Nga Migena Aleksi
Në Tiranë, nuk është e pazakontë që mesazhe krejt të kundërta të përplasen në mënyra të paparashikueshme. Këtë herë bëhet fjalë për restorant “Juvenilja” te Parku i Madh i Liqenit, një vend që sot mban dy etiketa në ekstreme të ndrtyshme: Atë të një vendi “të ndaluar” për diplomatët amerikanë dhe atë të një “tempulli” për adhuruesit e Ismail Kadaresë.
Departamenti i Shtetit i SHBA-së, përmes një njoftimi sigurie të Ambasadës në Tiranë, u ka kërkuar shtetasve dhe personelit të saj të shmangin disa biznese specifike në kryeqytet. Mes tyre është emri i lokalit “Juvenilja” i njohur si piceri dhe restorant.
Edhe pse teknikisht nuk bëhet fjalë për një shpallje “Non Grata” në nivelin e sanksioneve politike, ky paralajmërim administrativ (Security Alert) është një goditje e fortë për reputacionin e çdo biznesi. Arsyet e sakta rrallë bëhen publike, por ato zakonisht lidhen me vlerësimet e inteligjencës amerikane mbi sigurinë dhe integritetin e biznesit.
Pikërisht në këtë ambient, i cili për amerikanët konsiderohet “zonë e ndaluar”, Ismail Kadare kaloi vitet e fundit të jetës së tij. Për gjeniun e letrave shqipe, “Juvenilja” ishte një zgjatim i zyrës së tij. Aty ai pinte kafen e mëngjesit, takonte botuesin e tij Bujar Hudhri dhe priste vizitorë.
Duket vërtetë ironike që njeriu që për dekada ishte ura kryesore lidhëse e kulturës shqiptare me Perëndimin, ka tashmë një statujë në bronz pikërisht në një vend që siguria amerikane e ka vënë në shënjestër.
Përjetësimi në Bronz
Në janar të këti, me rastin e 90-vjetorit të lindjes së shkrimtarit (i cili u nda nga jeta në korrik 2024), në këtë lokal është vendosur një shtatore bronzi. Skulptura, e ideuar nga aktori Timo Flloko dhe e realizuar nga Henri Nimami, e paraqet Kadarenë ulur në tavolinën e tij të preferuar, me librin dhe kafen përpara.
Tashmë, çdo turist apo qytetar që viziton Parkun e Liqenit, përballet me këtë kontrast. Mesazhi i SHBA: “Mos hyni në këtë biznes”. Mesazhi tjetër: “Këtu ulej gjeniu i kombit”. Një kujtesë e ftohtë që rregullat e sigurisë nuk bëjnë përjashtime, as për historinë./Dita






