Të ngelurit në veting rrezikojnë të shkojnë për ndjekje penale dhe të humbasin pasuritë. Pak ditë më parë Prokuroria e Posaçme sekuestroi pasuritë e Bashkim Dedjes, Fatos Lulos dhe Shkëlqim Selimit, ndërkohë që të rrezikuar janë edhe 7 persona të tjerë.
Sinjalet janë dhënë nga kreu i SPAK, Arben Kraja, i cili në një intervistë të hënën deklaroi se janë intensifikuar hetimet edhe për emra te tjerë. “Po kemi një procedim penal që e kemi bërë dhe njoftim publik. Ka një hetim patjetër ku deri në këto momente ne kemi konkluduar 3 nga ish-gjyqtarët bazuar në ligjin antimafia, kemi sekuestruar pasuritë me vendim gjykate dhe ndërkohë po vazhdon hetimi penal. Janë nën hetim për veprën deklarim i rremë të pasurisë. Pjesa tjetër pastaj është nën hetim”, tha ai.
Kreu i SPAK në qëndrimin e tij e ka fjalën për një padi të bërë nga avokati Fran Dashi. Hetimet ndaj ish-anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese të ngelur në veting nisën pikërisht nga kjo padi. Kjo do të thotë se përveç 3 emrave të parë, janë dhe 7 të tjerë në listë që rrezikojnë të humbin pasurinë.
Gazeta ka siguruar padinë e avokat Dashit dhe përveç Dedjes, Lulos dhe Selimit, të paditur janë: Xhezair Zaganjori, ish-kreu i Gjykatës së Lartë; Tom Ndreca, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë; Gani Dizdari, ish-gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese; Edmond Islamaj, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë; Guxim Zenelaj, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë; Besnik Imeraj, ish-gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese; Aleksandër Muskaj, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë. Pra edhe këta emra rrezikojnë t’u sekuestrohen pasuritë, sikundër ka ndodhur me kolegët e tyre.
Hetimet penale
Përveç sekuestrimit të pasurive, ndaj 10 emrave në fjalë ka nisur dhe hetimi penal për fshehje pasurie. Kjo do të thotë se të gjithë rrezikojnë të shkojnë në gjykatë. Rasti më i fundit është ai i ish-Kryeprokurorit Adriatik Llalla, i cili është në gjykatë dhe prokuroria ka kërkuar 2 vite burg për ta. Nëse të 10 emrat nën hetim do të shkojnë në gjykatë, ata rrezikojnë dënimin deri në 3 vite burg.
Neni 257/a i Kodit Penal është ai që parashikon një dënim të tillë. “Refuzimi për deklarimin ose mosdeklarimi i pasurisë, interesave privatë të personave të zgjedhur ose nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim sipas ligjit, kur më
parë janë marrë masa administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 6 muaj. Fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet”, thuhet në Kodin Penal.
Të dorëhequrit
Por përveç të ngelurve në veting, në skaner pritet që të kalojnë dhe shumë gjyqtarë dhe prokurorë të dorëhequr. Pra precedenti “Llalla” pritet që të fundosë shumë emra. Por të rrezikuar nga ky skenar janë padyshim trupa gjyqësore që amnistoi presidentin nga afera e bllokut 700 mijë euro. Meta doli i larë nga videoja me Dritan Priftin. Ata që e shpëtuan ishin anëtarët e Gjykatës së Lartë. Sot të gjithë janë jashtë sistemit, njëri ka ngelur dhe 3 të tjerë janë dorëhequr. Ndërkohë pritet që të ketë dhe zhvillime nga prokuroritë e rretheve për të ngelurit në shkallët e tjera të gjyqësorit.