Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj ka një porosi për pasardhësin e tij, Albin Kurtin.
Me anë të një postimi në Facebook, Haradinaj këshillon Kurtin që të mos hiqet taksa 100% ndaj mallrave serbe deri sa kjo e fundit ta njohë Kosovën.
“Një vit më parë, Qeveria e Republikës së Kosovës, ka ndërmarrë një prej vendimeve më të guximshme që nga shpallja e pavarësisë, me vendosjen e tarifes prej 100% në mallërat e Serbisë, si masë ndaj fushatës agresive të shtetit serb.
Me këtë hap të rëndësishëm, Kosova ka treguar se Serbia nuk mund t’i japë detyra, kurse miqve ndërkombëtarë se nuk i nënshtrohemi shtetit serb. Vendosja e tarifes ndaj mallrave serbe, prej nëntorit të vitit të kaluar, ka ndikuar poashtu tej mase në fuqizimin e prodhuesve vendor.
Në thelb, ky veprim e ka delegjitimuar projektin e ndarjes së Kosovës, që fshihej nën idenë e korrigjimit të kufijve. Kjo masë është dëshmuar strategjike dhe duhet të mbetet deri në njohje të shtetit të Kosovës.”, shkruan Haradinaj në rrjetet sociale.