifikimeve, u provuan akuzat e PD çka solli që Valdrin Pjetri të mos kryente as betimin, duke dhënë dorëheqjen. Që prej asaj kohe Bashkia Shkodër ka ngelur pa kryetar dhe ende nuk është caktuar një datë për mbajtjen e tyre. Një tjetër bashki që u prek nga dekriminalizimi është edhe ajo e Vorës, ku ish-kryebashkiaku Agim Kajmaku kishte fshehur dënimin e kryer në Greqi.
Pas vërtetësisë së këtyre akuzave, Kajmaku qëndron në arrati dhe Bashkia Vorë momentalisht drejtohet nga nënkryetari, deri në caktimin e një date për zgjedhje të parakohshme. Por pa kryetar ka mbetur edhe Bashkia Durrës, ku ish-kryebashkiakja Valbona Sako dha dorëheqjen pas tërmetit të 26 nëntorit. Por tashmë akuzat e PD janë shtrirë drejt një tjetër kryebashkiaku, atij të Mallakastrës. Edhe për këtë, selia blu ngre akuza se ka fshehur dënimin. Por nëse këto akuza vërtetohen, atëherë edhe Mallakastra do i dorëzohet zgjedhjeve të parakohshme. Por zgjedhjeve të pjesshme të parakohshme krahas do u bashkohen edhe bashkitë e prekura nga ligji i dekriminalizimit. Kështu që me shumë gjasa në më shumë se gjysma e bashkive të vendit do të ketë zgjedhje të pjesshme të parakohshme. Opozita prej gati një viti kërkon zgjedhje të parakohshme, ndërsa për të sfiduar mazhorancën ka bërë edhe protesta anti-qeveritare. Por kjo kërkesë e opozitës duket se ka rënë në vesh të shurdhët, pasi jo vetëm që nuk është plotësuar, por tashmë me paktin e ri mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut demokrat Lulzim Basha pritet që këto kërkesa të marrin jetë./Elisjeda Kiko