Firma “Mavo Fashion” u krijua 2 muaj pas zgjedhjes së Fidel Yllit! Është fond, që shteti i ka dhënë Komitetit Olimpik për uniforma, çanta sportive e atlete, në kuadër të projektit “Ekipet Sportive Shkollore 2022”, të cilat duhej të ishin blerë në muajin shkurt, por do blihen në fund të vitit pasi projekti të ketë përfunduar, dyshim se këto miliarda do pasqyrohen në letrat si materiale sportive, por do përfundojnë për materiale ndërtimi në ndonjë kullë a vilë
Përveç biznesit të kokainës në Ekuador e Spanjë dhe lejeve e zhvatjes së trojeve shtetërore për kulla në Tiranë, Durrës, Vlorë e Himarë, “lavatriçet” e ndërtimit Viktor Ndoci e Ylli Braka, i janë futur edhe tenderëve që bëhen me fonde shteti, nëpërmjet fijeve lidhëse të punëve të pista e ortakërive që kanë me drejtuesit.
Një tender i tillë për trafikantët ndërtues të qendrës “Ring- Zogu i Zi” e kullës “Skënderbe”, Viktor Ndoci e Ylli Braka, është bërë gati nga Komiteti Olimpik Shqiptar, me objekt blerje materiale sportive në zbatim të projektit “Ekipet Sportive Shkollore 2022” në disa bashki.
Tenderi me vlerë 1.5 milionë Euro, është shpallur nga Kryetari i Komitetit Olimpik, Fidel Ylli dhe do hapet me 8 shtator 2022, ndërsa sipas informacionit, pjesëmarrëse deri tani është vetëm firma “Mavo Fashion Shpk”.
Në faqen e Komitetit Olimpik, nuk ekziston më njoftimi për aplikime lidhur me këtë tender, ndërsa në Buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik, njoftimi është bërë vetëm 1 herë në datën 15 gusht 2022, kur sipas ligjit për tenderët me vlera të larta, njoftimi duhet bërë 3 herë radhazi.
Por siç thuhet në zyrat e KOKSH e siç kuptohet nga marifeti i njoftimit, ndërtuesi e kumarxhiu Fidel Ylli, ua ka bërë gati këtë tender miqve dhe ortakëve të tij ndërtues kullash, bankash e trafikantë Viktor Ndoci Ylli Braka.
Firma “Mavo Fashion Sh.p.k”, që është aplikuese e vetme dhe do të jetë e vetmja pjesëmarrëse, për shkak të bllokimit të aplikimeve, do jetë fituese e tenderit 1.5 milionë Euro, por nuk ka pasur aplikime, as për faktin se e dinë që do t’i jepet Viktor Ndocit e Ylli Brakës.
Saktësojmë, se kjo firmë ka pronarë Mirela Ndocin e Anila Ndocin, që janë gruaja dhe e bija e Viktor Ndocit, por të 3 familjarët “Ndoci”, janë edhe ortakë e administratorë në biznese kullash me Ylli Brakën në “Ring Center” te Zogu i Zi”, te kulla “Skënderbe” në qendër të Tiranës etj.
Nuk mund të jenë rastësi këto dy fakte:
Trafikantët që pastrojë miliarda para droge me ndërtime kullash, befas futen në biznesin e veshjeve sportive.
Firma “Mavo Fashion Sh.p.k” e miqve dhe ortakëve të vjetër të Fidel Yllit, është krijuar si biznes importi e tregti materialesh sportive, 2 muaj pas Fidel Ylli u zgjodh kryetar i Komitetit Olimpik Shqiptar, dhe merr pjesë në tenderin e parë me vlerë të madhe që bën ky komitet.
Këto 1.5 milionë Euro, janë fond që qeveria i ka dhënë për të pajisur disa ekipe shkollash me çanta sportive e atlete, në kuadër të projektit “Ekipet Sportive Shkollore 2022”, të cilat duhet të ishin blerë qysh në muajin janar 2022, kur është dhënë fondi, por çuditërisht do blihen në fund të vitit, kur projekti të ketë përfunduar.
Ky fakt, krijon dyshime, se këto miliarda do pasqyrohen në letra si materiale sportive, por do përfundojnë për materiale ndërtimi në ndonjë kullë apo vila private.
Saktësojmë se kreu i Komitetit Olimpik, Fidel Ylli, ka bërë vetëm 1 takim në Bashkinë e Fierit, për zbatimin e këtij projekti, ku nuk ka folur për fondin 1.5 milionë Euro, por i ka kërkuar kryebashkiakut Subashi, të jetë “sekser” për donacione nga firmat që ai u jep tenderë./Pamfleti