Arqipeshkëvi i Tiranë-Durrësit e njëkohësisht presidenti i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, Imzot George Frendo, ka rezultuar pozitiv me koronavirus.
Lajmi është bërë i ditur me anë të një njoftimi nga Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë.
“Imzot George Frendo ka qenë për disa ditë në monitorim mjekësor për shkak se ka rezultuar pozitiv me Covid-19.
Me rekomandimin e mjekëve, në mbrëmjen e ditës së sotshme, është vendosur që Imzot Frendo të shtrohet në spital, për shkak të disa komplikacioneve respiratore gjatë ditës.
Ju kërkojmë lutjet tuaja për Imzot Frendon dhe i urojmë atij shërim sa më të shpejtë”, thuhet në njoftimin e KISH.
Një ditë më parë u raportua dhe infektimi i kreut të Kishës Ortodokse, Janullatos, që ka shkuar në Greqi për t’u kuruar.
Kisha Ortodokse “Shën Theodhori” ndërkohë, ka reaguar pasi mediat greke kanë raportuar se gjendja shëndetësore e Kryepeshkopit Anastas Janullatos është e rëndë.
Në një postim që ka bërë në rrjetet sociale, shkruan se gjendja e tij shëndetësore, aktualisht është e qëndrueshme dhe nën kontroll.
“E qëndrueshme dhe nën kontroll”, gjendja shëndetësore e Kryepeshkopit. Njoftimi i parë nga spitali “Evangelismos”, rreth shëndetit të Kryepeshkopit Anastas. Primati i Kishës së Shqipërisë po trajtohet në një shtrat të Njësisë së Kujdesit Intensiv, sipas njoftimit të parë mjekësor nga spitali “Evangelismos”.
Kryepeshkopi Anastas, “paraqet simptoma të lehta në sistemin e frymëmarrjes dhe temperaturë të ulët” vazhdon njoftimi ndërsa theksohet gjithashtu se “gjendja e tij karakterizohet si e qëndrueshme dhe aktualisht nën kontroll” thotë Kisha Ortodokse.