Nga Mero Baze
Në çadrën e pranverës së kaluar, beteja “Donkishoteske” ndaj “Soros”-it, tejkaloi çdo limit dhe po imitonte betejën e Erdoganit kundër Gulenit. Me atë shpjegohej mos futja në zgjedhje, kundërshtimi i Vetingut, dhe po me të dhe vrapimi për fonde ruse dhe përpjekja për një foto me Donald Trump.
Kur një lider politik tenton të ngrej teza politike bazuar mbi paranoja, ai është ose i sëmurë mendor, dhe si i tillë i rrezikshëm, ose pa asnjë ide dhe dhe viktimë e çdo idioti që i shpik kauza. Lulzim Basha ngjan të jetë rasti i dytë.
Xhorxh “Soros”i, nuk ka asgjë për të fshehur si armik. Përveçse krenohet që është një spekullant i tregjeve financiare. Ai është multimilardier, është financues i një rrjeti për demokracinë dhe shoqërinë e hapur që ka mbështetur vendet ish komuniste në lindje, ka pasur bashkëpunëtorin më të afërt dhe të parin në Shqipëri, Sali Berishën, ka financuar shtypshkronjën “Demokracia” dhe për 15 vite rresht nga 1991 deri në vitin 2005, ka përfituar gazeta “RD”, “Republika”, “Drita”, “Zëri i Rinisë”, “Bashkimi”, “Albania”, dhe superfinancuar gazetën “Koha Jonë” më 1996 me grant të vçantë.
Ai ka ngritur një rrjet kopshtesh e çerdhesh në Shqipëri dhe ka shpenzuar mbi 200 milionë euro në projektin për arsimin dhe rindërtim shkollash, dhe është tërhequr nga ky aktivitet pas viteve 2000. Që nga Lulzim Basha e familjarë të tij, e deri tek antikomunist “ekstremist” të tij, janë financuar me bursa prej “Soros”-it, dhe mirë kanë bërë, se kanë hapur sytë në Evropë dhe Rusi. Po ashtu dhe plotë të majtë mes te cileve shquan Edi Rama.
Por fillimisht “Soros”, financoi të djathtën shqiptare, pasi donte të dekomunistizonte shoqërinë dhe u mbështet tek ata. Po i përmend këto pa komplekse, ngaqë nuk jam përfitues i ndonjë fondi, qoftë dhe 1 dollarë prej tij.
“Soros” është po ashtu një financues publik i së majtës liberale amerikane, një kundërshtar i pakompromis i disa presidentëve republikan, sidomos i Xhorxh Bushit dhe së fundmi Trumpit. Në Samitin e fundit në Davos, ai e sulmoi Presidentin Trump si një udhëqës që kërkon të ndërtoj një shtet mafjoz, por që amerika po i reziston, duke i marr me një deklaratë gjithë venmendjen e shtypit.
Ai sulmoi po ashtu gjigandë si Facebook dhe Google si rrezik për të ardhmen. Jeton në SHBA në vitet e fundit të jetës dhe nuk besoj se ka ndonjë ide, që po mban gjallë shpresat e një opozite në Shqipëri, me idenë që vdekja e tij, do shpëtoj Lulzim Bashën nga kriza.
Njësoj si “Soros” republikanët kanë OJQ e tyre dhe miliarderët e tyre që tentojnë të turbullojnë ujrat. Skandali i fundit i facebook dhe “Cambrige intelegence”, është një vepër e një milardieri republikan. Organizata “Judicial Watch”, është po ashtu një OJQ konservatore e këtij tipi, nga ato që thonë se “ngrohja globale është shpikje e “Soros”.
Por këto janë punë të SHBA, janë legale, dhe janë aq larg vemendjes për ne, sa është trishtim i madh të shikosh ku i ka shpresat opozita shqiptare. E vetmja gjë plot hare që ka bërë të lumtur Lulzim Bashën, është ideja që të shpall armik ambasadorin e SHBA në Tiranë Donald Lu, përmes disa lobistëve të tij në SHBA, për faktin se “Soros” ka qenë financues i disa aktiviteteve të reformës në drejtësi.
Kjo jo vetëm që është fakt publik në Shqipëri, por vet PD ka marr pjesë në ato tryeza, ku “Soros” ka qenë sponsor i aktivitetit gjatë procesit të reformës dhe nuk ka nevojë të zbulohet nga “Judicial Watch”.
Ai ka qenë sponsor krahas SHBA, BE, qeverisë shqiptare, por jo përmes tyre.
Reforma në drejtësi është vërtet makthi i Lulzim Bashës apo Sali Berishës, por është njëkohësisht një operacion i Perëndimit në Shqipëri, kryesisht SHBA dhe Bashkimit Evropian.Ajo është konsideruar interes amerikan dhe janë përcjellë udhëzime të veçanta për ata që e refuzonin votimin e saj. SHBA është investuar aty me fondet e veta, dhe me fuqinë e tyre politike. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dërguar deri Sekretarin e Shtetit, për të bindur palët për reformën, dhe i qëndrojnë idesë se ajo është një interes amerikan, dhe do të jetë një mekanizëm i fuqishëm për të çrrënjosur korrupsionin në Shqipëri.
Ky është vërtet hall për Lulzim Bashën, jo fakti që krahas BE e SHBA , qeverisë shqiptarëve dhe donatorëve të tjerë, edhe fondacioni “Soros” ka paguar disa tryeza debatesh. Mirë ishte ti kishin marrë më shumë pare për këtë punë, por dhe ata, me sa duket po i limitojnë fondet. Por Reforma në Drejtësi i numurohet “Soros”-it si një nga punët e mira në Shqipëri , në SHBA dhe Bruksel.
Kjo është aq qesharake, sa alarmi i Petrit Vasilit kur Shqipëria votoi kundër Jeruzalemit kryeqytet, se “SHBA do na ndërpriste fondet për “reformën në drejtësi”, alarm që përfundoi me një dekoratë të lobit hebre në SHBA për Edi Ramën, pas disa javësh. Dhe kjo u shpjegua prap me Sorosin se dhe ai është hebre.
Ngazëllimi i opozitës nga një raport formal, i një OJQ dhe zhurma e disa lobistëve, tregon se sa me zemër të thyer e nën presion e kanë ngritur dorën pro reformës dhe sa shumë janë penduar që e kanë bërë këtë. Për këtë në fakt u duhet qarë halli opozitës, e jo Donald Lu. E sidomos Xhorxh “Soros”-it, që kushedi me çfarë tubi oksigjeni po shtyn mbasditen në SHBA dhe as i shkon mendja tek Lulzim Basha.