Nga Anri Bala
E mbyllën me një ngjarje të rëndë, fillimin e luftës për pushtet lularët. Ushtarët e Lulit u shpërndan si zogjt e korbit, për një qëllim të vetëm, të nxinin procesin zgjedhor, sepse as që e mendonin fitoren. U duhej alibia e humbjes, për të shpëtuar nga ajo që nuk shpëtojnë dot: Fajësi për disfatën!
Me muaj të tërë thirrën e sokëllitën për atë që do të ndodhte, duke marrë shembuj nga më qesharakët, se dikur u ishte vjedhur verdikti i sovranit, që “provohej” me biseda militantësh. Cilado të ishte e vërteta e atyre bisedave, nuk mund të marrësh sot për alibi vjedhjen, për të justifikuar humbjen, e se kundërshtari të vodhi ato… që ti je betuar se do t’i mbrosh, me çdo mjet e me çdo formë ligjore e antiligjore, deri me ushtri paramilitarësh e grupe të armatosura.
Një gjë nuk kuptoj, si merr guximin t’i kërkosh dikujt votën, kur në më shumë se pesë palë zgjedhje, ti pranon me gojën tënde, se nuk je i zoti të mbrosh as vullnetin e atyre që të kanë votuar?! Nëse një hajdut të vjedh plaçkën pesë herë radhazi, në të njëjtin vend, me të njëjtën metodë… atëherë faji është i joti zotrote, që s’di të ruash shtëpinë, kurse ai, gjen shesh e bënë përshesh.
Për kujtesë të atyre që të rrinë nga mbrapa, edhe të shohin në sy me keqardhje se të grabitën, më bënë habi si harrojnë që të njëjtën alibi zgjodhe edhe në 2013, se të vodhën, edhe pse çelsat dhe rojet i kishe të gjithë në dorë ti. Sërish në 2017 zotrote “të vodhën”, edhe kur votat t’i mbronte “Rambo” Dritan Demiraj, që e caktove Ministër të Brendshëm me pëlqimin e qeverisë së “drogës dhe krimit”, bashkë me Gazment Bardhin si Ministër i Drejtësisë. Kjo puna jote më kujton skeçet e estradës së Shkodrës, kur Edmond Halili i thoshte doktorit, se kudo ku vendoste gishtin i dhimbte, e doktori qeshi dhe i tregoi se: Ke gishtin e thyer! Ndaj edhe unë mendoj se ti ke “thy gishtin” mër Lul, por s’po të del një doktor përpara të të mbushi mendjen.
E njëjta dramë, të njëjtët aktorë, e njëjta alibi… se dallkauku i vetshpallur kryeministër prej katër vitesh në oborr të SHQUP-it, u vodh sërish! Por për fatin e tij të keq, pothuajse të gjitha rastet e shitblerjes apo tjetërsimit të vullnetit të qytetarëve, u dirigjuan nga eksponentë të partisë simotër… LSI-së. Mjafton të përmendim rastin e punonjësit të Bashkisë Bulqizë, i kohës kur kjo bashki drejtohej nga LSI, njeriu i afërt i ish deputetetit Përparim Spahiu, apo rasti i kandidatit për deputet në qarkun e Tiranës, për të kuptuar se si dhe nga kush ishte e organizuar komedia e votëvjedhjes.
Por, akti më i rëndë që u kunsumua nga këto zgjedhje ishte ai i grupeve paramilitare PD-iste, me eksponent të policisë dhe ushtrisë, të cilët duhet të përgjigjen para drejtësisë për ngritjen e strukturave paralele shtetërore. Të legjitimosh grupet paramilitare, që vranë njerëz ditën për diell e rrezikuan shumë të tjera, duke i vetëemëruar si roje të votës dhe në fund të ulërasësh se votat t’i vodhën, nuk besoj se përbën sjellje normale politike dhe as logjike. Ish policët paramilitar, ose janë totalisht njerëz të paaftë dhe e kanë merituar largimin nga policia dhe ushtria, ose janë të shitur… ose daullet e fitores u janë çarë që pa filluar dasma, sepse fitorja nuk vjen nga dallkaukët dhe intrigantët, por nga ai që voton… populli i thjeshtë.
Megjithatë, ju si humbës keni vetëm një të drejtë… të ankoheni për pabesinë e Ramës, i cili nuk hoqi dorë nga bërja fushatë, që kur ju prisnit të shkonit në zgjedhje, gati 2-3 vjet më parë. Edi Rama nuk duhet të menaxhonte as termetin, as pandeminë, as rikonstruksionin e shumë investimeve të lëna rrugëve, por të priste… pasi të bëheshin votimet e radhës.
E nëse kjo çmenduri quhet politikë, atëherë përse bëhen zgjedhjet?! Çdo qeveri duhet të flej gjumë dhe të kullos sytë, sepse përballë ka opozitën, që nuk i njeh zgjedhjet kur i humb dhe pret deri në pafundësi… për të marrë pushtetin. Këtë, qeveria aktuale nuk e bënë dot, por edhe ajo e kaluar nuk e bëri dot, sepse do ishte një tallje e rëndë me sovranin që e ka zgjedhur.
Të thuash se 40 milion dollarët e dhënë nga qeveria për ndihma, më shumë se sa ishte parashikuar për fondin e rindërtimit dhe riparimin e pasojave të termetit, na qenka krim, duhet te jesh o i marrë o i dalë nga mend, që jeton jashtë realitetit, si një idiot aksidental në politikë. Në fakt keni të drejtë, sepse Rama mirë se ju vodhi votat që nuk i kishit, por bëri detyrën që i ka dhënë sovrani, e kjo e bënë edhe “hajdut” edhe rrenacak… me ju.
“Hajdut”, sepse rasti i vetëm i hajdutërisë imagjinare është alibia juaj e tmerrshme, me një vrasje në mes të qytetit, në mes të ditës, në sy të qytetarëve, të një qytetari, që nuk kishte as një punë me vrasësit tuaj dhe e përligjët vdekjen poshtërsisht dhe kriminalisht… donte të blinte vota, që nuk i bleu kurrë. “Rrenacak”, sepse nuk e mbajti fjalën që të bënte njerëz të pakënaqur, duke i lënë nëpër çadrat tuaja imagjinare, që ato të votonin të ardhmen që u premtuat ju, por që s’vjen kurrë dhe kurrë mos ardhtë, nëse s’është si ajo që na dëgjuan veshët, por si kjo që na panë sytë!/Ekskluzive.al