Presidenti amerikan, Donald Trump drejtoi sërish akuza ndaj Bashkimit Europian, duke u rebeluar këtë herë ndaj gjobës rekord të vendosur nga Brukseli ndaj Google dhe duke theksuar se nuk do të toleronte më që Europa të përfitojë nga SHBA-ja.
“Ju kisha vënë në dijeni. Bashkimi Europian sapo i vendosi një gjobë pesë miliardë dollarëshe një prej kompanive tona të mrekullueshme, Google. Ata po përfitojnë vërtetë nga SHBA-ja, por ky rast nuk do të përsëritet më”- tha Trump përmes një postimi në Twitter.
BE-ja vendosi të mërkurën një gjobë prej 4,34 miliardë euro ndaj Google, për abuzim me pozitën dominuese në treg.
Bashkimi Europian shfaqi ankesë ndaj grupit amerikan se ka përdorur Android, sistemin operativ të smartfoneve i përdorur nga 80% e pajisjeve në Europë dhe në botë, për të vendosur epërsinë e shërbimit të kërkimit online.
“Google ka përdorur praktika të paligjshme për të konsoliduar pozitën e saj dominuese në fushën e kërkimit në internet”, sqaroi komisionerja Europiane për Konkurrencën, Margrethe Vestager, nga Brukseli.